Pas çdo krize vjen metanoja – thonë vetëngushëllueshëm optimistët. Para çdo katarsisi rendin e kanë kaosi dhe paranoja – është i bindur pesimisti. Dhe i fundit ka të drejtë. Robëria e gjatë dhe lufta nuk lënë pas vete parajsën ku interiori është vetë kulmi estetik, por atë gjendje që hebrenjtë e quanin Tohuwabohu: bosh dhe shkretë! Gati të gjitha filozofitë e para, pikërisht nga krateri i këtij vakumi imagjinonin lindjen e zotërave dhe humanitetit.
Hesiodi (700 para e.s.) në Teogonie-në e tij po nga aorta e kaosit shpiku Gajan (perëndeshën e Tokës), Niks-in (zotin e natës dhe errësirës), Erebosin (zotin e errësisës së nëntokës), Tartar-in (bosin e nëntokës) dhe në fund Eros-in (zotin e dashurisë). Po analizuam kujdesshëm hierarkinë, kronologjinë e linjdes së figurave të Hesiodit, vërejmë se toka na del si megamateria statike, e paradhënë, ku ushtrojnë pushtetin kryesisht Niksi, Erebosi dhe Tartari që përkthyeshën në fjalorin e sotëm do t’i pagëzonim në tiranë, terroristë dhe mafiozë. Erosi si finalitet ende askund nuk ka mbërritur. Me shqiptarët, hëpërhë as takim nuk ka paralajmëruar.
Karakteret sunduese, dominuese në kohë kaosi më bukur megjithatë i gjejmë të përshkruar në letërsinë e modernës dhe pasmodernës. Kjo për arsye se nuk kemi aq distancë të madhe si me Hesiodin dhe se gjatë përfoljes së karaktereve identifikohen shumë më lehtë homologët e tyre sot.
PERSONELI
Në mungesë të shtegut, kuptimit, jetës së papërballueshme në apati, njeriu kërkon dhe rëndom, në stacionin e parë përballet me Tartufin e Molière-it (Tartuffe ou L’Imposteur, 1664), atë hipokritin reliogjioz që i premton Orgonit të përhumbur parajsën përtej kozmosit të çorientuar, me të vetmin qëllim që t’ia pushtojë shtëpinë dhe t’ia marrë vajzën për grua. Orgoni i përhumbur humb edhe më thellë, duke ia shtuar jo vetëm vetes por mbarë familjes kaosin.
Tartufi nuk është shpëtimtari por kryekaoti vetë. I dëshpëruar, i traumatizuar nga lufta dhe humbjet, për të mbijetuar Orgoni bëhet Manolescu real, ai që i dhuroi shkrimtarit gjerman Thomas Mann brumin për ta shkruar romanin e tij të pambaruar „Rrëfimet e mashtruesit Felix Krull“ (1905). Ky dandi, snob me tapi do që me çdo kusht të ngjitet majave të shoqërisë. Nuk dorëzohet as atëherë kur tek kroati dhe krimineli i parruar Stanko – i cili e mëson se si të fusë në treg arin e vjedhur nga Madame Houpflé për t’u bërë i pasur shpejt e shpejt – sheh veten në pasqyrë.
Që në çastin kur Felix-i mund të ftojë „elitën“ e shoqërisë në party, ai vesh uniformën e dukës së Otrantos, shkëlqesisë së tij Joseph Fouché, i cili ecën mbi kufoma, pa ndërgjegje dhe stoik rri ministër në çdo qeveri të mundshme; gjatë Revolucionit Francez, në kohën e perandorisë dhe gjatë restaurimit, ai të cilit Stefan Zweig ia bëri monumentin me monografinë „Joseph Fouché, portreti i një njeriu politik (1929). Biografinë e të birit të Fushé-së, i cili është rritur pa kujdesin minimal të babait të korruptuar nga ideali i pushtetit dhe që ka emigruarar në SHBA, e gjejmë në romanin „American Psycho“ të Bret Easton Ellis-it. 27 vjeçari është bërë bankier.
Wallstreet-Yuppie me emër të ndryshuar – që mos e identifikojnë se bir i kujt është – në Patrick Bateman jeton në banesa superluksoze, shikon gjithë natën filma dhe vërdallet klubeve më të shtrejnta ku organizohen Koks-Party dhe orgji. Askush mirëpo nuk e di se i njëjti bën jetë të dyfishtë. I rritur me ndjenjën e të përjashtuarit, i kaotizuar edhe më me drogë, luks dhe perversion kuptimin e ekzistencës së tij Bateman e gjen duke dhunuar dhe mbytur gra natën.
ASOCIACIONE
Faza e transicionit në shoqëritë shqiptare duket sikur të jetë e dominuar nga karakteret si këto që i përshkruam më lart. Karaktere të tilla domosdo se ka edhe në shoqëri tjera. Dallimi mundëson dy grupe: në njërin grup të shoqërive psikot e llojit gjenden burgjeve ose para proceseve gjyqësore, në grupin e dytë ato janë pushteti, funksionojnë si primatë „civilë“apo oligarkë.
Problemet, krizat dhe polemikat e kohëve të fundit i japin të gjitha argumentet e nevojshme për të pranuar pa dëshirë se shoqëria kosovare vazhdon të gjendet në kaos, nën sundimin e atyre figurave të Hesiodit dhe tjerëve. Debati mbi religjionet, identitetin, universitetin, udbashët, patriotët, enveristët, titistët, kaotët, studentët, korrupsionin ia nxori masës parasysh një rrjet njerëzish në politikë, në ekonomi, në media dhe në arsim një rrjet njerëzish që vetëm në kaos mund të jetojnë të tillë.
VARKA E KARONIT
Protestat e studentëve, – nëse jo të instrumentalizuara nga jostudentë dhe vetë kaotë të dëshmuar -, egërsimi i mediave kundra korrupsionit, pjesëmarrja aq masive e njerëzve në polemikat publike dhe zgjedhjet e fundit dëshmuan dhe sinjalizojnë për çdo ditë se masa është duke duruar në grahmë po si ai Karoni flokëthinjur në mitologjinë antike, që priste të bartte me varkë, për një obulus (denar) përtej lumit Akeron kufomat për në mbretërinë e Hadit.
Në Kosovë njerëzit të lënë përshtypje sikur të jenë zgjuar dhe vetëm presin t’iu vdesin „zotërat“ e tyre të errësirës dhe nëntokës për të filluar ta rendisin jetën e tyre siç kërkojnë. Mungon vetëm metanoja (shpëlarja nga mëkatet nëpërmjet pendimit si kusht për një jetë të re), sepse pa këtë të fundit nuk ikën paranoja. E kjo e fundit është e të gjithëve. Këtë kusht e ka vënë Erosi para se të premtojë takim me shqiptarë. Se si t’i iket kaosit duhet të tregojnë të urtët. Se si të hyhet në kozmosin e të denjëve veçse na kanë mësuar. Dhe vetëm pas këtij procesi mund të paralajmërohet Karoni t’i bëjë gati varkat.