6.9 C
Prizren
E enjte, 20 Mars, 2025

Jep dorëheqje dekani i Fakultetit të Filologjisë së UPZ-së

Dekani i Fakultetit të Filologjisë së Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Dr. Xhafer Beqiraj, ka dhënë dorëheqje nga posti ku ishte zgjedhur. Lajmin e dorëheqjes e ka bërë të ditur vetë ai, me anë të një letre publike.

“Dëshiroj t’ju informoj për vendimin tim për dorëheqje të parevokueshme nga pozita e dekanit të Fakultetit të Filologjisë – UUHP, me dorëzimin e detyrës më 20 prill 2025”, njofton Beqiraj, shkruan “PrizrenPress”.

Ai tregon për arsyet që e kanë shtyrë të largohet nga posti që e mbante.

“Ky vendim ka ardhur pas një periudhe reflektimi të thellë dhe është diktuar nga disa rrethana që e kanë vështirësuar vijimin e mëtejshëm të angazhimit tim në këtë pozitë. Aspekti shëndetësor, së bashku me sfida të tjera që kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punës dhe në pamundësinë për ta ushtruar këtë funksion me efikasitetin dhe përkushtimin e kërkuar edhe më tutje, më kanë shtyrë drejt këtij vendimi”.

Dekani Beqiraj tha se përgjegjësia e udhëheqjes akademike dhe institucionale kërkon jo vetëm angazhim maksimal personal, “por edhe një mjedis mbështetës dhe bashkëpunues, të domosdoshëm për realizimin e misionit dhe të vizionit akademik dhe të zhvillimit institucional, të cilat, fatkeqësisht, kanë munguar”.

“Duke qenë se rrethanat aktuale nuk më mundësojnë të kontribuoj edhe më tutje në përputhje me pritshmëritë dhe standardet që kam vendosur për këtë rol, kam vlerësuar se tërheqja nga kjo detyrë është alternativa më e përshtatshme dhe më e ndershme ndaj institucionit dhe vetvetes”.

Ai tregon se deri më 20 prill 2025 do të mbetet i përkushtuar për të përmbushur përgjegjësitë dhe për të bashkëpunuar në kalimin e detyrave te pasardhësi.

“Ky vendim është marrë me përgjegjësi të plotë, duke pasur parasysh nevojën për një periudhë të mjaftueshme tranzicioni, e cila do t’i mundësojë menaxhmentit të Universitetit të ndërmarrë hapat e nevojshëm për zëvendësimin e kësaj pozite dhe do të sigurojë që kolegu/kolegia, që do ta marrë drejtimin e Fakultetit, ta pranojë atë në mënyrë të natyrshme dhe pa pengesa”.

“Për mua ka qenë mision, përgjegjësi, privilegj dhe njëherazi sfidë të udhëheq Fakultetin e Filologjisë, ku gjatë këtyre viteve janë bërë ndryshime të rëndësishme. Kam dhënë kontributin tim aq sa kam mundur dhe ditur, dhe nëse do të kisha pasur më shumë përkrahje, besoj dhe jam i bindur se do të kisha arritur edhe më shumë, duke e çuar mandatin deri në fund. Megjithatë, ndihem i lumtur dhe krenar për atë që është realizuar deri më tani”.

“Gjithashtu, mbetem i përkushtuar që procesi i dorëzimit të detyrës të zhvillohet në përputhje me të gjitha procedurat dhe parimet institucionale, duke besuar se respektimi i këtyre standardeve është thelbësor për funksionimin dhe integritetin e Fakultetit të Filologjisë dhe të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”.

“Ndryshimi është pjesë e pashmangshme e çdo institucioni dhe, kur shoqërohet me reflektim dhe integritet, ai mund të shërbejë si një mundësi për rritje dhe përmirësim. Largimi nga një pozitë nuk duhet parë si fundi i një angazhimi, por si një hap drejt fazave të reja të kontributit dhe zhvillimit. Me besim në potencialin dhe përkushtimin e kolegëve të Fakultetit të Filologjisë, jam i bindur se ky institucion do të vazhdojë të ecë përpara, duke e forcuar më tej misionin e tij akademik dhe shkencor”.

Dekani Beqiraj tregon se gjatë mandatit ka pasur mision të kontribuojë në zhvillimin e Fakultetit të Filologjisë dhe UUHP-së në disa drejtime kyçe.

Ndër arritjet më të rëndësishme veçon:

Riakreditimin për pesë vjet të programeve të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe të Gjuhës Gjermane;

Nismën për hapjen e programeve për studimet master;

Forcimin e bashkëpunimeve akademike përmes ligjëratave të profesorëve të shquar nga vendi dhe jashtë tij;

Mbështetjen e mobilitetit të stafit akademik;

Organizimin e përurimeve të veprave shkencore dhe të manifestimit tradicional “Drita e Gonxhes”, ITSH-së, Shkup;

Iniciativën dhe kontributin kyç për të sjellë dhe për të nderuar Prof. Dr. Oliver Schmittin;

Mbështetjen e botimit të numrit të parë të revistës studentore “Fjala”;

Kalendarin e aktiviteteve vjetore të Fakultetit të Filologjisë;

Nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucione arsimore e kërkimore, duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik;

Përpjekjet e përbashkëta me menaxhmentin e Universitetit për të krijuar kushte sa më të mira për mësimdhënësit dhe studentët;

Angazhimin për ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie, së bashku me të gjithë akterët e tjerë;

Përkrahjen dhe mbështetjen e studentëve në çdo aspekt;

Përkrahjen për çdo iniciativë të secilit koleg/e;

Tolerancë edhe kur jam sabotuar e bojkotuar.


s

 

Më Shumë

Hajnat vjedhin para, ari dhe armë në një shtëpi në Prizren

Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të vjedhjes që ka ndodhur ditën e mërkure në Prizren.   Në njoftim thuhet se persona të panjohur...

Pse e urrej Hashim Thaçin!

Nga Nasim Haradinaj* Të urrej, sepse atëherë s’kisha guxim. Ti më turpërove atëherë kur more pushkën dhe dole në mal , ti e deshte lirinë me...

Lajmet e Fundit