Një i ri në Prizren është ndëshkuar nga Policia e Kosovës pasi është identifikuar përmes një videoje të publikuar në rrjete sociale, ku shihej duke drejtuar automjetin me shpejtësi të lartë në zonë të kufizuar.
Fillimisht, në rrjete sociale është publikuar një video ku shihet një i ri duke drejtuar automjetin me shpejtësi të rrezikshme në zonë të kufizuar 50 km/h, konkretisht duke drejtuar automjetin në rrugën Gjonaj–Krajk të Prizrenit.

Pas publikimit të videos, policia ka kryer verifikime në databazën policore përmes Stacionit Policor në Prizren dhe ka arritur të identifikojë drejtuesin e automjetit dhe pronarin e tij. Sipas njoftimit të policisë, kundërvajtja është kryer më datë 08.10.2025, ku shoferi ka tejkaluar shpejtësinë deri në 178 km/h në zonën e kufizuar 50 km/h.
“Ndaj tij janë marrë masat ligjore: gjoba prej 500 euro, masë mbrojtëse, konfiskim i patentë shoferit për 12 muaj (1 vit), 5 pikë negative në patentë shofer”, njofton PK-ja.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët dhe apelon tek drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e komunikacionit, duke shmangur sjelljet e rrezikshme që rrezikojnë jetën e tyre dhe të tjerëve./PrizrenPress.com/
Marketing
