9.8 C
Prizren
E premte, 24 Janar, 2025

Muzeu i Nënë Terezës në Prizren hyn në fazën e funksionalizimit, data e hapjes caktohet pas zgjedhjeve

Aktualisht, Muzeu menaxhohet nga CHwB Kosova në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit dhe MKRS-në, bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit të nënshkruar në nëntor të vitit të shkuar.

Edona Rugova nga CHwB Kosova ka bërë të ditur se për shkak të fushatës zgjedhore dhe zgjedhjeve parlamentare, data zyrtare për hapjen e Muzeut me orar të rregullt pritet të caktohet në muajin shkurt.

“Data e saktë e hapjes do të bëhet publike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Sidoqoftë, Muzeu është në dispozicion për vizita të organizuara që duhet të caktohen paraprakisht përmes CHwB-së, deri në caktimin e datës së saktë të hapjes”, ka thënë ajo për Telegrafin.

Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Rugova ka sqaruar se Muzeu do të ofrojë për vizitorët ekspozitën për jetën e Nënë Terezës.

“Ekspozita momentale e muzeut përfshinë informata dhe dokumente për jetën personale dhe veprimtarinë e Nënë Terezës, duke përfshirë fëmijërinë e saj, misionin dhe në përgjithësi jetën e saj. Informatat dhe dokumentet historike janë rezultat i një hulumtimi dy vjeçar i CHwB Kosova, udhëhequr nga historiani Jahja Drançolli. Po ashtu, janë siguruar të drejtat e përdorimit dhe licencat për të gjitha fotografitë e ekspozuara. Ekspozita është e shtrirë në tri katet e muzeut në mënyrë kronologjike”, ka deklaruar ajo.

Krahas kësaj, Rugova ka shpjeguar se muzeu parashihet të jetë destinacion për aktivitete të ndryshme edukative dhe kulturore.

“Gjatë vitit të parë të hapjes, do të punohet në zhvillimin e një strategjie të punës dhe veprimtarisë, në të cilin do të përfshihen aktivitete me komunitetin artistik, organizata kulturore e edukative si dhe partneritete të tjera”, ka thënë Rugova për Telegrafin.

Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Muaj më parë, pjesëtarët e komunitetit patën kërkuar përshpejtimin e hapave drejt funksionalizimit të këtij Muzeu.

Këshilltari nga radhët e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, që është pjesë e grupit të kuvendarëve të LDK-së, Marin Përgjoka pat vlerësuar se qëndrimi mbyllur i kësaj ndërtese në radhë të parë është humbje për turizmin e qytetit.

Historia e ndërtimit të këtij Muzeu është e gjatë, pasi projekti i kontraktuar në vitin 2010 nga MKRS-ja me raporte zyrtare kishte përfunduar në vitin 2012. Tek në mesin e vitit 2014 ishte dhënë drita e gjelbër për pranimin teknik të objektit, por përkundër kësaj Muzeu nuk ishte funksionalizuar.

Ekspozita dedikuar jetës dhe veprës së Nënës Terezë në Prizren qe hapur me 5 shtator 2022, në 25-vjetorin e kalimit në amshim të saj, raporton Telegrafi.

Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Nënë Tereza është bërë simbol i humanizmit në botë si pasojë e angazhimit të gjatë në shërbim të sëmurëve e të varfërve. Ishte fituese e çmimit Nobel për Paqe dhe vite më vonë u shenjtërua nga Vatikani. Ajo ndërroi jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkutë të Indisë.

Ndërtesa e Muzeut të Nënë Terezës gjendet afër Katedrales së Zojës Ndihmëtare në Prizren, në lagjen ku dikur kishin jetuar të parët e Gonxhe Bojaxhiut. /Telegrafi/

Marketing

 

Më Shumë

Policia jep detaje shtesë për sulmin e katër nxënësve nga qeni në shkollën e Shirokës

Policia ka dhënë detaje shtesë për rastin e sulmit të qenit ndaj katër nxënësve në shkollën “17 Shkurti”, në Shirokë të Suharekës. Në raportin 24-orësh...

Prizreni shumë i nxehtë për Borën, Bashkimi fiton bindshëm

Bashkimi ka mundur Borën me rezultat 94:76 në xhiron e 18-të të Superligës. Lejson Zeqiri udhëhoqi Arpaxhikët me 21 pikë të shënuara. Në anën tjetër, më...

Lajmet e Fundit