Në Gjykatën Themelore të Prizrenit të martën ishte planifikuar mbajtja e seancës për rastin e rrëmbimit të Gentian Shkrelit, të birit të pronarit të restoranit “Beska” në qendër të qytetit, për lirimin e të cilit familja kishte dhënë 100 mijë euro.Kjo seancë u shty, meqë mungonin dy avokatët, Durmish Koqinaj dhe Bashkim Nevzati, njëri i shtrirë në spital për shkaqe shëndetësore dhe tjetri i ftuar siç u tha në një rast shumë specifik nga Prokuroria Speciale e Kosovës
Kryetari i Trupit Gjykues Xhevdet Elshani, njoftoi palët se prova që ishte planifikuar të administrohej ditën e martë rreth identifikimit të zërit të rrëmbyesve, nuk kishte ardhur akoma nga forenzika e shtetit austriak.
Në mungesë të kësaj ekspertize, si dhe në mungesë të dy avokatëve, trupi gjykues vendosi që ta shtyjë gjykimin.
Selam Shoshaj, Bashkim Krasniqi, Besim Paçarizi, Beqir Dangallaj, Fatmire Rexhbeqaj, Shukri Krasniqi dhe Leonard Veshalli, akuzohen se më 14 shtator të vitit 2011, në bashkëkryerje kanë rrëmbyer të birin e biznesmenit Mërgim Shkreli, Gentianin, i cili ditën kritike ishte duke e përcjellë të dashurën e tij për në banesë.
Gentiani ishte rrëmbyer me një makinë “pick-up” dhe ishte mbajtur nga 14 deri më 19 shtator 2011 në një shtëpi të djegur nën kalanë e Prizrenit.
Të akuzuarit për lirim i kërkuan babait të Gentianit 100 000 euro. Mërgim Shkreli ia dërgoi shumën e kërkuar një personi të maskuar, i cili i mori paratë dhe iku në drejtim të kalasë.
Pas kësaj, i rrëmbyeri u lirua.
Tre nga të akuzuarit janë punonjës të Policisë Rajonale në Prizren, tashmë të suspenduar.
Prokurori Sylë Hoxha, propozoi që në rast se ekspertiza e identifikimit të zërit nuk do të vijë edhe në muajin mars, atëherë të vazhdohet me procedimin e provave ekzistuese, ngase ky gjykim sipas tij ka zgjatur shumë.
Mendim të njëjtë shfaqi edhe Rrahman Kastrati, avokati i Besim Paçarizit.
“I mbrojturi im, nga ky rast është i suspenduar nga puna dhe çdo vazhdim i suspendimit të tij më tutje është një formë e sanksionit të vazhdueshëm ndaj tij dhe i mohohen të gjitha të drejtat. Gjykimi është duke zgjatur përafërsisht që dy vjet, hetimet kanë filluar nga viti 2011 dhe shihet se rasti është shumë i ndërlikuar”, tha ai
Gjykimi pritet të vazhdojë në muajt mars dhe prill./Gazeta Jeta në Kosovë/