12.8 C
Prizren
E shtunë, 9 Maj, 2026

27 vjet nga dalja e parë publike e UÇK-së në Drenoc të Rahovecit

Sot shënohen 27 vjet nga dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Drenoc të Rahovecit, një nga ngjarjet kyçe që shënoi fillimin e organizimit të armatosur për lirinë e Kosovës.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përkujtoi rëndësinë historike të kësaj date, duke theksuar se Drenoci ishte pikënisja e UÇK-së për Zonën Operative të Pashtrikut, prej ku dolën shumë heronj e dëshmorë të cilët sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës.

Latifi rikujtoi gjithashtu se kushtrimit të lirisë nga Drenica e Adem Jasharit, Ahmet Delisë dhe Shaban Polluzhës iu përgjigjën edhe djemtë e Haradinajve të Gllogjanit dhe Dukagjinit më 24 mars 1998, ndërsa më 26 prill, Drenoci u bë skena e bashkimit të forcave të Anadrinisë me Ushtrinë Çlirimtare.

“Jehonës së pushkës së Mensur Zyberajt, vëllezërve Bedrush e Feim Gashi, Milaim Krasniqit, Ilmi Morinës, dhe shumë të tjerëve nga Rahoveci dhe Anadrini, iu bashkuan mijëra të rinj e të reja duke i vënë gjokset në mbrojtje të atdheut”, u shpreh Latifi.

Ai theksoi gjithashtu se në Drenoc u projektua marrëveshja për bashkimin e potencialeve njerëzore dhe luftarake ndërmjet UÇK-së dhe LKÇK-së, duke përmendur kontributin e Sabit Gashit dhe heroit të kombit, Fehmi Lladrovci.

“Përkundër pabarazisë së madhe me armikun, kulmoi guximi ynë për të luftuar dhe sakrifikuar për një jetë më të dinjitetshme në liri. Lufta jonë mori përmasa kombëtare, sepse shqiptarët ndiejnë të njëjtën dashuri për atdheun, kudo që jetojnë”, theksoi më tej kryetari i Rahovecit.

Sipas tij, dalja publike e UÇK-së më 26 prill 1998 dhe beteja e parë frontale e fituar në Anadrini më 12 maj, i dhanë luftës një tjetër dimension, duke shënuar kthesën e madhe drejt çlirimit.

“Toka ‘u stolis me varre’, por nga ai gjak mbinë filizat e shpresës që sot po japin frutat e ëmbla të lirisë që po i shijojmë”, u shpreh Latifi, duke përfunduar se ngjarje si kjo na bëjnë të ndihemi krenarë që i takuam asaj epoke të lavdishme, që ndryshoi historinë shqiptare dhe hartën politike të botës.

“I paharruar për jetë e mot, 26 prilli i vitit 1998! Lavdi dhe nderime përjetësisht heronjve, dëshmorëve dhe martirëve”, përfundoi mesazhin e tij kryetari i Rahovecit./PrizrenPress.com

Më Shumë

Përkujtohet heroi Pal Paluca në Prizren

Në Ditën e Dëshmorëve, në varrezat e dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit janë bërë homazhe për të nderuar sakrificën e të rënëve për liri,...

Haxhi Avdyli: Vjosa Osmani e ka bërë kryeministër Albin Kurtin

Ish-deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka folur sërish për procesin e zgjedhjes së presidentit, gjatë një paraqitjeje në emisionin “DPT...

Lajmet e Fundit