Shoqata e gjahtarëve “Theranda” që menaxhon vendgjuetinë e përbashkët në Komunën e Suharekës ka njoftuar se është mbyllur sezoni i gjuetisë për vitin 2024-2025.
Menaxheri i vendgjuetisë së përbashkët në Komunën e Suharekës, Skender Sadikaj përmes rrjeteve sociale ka bërë të ditur se mbyllja e këtij sezoni është bazuar në vendimin e ministrit të MBPZHR-së, Faton Peci.
“Shpallet i mbyllur Sezoni i Gjuetisë për periudhën 2024-2025 për të gjitha llojet e kafshëve të egra në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, të hapur sipas Vendimit me Ref. KM. 414/2024 të datës 10.10.2024, sipas nenit 7 të Udhëzimit Administrativ, Nr. 11/2007, Për Sezonin e Gjuetisë të dt. 14.09.2007, me interes të ruajtjes dhe mbrojtjes së faunës së egër”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Peci, ku theksohet se sezoni i gjuetisë mbyllet nga data 3 shkurt 2025, raporton Telegrafi.
Në këtë akt janë përmendur edhe arsyet për këtë vendimmarrje.
“Mbyllja e Sezonit të Gjuetisë 2024-2025 për të gjitha llojet e kafshëve të egra, bëhet duke u bazuar në kërkesën për mbylljen e sezonit të gjuetisë 2024/2025, me Ref. 05/03/2025 të dt.21.01.2025, të Departamentit të Pylltarisë e cila bazohet në faktin se shumica e menaxherëve të vendgjuetive të përbashkëta i kanë realizuar objektivat e planifikuara me planet vjetore të menaxhimit dhe se afati i gjuetisë sezonale bazuar në kalendarin e gjuetisë sipas legjislacionin në fuqi, ka përfunduar për shumicën e kafshëve që janë të evidentuara në planet vjetore të menaxhimit të faunës së egër për vendgjuetitë e përbashkëta të cilat i kanë plotësuar kriteret ligjore sipas Vendimit për Hapjen e Sezonit të Gjuetisë 2024-2025 me Ref. KM.414/24 të datës 10.10.2024. Gjithashtu, bazuar në planet menaxhuese 10 vjeçare dhe atë vjetore të aprovuara është vlerësuar se ka zvogëlim të fondit të kafshëve të egra si pasojë e gjuetisë ilegale, raport të pavolitshëm gjinor dhe të moshës së kafshëve për gjueti, degradimit të habitateve natyrore e sidomos të pyjeve, kushteve të pavolitshme klimatike dhe elemente tjera të menaxhimit jo efikas të faunës së egër”, shkruan në vendimin e MBPZHR-së.
Tutje theksohet se mbyllja e sezonit të gjuetisë do të kontribuonte në ruajtjen e faunës së egër dhe do të zvogëlonte intensitetin e gjuetisë ilegale si dhe do të nxiste autoritetet komunale në themelimin dhe dhënien në menaxhim të vendgjuetive të përbashkëta të përcaktuara me legjislacion si dhe do të nxiste procesin e hartimit të planeve menaxhuese për vendgjuetitë e përbashkëta dhe ato me rëndësi të veçantë, raporton Telegrafi.
Për zbatimin e këtij vendimi janë obliguar Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural -Departamenti Pylltarisë, Agjencia Pyjore e Kosovës, Federata e Gjahtarëve të Kosovës, Menaxherët e Vendgjuetive dhe Drejtoritë Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.