11.5 C
Prizren
E enjte, 12 Mars, 2026

Kastrioti i jep fund serisë së fitoreve të Rahovecit

Kastrioti i ka dhënë fund serisë së fitoreve të Rahovecit në Superligën e Kosovës në hendboll.
Të shtunën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, derbi i xhiros së 25-të përfundoi baras, 31:31.

Rahoveci kishte 24 fitore rresht dhe për herë të parë lëshoi pikë këtë edicion. Udhëheq në tabelë me 49 pikë. Kastrioti është i dyti me 39 pikë.
Ndeshja në Rahovec ishte shumë e fortë dhe shumë interesante, përcjell PrizrenPress.

Në pjesën e parë fillimisht në epërsi të lehtë ishte Kastrioti e më pas Rahoveci. Por në fund të 30 minutave rezultati u barazua në 16:16. Pjesën e dytë ferizajasit e nisën pozitivisht. Krijuan epërsi prej dy golash, ndërsa ‘vreshtarët” ia dolën vetëm të barazojnë. Në minutën e 49-të epërsia e Kastriotit ishte katër gola, 27:23. Në minutën e 54-t rezultati u barazua në 28:28. Kastrioti shënoi për 29:28, Rahoveci barazoi në 29:29. Më pas Kastrioti shënoi për 30:29 e vendasit barazuan. Kastrioti shënoi edhe për 31:30, ndërsa në minutën e 59-të Ardit Tafilaj barazoi në 31:31.

Aksionin e fundit nuk e realizoi Kastrioti, por as në anën tjetër nuk shënoi Rahoveci. Dhe ndeshja përfundoi baras.

Para golit të Tafilajt, Egzon Gjuka i shënoi pesë gola rresht për vendasit. Rron Ramadani i shënoi dy golat e fundit për mysafirët.

Deniz Terziqi ishte më efikasi te Kastrioti me tetë gola. Nga pesë i shënuan Lulzim Shabani e Ramadani, ndërsa nga katër i kishin Yassine Henahen e Vlerson Zherka. Me lojë shumë të mirë u dallua portieri Wadi Chebbi.

Egzon Gjuka i realizoi nëntë gola për Rahovecin. Katër i shënoi Jon Muqolli e nga tri Alban Haziri, Arbios Mushkolaj e Mali Luzha.

Të shtunën u luajtën edhe dy ndeshjet tjera të xhiros së 25-të. Besa Famgas fitoi ndaj Trepçës me rezultat 42:19. Jon Vokshi udhëhoqi pejanët me 16 gola. Nëntë i realizoi Balsha Çejoviq. Ermir Smaka ishte më efikasi te Trepça me shtatë gola.

Besa Famgas është e treta me 38 pikë. Trepça është e gjashta me 12 pikë.

Prishtina fitoi 39:38 ndaj Vushtrrisë. Oltion Beshiri i shënoi 12 gola për Prishtinën. 15 gola për Vushtrrinë i kishte Egzon Ademi.

Prishtina është e katërta me 25 pikë. Vushtrria renditet e pesta me 16 pikë./PrizrenPress.com

Më Shumë

Liria falënderon Prizrenin për mbështetjen masive

FC Liria ka falënderuar qytetarët e Prizrenit dhe tifozët për përkrahjen e jashtëzakonshme në ndeshjen e fundit, ku stadiumi ishte i mbushur me mbi...

Arrestohet një person në Prizren, ishte në kërkim për vrasje të rëndë nga viti 2014

Policia ka arrestuar në Prizren një nga personat më të kërkuar nga drejtësia kosovare, A. P., i dyshuar për vrasjen e rëndë të H....

Lajmet e Fundit