Hedhja e mbeturinave vend e pa vend ka kohë që është shndërruar në shqetësim serioz për banorët e Malishevës. Problem në vete paraqesin mbeturinat inerte, hedhja e të cilave tashmë ka krijuar të ashtuquajtura “pika të zeza”, pavarësisht aksioneve të pastrimit, ku nuk mungon pjesëmarrja e banorëve të kësaj ane.
“Më së shumti hedhin mbeturina inerte. Ndoshta do t’ju rastisë ta shihni këtë rrugën që kalon për Llapqevë, që vjen nga Ujëvarat e Mirushës. Gjithandej ka kova plastike, si dhe firmat që punojnë, e marrin fitimin për vete, ndërsa materialet i hedhin në rrugë”, tha Mejdin Rexha, banor i Ponorcit.

Ndonëse iniciativat për pastrim nuk mungojnë, hedhja e mbeturinave mbetet problem serioz. Lidhur me këtë gjendje, Komuna e Malishevës ka caktuar lokacione për grumbullimin e mbeturinave të ndërtimtarisë. Njëra ndër kryesoret është ajo në Banjë.
“Kemi kërkuar mbështetje edhe nga kryetarët e bashkësive lokale, të cilët kanë bërë një informim mjaft të saktë. I kemi informuar edhe për gjobat që do t’i presin përmes inspektoratit. Ne jo vetëm këtë muaj, por do të jemi të angazhuar dhe do të këmbëngulim edhe në 11 muajt e tjerë, si dhe në vitet në vijim, për të mbrojtur ambientin”, tha për RTK, Vesel Krasniqi, nënkryetar i Komunës së Malishevës.
Inspektorati komunal, me caktimin e pikave grumbulluese për mbeturinat inerte, fillimisht synon disiplinimin vullnetar të qytetarëve për hedhjen e mbeturinave në vendet e përcaktuara, ndërsa më pas të gjithë ata që nuk e respektojnë këtë vendim do të ndëshkohen.
“Kemi filluar një fushatë vetëdijësuese, që fillimisht qytetarëve të Malishevës t’u japim orientimin e saktë për vendet e caktuara të hedhjes së mbeturinave, si dhe të rrisim vetëdijen lidhur me hedhjen e tyre. Veçanërisht, si hap i parë nuk do të jetë aspekti ndëshkues, por ai vetëdijësues. Pas kësaj faze, si dhe pas pastrimit që do të bëhet gjatë këtyre ditëve, do të ndërmerren edhe masa ndëshkuese”, tha Jakup Gashi, drejtor i Inspektoratit – Malishevë
Në Malishevë është krijuar një task-forcë me qëllim që fillimisht të pastrohet i gjithë territori. Numri i inspektorëve, në raport me popullatën, ndonëse nuk është i mjaftueshëm, Inspektorati i Malishevës llogarit në mbështetjen e qytetarëve dhe të Policisë së Kosovës për të ndëshkuar të gjithë ata që e ndotin natyrën. Deri më tani, gjoba mandatore në këtë komunë ka qenë deri në 250 euro, bëjnë të ditur zyrtarët komunalë./rtk
Marketing
Zbuloni materialet më të mira të tekstilit luksoz – Vizitoni pikat e Fa&Be Tex në Prizren!
Shiten banesa moderne në lagjen “Tranzit i Ri” të Prizrenit – mundësi pagese me këste
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
