15.4 C
Prizren
E enjte, 28 Gusht, 2025

Hasan Tahsini, botohen veprat e panjohura të Stambollit

Hoxha TahsinitVepra e Hoxha Hasan Tahsinit (1811-1881), këtij personaliteti të shquar shqiptar dhe njëkohësisht drejtues i shquar i Universitetit të Stambollit, në Shqipëri është ende e mangët.

Ndërkohë, bëmat e tij akademike dhe atdhetare janë të panumërta, siç janë edhe titujt e veprave shkencore që la të shkruara nëpër bibliotekat e Stambollit.

Patrioti me origjinë nga Ninati i Çamërisë (Sarandë), një rilindës i shquar, filozof, matematikan, gjuhëtar në fillimet e shekullit të 19-të drejtonte universitetin ndërkombëtar osman dhe universitetin e parë shqiptar në Stamboll. Hoxha Tahsini qe gjithashtu mësues i Abdylit, Naimit e Samiut,Jani Vretos, Ismail Qemalit etj.

Përsa i përket veprave që la pas, ka qenë trashëgimtarja e familjes Manushaqe Halili, e cila ka bërë dhjetëra udhëtime në Stamboll me iniciativën e saj, në kërkim të varrit, të shtëpisë ku jetoi dhe të librave që shkroi e botoi.

Stërmbesa e familjes Tahsini ka fotokopjuar në bibliotekat e Stambollit veprat origjinale dhe duke takuar gjuhëtarë e studiues, ajo vendos që vepra e tij të botohet nga “Onufri”.
Një grup studiuesish, përkthyesish dhe redaktorësh kanë punuar që vepra tri vëllimëshe e Hoxha Hasan Tahsinit të vij nga turqishtja në gjuhën shqipe, shkruan shqiptarja.com.

Çfarë përmbajtje ka vepra e Hoxha Tahsinit
Vëllimi i parë i veprës së Hoxha Tahsinit shoqërohet me një vlerësim të Sami Frashërit, si dhe nga një vlerësim i studiuesit bashkëkohor Moikom Zeqo. Ndërkohë trashëgimtarja e familjes Tahsini, Manushaqe Halili ka shkruar parathënien me titullin “Hoxha Tahsini: Frymëzimi, krenaria dhe përkushtimi im”. Kapitujt kryesorë në vëllimin e parë me mbi 200 faqe janë: “Historia e qenies ose e krijimit”; “Sekretet e ujit dhe ajrit” dhe “Psikologjia”.

Vëllimi i dytë ka afërisht 350 faqe, dhe përmban lëndë të përkthyera nga dy numra të revistës “Mexhmua-I Ulum” (Revista shkencore), ku paraqesin interes “Rregullorja për botimet e zakonshme” dhe bisedat për problemet me shumë interes të kohës së tij, ku shumica janë aktuale edhe sot. Në këtë vëllim të bie ne sy tema “Përparimi i arsimit, historia, klasifikimi dhe frytet e shkencave”. Vëllimi i tretë me afro 300 faqe ka të botuar lëndën e disa numrave të revistës shkencore dhe vijon me “Historia e shkurtër e astronomisë”.

Me botimin e kësaj vepre trivëllimshe në shqip, autori Hoxha Hasan Tahsini, edhe pas më shumë se një shekulli i dhuron audiencës shqiptare teori të vështira, argumente dhe ide përparimtare të mendimit teorik dhe shkencor. Bashkë me veprën botohen edhe vlerësimet e Sami Frashërit, që ka shkruar se: “Hoxha Tahsini ishte nga ata njerëz të mëdhenj, që rrallë nxjerrin shekujt dhe epokat”.

Poeti i shquar turk, Abdul Hak Hamidi, ish-nxënës i tij, ka shkruar për Hoxha Tahsinin: “Ishte vëzhgues dhe shkencëtar shumë i ditur, ishte thesar i njohurive shkencore, ndoshta, një botë e tërë dijesh; ishte filozof, letrar, vjershëtar, i zoti t’i përgjigjej çdo pyetjeje…”.

 

Më Shumë

Policia gjen municion në Prizren, sekuestron 59 fishekë të AK-47

Njësia patrulluese e kufirit në Prizren ka gjetur një sasi municioni, në afërsi të kufirit. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, janë gjetur 59...

BiCredit tani edhe në Prizren, kredi për çdo nevojë!

BiCredit vazhdon të zgjerohet për t’ju shërbyer edhe më afër! Me shumë kënaqësi ju njoftojmë se kemi hapur pikën tonë të re në Prizren, për...

Lajmet e Fundit