“Kur dy shpirtra që kanë kërkuar njëri-tjetrin, sado gjatë të kenë ndenjur me turmën, e gjejnë më në fund njëri-tjetrin… Një bashkim i flaktë dhe i pastër, i tyre nis në tokë dhe vazhdon përgjithmonë në Parajsë. Ky bashkim është dashuri, dashuri e vërtetë, një fe që sfidon të dashuruarin, jeta e të cilit vjen nga përkushtimi dhe pasioni, për të cilat sakrificat më të mëdha janë kënaqësitë më të ëmbla. Kjo është dashuria që ti frymëzon brenda meje… Shpirti yt është bërë për t’u dashur me pastërtinë dhe pasionin e engjëjve, por ndoshta ai mund të dashurojë veç një engjëll tjetër e në këtë rast duhet të dridhem me mirëkuptim…”. Ishte mbrëmje e vitit 1821, kur një djalosh i ri francez, në dhomën e tij të mbushur me plot libra, i shkruante këtë letër, Adele Foucher, vajzës që jetonte vetëm disa metra larg apartamentit të tij. Sytë e saj ishin të zinj, ndërsa flokët e gjatë mbi supe. Viktor Hygo e sillte kaq herë në mendje imazhin e saj, teksa përpiqej të shkruante mbi letër. Vetëm Adele, ecja e saj në rrugët e mbushura plot erë të Parisit, i shfaqesh mbi letër. “Më duket se ajo çfarë ndiej nuk është tokësore. Ende nuk mund ta kuptoj këtë parajsë pa re…”, shkruan ai. Djaloshi i pashëm që kishte nisur të botonte shkrimet e para në revistat e kohës, ndihej më i sigurt t’ia shprehte dashurinë Adele-s përmes letrash. 200 letra ai i shkroi asaj, letra ku flet për padurimin e zemrës, librat që kishte dëshirë të shkruante, Francën, apo mendimin e kohës. Kjo vajzë që ecte lehtë dhe që i pëlqente leximi, do të kthehej në frymëzim për dhjetëra libra që ai shkroi më vonë. Por marrëdhënia e tyre nuk qe e lehtë që në fillim.
Dhe pse jeton shumë pranë njëri-tjetrit, pasi ishin komshinj, mamaja e Hygoit nuk ishte dakord për këtë lidhje. Ajo donte që i biri të martohej me një vajzë të shtresës më të lartë, të denjë për familjen Hygo. “Ti mund të bësh gjithçka me mua dhe nesër do jem i vdekur, nëse tingujt e ëmbël të zërit tënd, prekja e butë e buzëve të tua të adhuruara, nuk mjaftojnë për të sjellë sërish në jetë trupin tim. Me ç’ndjenja të ndryshme në krahasim me të djeshmet do të fle sonte! Dje, Adele nuk besoja më në dashurinë tënde. Ora e vdekjes do të kishte qenë e mirëpritur për mua. Dhe, sërish i thashë vetes: nëse është e vërtetë që ajo nuk më do, nëse asgjë e imja nuk e meriton bekimin e dashurisë së saj, pa të cilin jeta nuk ka më hijeshi, a është kjo arsye për të vdekur?
A ekzistoj unë për lumturinë time vetjake? Jo e gjithë ekzistenca ime i kushtohet asaj dhe pavarësisht nga ajo. E, me ç’të drejtë duhej të guxoja të fitoja dashurinë e saj? A jam unë, atëherë më shumë engjëll apo perëndi? E dua vërtet dhe jam gati të sakrifikoj gjithçka me kënaqësi për hir të saj, gjithçka edhe me shpresën që ajo të më dojë. Nuk ka përkushtim, që nuk do t’ia falja asaj për një buzëqeshje, për një shikim. Por, a do të mund të bëja ndryshe? A nuk është ajo qëllimi i vetëm i jetës sime?
Gjithçka që zemra e tij pulsoi për këtë grua, Hygo i përshkroi në letrat që ia shkroi çdo mbrëmje. Orët e para të takimeve me të, janë manuale dashurie, në rrëfimet e tij. “Pra, është e vërtetë që më dashuron Adele? Më thuaj, a mund të besoj këtë ide magjepsëse? A nuk mendoj se mund të përfundoj i çmendur nga gëzimi nëse do të mund të kaloj gjithë jetën time në këmbët e tua, i sigurt se do të adhurosh po aq sa të adhuroj unë ty? Ah, letra jote më ka rikthyer me lumturi paqen. Një mijë falënderime Adelë, engjëlli im i dashur! Nëse më dashuron mund ta lëshoj veten para teje si para një perëndeshe”, i shkruante ai. Adele dhe Viktor lidhën kurorë pas vdekjes së nënës së tij dhe patën 5 fëmijë. Zakoni i letrave vazhdoi dhe kur ajo ishte çdo mbrëmje përkrah tij. “Kisha menduar se kufiri më i skajshëm i përkushtimit tim do të ishte vetëm sakrifikimi i jetës sime; por ti, dashuria ime bujare, ishte gati të sakrifikoje edhe prehjen tënde të përjetshme. Ke pasur privilegjin të marrësh çdo dhuratë të natyrës ke edhe forcë edhe lot. Kalimi i menjëhershëm nga dorëzimi i trishtë në lumturinë e pafund, dukej se më mërziti.
Edhe pse tani jam pranë vetes, ndonjëherë dridhem nga frika se mos papritur zgjohem nga kjo ëndërr hyjnore. Ah, tani je e imja! Më në fund je e imja! Së shpejti pas pak muajsh ndoshta engjëlli im do të flejë në krahët e mi, do të zgjohet në krahët e mi e do të jetojë aty”, shkruante Hygo. Kur i duhej të udhëtonte larg shtëpisë, ai i dërgonte të puthura te flokët. Por kohët e arta të kësaj martese që Hygo e kishte ëndërruar aq shumë, do të veniteshin nga vitet. Vetëm dhjetë vjet më vonë Adelë, tashmë i kishte kaluar të 30-tat, do të dashurohet me kritikun dhe mikun e ngushtë të të shoqit Sainte-Beuve. Kjo lidhje do të linte gjurmë më pas te shkrimtari, i cili pas ndarjes me të shoqen nuk do të gjejë asnjëherë paqe në jetën sentimentale. Ai jeton një lidhje dashurie me aktoren Juliette Drouet. Për pesë vite ata udhëtuan bashkë në vende të ndryshme në Europë, të cilat e frymëzuan Hygoin për të shkruar. Ndryshe nga letrat për Adele, letrat drejtuar kësaj gruaje ishin më pasionante. Nga dashuria djaloshare, tashmë ai ishte një burrë që kërkonte më shumë te një grua. Dhe Juliette e dashuronte atë, për gjithçka që ai kishte. Biografët e Hygoit i shohin letrat e shkruara prej saj si një mënyrë për të kuptuar dhe filozofinë që udhëhoqi prozën e tij.
Por kjo lidhje nuk e pengoi Hygoin, të kishte lidhje të tjera dashurore. Leonie Biard është një tjetër grua, që ngacmoi zemrën e shkrimtarit. Lidhja e tyre është përfolur në Francën e atyre viteve, pasi të dy ishin të martuar. Alice Ozy ishte një tjetër pasion i madh i shkrimtarit. Çifti kishte gjetur përsosjen erotike në lidhjen e tyre.
Për disa vite ata takoheshin çdo javë me njëri-tjetrin. Lidhja u bë e pashmangshme për shkrimtarin, i cili gjente te kjo grua gjithë fantazitë e tij prej burri. Shkrimtari që ka lënë pas një kryevepër si “Të mjerët” ishte një burrë që gjithë jetën kërkoi dashurinë, atë çfarë humbi kur Adele iku përgjithmonë nga shtëpia që ndanin bashkë prej vitesh. Format që ai gjeti ishin të ndryshme dhe shpesh e lënduan, zhgënjyen, por ai nuk u dorëzua, as atëherë kur emri i tij përbënte problem për ligjet e kohës, që ndalonin lidhjet jashtëmartesore.
“Nëse gjithë ekzistenca ime nuk do të ishte e jotja, harmonia e qenies sime do të kishte humbur, dhe unë, me siguri do të kisha vdekur në mënyrë të pashmangshme”, i shkruante ai dikur, Adele/Alda Bardhyli/