Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj deklaratës së Arbër Vllahiut, këshilltar i lartë i presidentes Jahjaga, i cili ka thënë se Presidentja ka folur për Gjykatën Speciale pas bashkërendimit me institucionet e tjera, duke pyetur se me kë është konsultuar presidentja.
“Nëse është kështu si po thotë, këshilltari i Presidentes dhe unë po dua të besoj që kështu është, atëherë dikush është duke i mashtruar si ndërkombëtaret ashtu edhe opinionin publik vendor, pasi ne dy takime që kemi pasur me ndërkombëtaret, zyrtaret e lartë të Qeverisë kanë thënë se ‘për rastin e Gjykatës Speciale po dëgjojnë për herë të parë’. Atëherë me cilin institucion vendor është konsultuar Presidentja?”, ka pyetur Krasniqi përmes një postimin në Facebook.
“E theksoj, unë nuk kam kërkuar siç u tha në TV KK, që Presidentja të jetë kundër Gjykatës Speciale, por që të bisedoi me faktorin politik vendor dhe të marrin një vendim të përbashkët, pa e cekur se cili do të ishte ai vendim. Vendimi gjithsesi që duhet të jetë në favor të shtetit tonë, Republikës se Kosovës. Nuk kam kërkuar as më shumë e as më pak”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa lidhur me themelimin e Tribualit, Krasniqi ka thënë se “Deri më tani, nuk kam pasur mundësi ta formësoj qëndrimin, për shkak të mungesës se informacionit dhe kjo nuk është hera e parë që po e them. Në politikë me gjysmë informata e aq më pak me mashtrime akrobatike të servuara nga zyrtaret qeveritarë mund të formohet qëndrimi politik i vlefshëm për vendin”.
Reagimi i kryeparlamentarit vjen pas deklaratës së këshilltarit të lartë të presidentes, Arbër Vllahiu, i cili duke komentuar një deklaratë të presidentes Jahjaga, ka thënë se “Deklarimi është bërë pas bashkërendimit të çështjeve me institucionet e tjera”.
“Qeveria e Kosovës i ka diskutuar në tërësi çështjet rreth Gjykatës, ndërkohë që Zyra e Presidentes është mbajtur në dijeni për këtë çështje. Presidentja e Kosovës, siguron bashkërendimin institucional, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe gjithsesi në raste të këtilla edhe vazhdimësinë e veprimeve në raport me bashkësinë ndërkombëtare, marrë parasysh se letrat e mëhershme për misionin e BE-së janë dërguar nga Presidenti”, ka thënë Vllahiu.