3.3 C
Prizren
E hënë, 3 Mars, 2025

Policia në Prizren në KKSB raporton për ulje të numrit të veprave penale dhe rritje të zbulimit të rasteve gjatë vitit 2024

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Prizren ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku krahas shqyrtimit të Planit të punës për vitin 2025, është raportuar edhe për gjendjen e sigurisë dhe aktivitetet policore gjatë vitit 2024.

Komandanti i Stacionit policor në Prizren, Nexhdet Mrasori para të pranishmëve ka bërë të ditur se në vitin e shkuar ka pas ulje të numrit të veprave penale krahasuar me vitin 2023, si dhe rritje të përqindjes së zbulimit të tyre.

“Sa i përket veprave penale, kemi pas ulje. Në vitin 2023 kanë qenë 1,722 vepra penale, ndërsa në vitin 2024 janë 1,664 vepra penale. Ndërkaq zbulimi i këtyre veprave penale në vitin 2023 ka qenë 77.7%, ndërsa në vitin 2024 ka qenë 87.5%”, ka thënë Mrasori, raporton Telegrafi.

Sipas tij fakt inkurajues është se nuk ka pasur asnjë rast të vrasjes.

“Fatbardhësisht nuk kemi pasur asnjë rast vrasjeje, si në Komunën tonë ashtu edhe në rajonin e Prizrenit”, është shprehur Mrasori.

Në të njëjtën kohë ka pohuar se ka pasur rritje në zbatimin e urdhëresave gjyqësore, për personat që nuk i janë përgjigjur obligimeve në raport me organet e drejtësisë.

“Kemi realizuar 1780 urdhëresa”, ka thënë Mrasori, duke shtuar se 83.4% është realizimi i urdhëresave për të dënuarit në formën e prerë.

Ai ka bërë të ditur se në vitin 2024 ka pasur edhe rritje të numrit të gjobave lidhur me kundërvajtjet në trafikun rrugor, raporton Telegrafi.

“Në vitin 2024, janë shqiptuar 27,367 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë parkingjet ilegale, tejkalim i shpejtësisë, përdorim i telefonit, mosrespektim i këmbësorëve. Ndërsa në vitin 2023, janë shqiptuar 24,700 gjoba, pra një rritje prej 11.8%”, ka deklaruar Mrasori, duke shtuar se gjendja e sigurisë ka qenë e qetë edhe në dy muajt e parë të vitit 2025.

Në këtë takim, pjesëmarrësit janë informuar edhe rreth mbarëvajtjes së procesit të deritanishëm të vendosjes së kamerave të sigurisë si dhe janë dhënë sugjerime nga anëtarët e KKSB-së për organet gjegjëse. /Telegrafi/

Më Shumë

Dy burra e mbyllin një tjetër në një kafiteri të Suharekës dhe e godasin me grushte

Dy burra janë arrestuar në Suharekë pasi e kishin privuar nga liria kundërligjshëm një tjetër duke e mbajtur në një kafiteri. Aty atë e sulmuan...

Komuna e Prizrenit ndërhyn për pastrimin e mbeturinave në lagjen “Jeta e Re”

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit ka ndërmarrë veprime për pastrimin e mbeturinave përgjatë rrugës “Tahir Gashi” në lagjen “Jeta e Re”,...

Lajmet e Fundit