Shtabi Komunal për Menaxhimin e Situatës me Ethet Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK) ka vlerësuar se gjendja në Komunën e Malishevës mbetet e qetë dhe nën kontroll të plotë.
Takimi i radhës i shtabit u drejtua nga kryesuesi Amrush Helshani, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi, ndërsa anëtarët raportuan për aktivitetet e realizuara në kuadër të masave parandaluese.

“Gjatë takimit u diskutua për fushatat e vetëdijesimit të qytetarëve, trajtimin e rasteve të thumbimeve, procesin e dezinsektimit, si dhe repelimin e kafshëve, të cilat janë masa të parapara në Strategjinë Kombëtare për Luftimin dhe Parandalimin e EHKK-së”, thuhet në njoftim.
Sipas të dhënave të prezantuara në takim, situata aktuale vlerësohet e menaxhueshme dhe nën kontroll të plotë.
“Deri më tani, në Komunën e Malishevës nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me Ethet Hemorragjike Krime-Kongo”, thuhet në njoftimin e komunës./PrizrenPress.com/
