13.8 C
Prizren
E premte, 20 Shtator, 2024

Dashuria: CLICHE apo INN?

Albatros Rexhaj2Shkruan: Albatros Rexhaj

Të flasësh për dashurinë dhe për nevojën që të jemi më të dashur e më të kujdesshëm me njëri-tjetrin rrezikon shpërfilljen. Do të të thonë: Të gjitha janë CLICHE! I kemi dëgjuar shumë herë dhe atë nga shumë e shumë të tjerë.
Kjo e fundit është shumë e vërtetë. Këto fjalë – më mirë thënë këto klithje – janë përsëritur shpesh dhe do të vazhdojnë të përsëriten, pothuajse si një refren që mësohet lehtë përmendësh dhe që pak kush i kushton rëndësi domethënies së fjalëve. I kanë thënë shumë mendimtarë, shenjtorë, poetë dhe janë shkruar në shumë libra. Por, pasi që janë kaq shumë të njohura, kaq shumë të përfolura e të shumë përsëritura, saqë janë bërë CLICHE, pse atëherë po i njëjti mesazh vazhdon të përsëritet në çdo kohë të re që vjen? Jam shumë i bindur se do të vazhdojnë të përsëriten deri në fund të kohës, sepse në thelb asgjë nuk do të ndryshojë. Dhe në këtë pikë qëndron problemi. Një gjë që është CLICHE do të duhej që të harrohej shpejt dhe të zëvendësohej me diçka të re, diçka më INN apo më CHIC.
D.m.th dikush gënjen.

Kanë gënjyer të gjithë ato breza, që nën thundrën e poshtër të skemave të ndryshme, vazhdimisht kanë klithur për një botë ndryshe, për një botë më të mirë, për një botë më me shumë dashuri, kujdes dhe më shumë ndjesi. Apo po gënjejnë ithtarët e asaj që shitet si INN dhe CHIC, të cilët dashurinë e shajnë si diçka CLICHE.

Në të vërtetë, shikuar nga pikëpamja e të dy palëve, askush nuk gënjen. Të parët kanë nevojë për dashuri dhe kujdes, ndërkaq të dytët rëndom janë shumë komod në rolin e tyre të persekutuesit të të parëve. Një grua apo vajzë, që kërkon dashuri dhe kujdes, e trajtojnë si budallaqe, ndërkaq një burrë apo djalë, që nuk ngurron të shprehë ndjenjat e veta, e përqeshin si qullac apo pederast, sepse bota e tyre fiton kuptim vetëm në persekutimin dhe përqeshjen e atyre që nuk pranojnë që jeta e tyre të përkufizohet në instinkt dhe argëtim të pakuptimtë.

Kjo do të thotë se në shoqërinë tonë ka diçka që nuk shkon dhe ka diçka që, përkundër të gjitha përpjekjeve, nuk përmirësohet. Njerëzit thjesht janë bërë imun ndaj të keqes dhe e kanë pranuar si pjesë të pandashme të jetës së tyre. Me fjalë të tjera, njerëzit kanë pranuar që jeta e tyre të ngjyroset GRI dhe që lumturia, dashuria dhe të tjera ndjesi, për të cilat ka nevojë shpirti ynë, të kuptohen vetëm si ëndrra të bukura. Diçka që ka mundur të ndodhë dikur moti, në kohën kur njeriu ende ishte njerëzor, apo që mund të ndodhin vetëm në libra dhe në filma. Kjo qasje është shumë e trishtë dhe e paraqet fillimin e fundit të njerëzores brenda nesh.

Dashuria dhe lumturia nuk janë ëndrra dhe të flasësh e të angazhohesh për to nuk është CLICHE. Përkundrazi është diçka themelore, është diçka që i jep kuptim të gjitha atyre gjërave që i ndiejmë dhe që i mendojmë, por që i mbajmë për vete dhe rrallë i ndajmë me dike tjetër. Në thelb kuptimi i fjalëve INN dhe CHIC është diçka që të bën të ndihesh mirë dhe të bën të lumtur. Çfarë të bën më shumë të lumtur sesa fuqia e dashurisë që shpërthen brenda nesh?

Dashuria mbi të gjitha është besim. Njeriu duhet të besojë në dashuri, duhet të besojë në fuqinë e saj për ta ndryshuar botën, sepse, sikur të mos ishin njerëzit që kanë besuar në dashuri dhe në të bukurën, ende do të vazhdonim të ishim në mesjetë dhe do të vazhdonim të besonim në besëtytni. Dhe të gjithë ata mendimtarë, artistë e iluministë, burra dhe gra që besuan në diçka ndryshe, nuk ishin qullac, pederast dhe budallaqe, por ishin njerëz të vetëdijshëm për njerëzoren brenda tyre. Ata nuk trajtuan asgjë që ishte CLICHE – edhe pse idetë mbi dashurinë dhe lumturinë datojnë që nga civilizimet më të vjetra – por trajtuan thelbin e asaj që i duhet njerëzimit.

Në fund, për të gjithë ata që do të gjejnë frymëzim në këtë shkrim, dua të ndaj me ju këto vargje – që janë një pjesëz e vogël nga libri im “Ditar dashurie i një shkrimtari” – dhe që besoj se i përshtaten shumë gjendjes shpirtërore të secilit që ngulmon të besoj në fuqinë e dashurisë.

Të besosh në dashuri, sot të quajnë ëndërrimtar,
Ta vlerësosh dhe ta kërkosh përkëdheljen,
Të shprehësh ndjenjat që ke në zemër,
Rrezikon të të përqeshin pas krahëve.
Njeriu që ende guxon të ëndërrojë, harron se është vetëm një dritë e vetmuar në kopshtin e madh përplot me ëndrra të shuara.
A thua, vallë, duhet të heqim dorë nga ëndrra jonë, vetëm e vetëm pse të tjerët i kanë vrarë të vetat?
Nëse nuk guxojmë ta vlerësojmë më të bukurën në zemër, atëherë ç’tjetër gjë e bukur mbetet për të jetuar?
Le të të quajnë ëndërrimtar!
Ëndërro, se jo të gjithë ata që marrin frymë me të vërtetë jetojnë!

Më Shumë

Arrestohet 40-vjeçari në Suharekë, dyshohet se vodhi biçikleta, motosharrë, trotinet e këpucë

Është arrestuar një person në fshatin Reqan të Suharekës, i cili dyshohet për pesë raste të vjedhjeve të gjerave të ndryshme nga shtëpitë e...

Lagjja “Vataj” në Astrazup nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e një parku

Sot është nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi për ndërtimin e parkut në lagjen Vataj të fshatit Astrazup. Marrëveshja u arrit mes Komunës së Malishevës, përkatësisht...

Lajmet e Fundit