11.8 C
Prizren
E premte, 18 Tetor, 2024

Mpuq!

Blerina Rogova - GaxhaShkruan: Blerina Rogova – Gaxha

Mos ia shaj bukurinë tjetrit, sepse ajo është nga zoti e nuk shahet nuri i Perëndisë! Nuk shahet as kur “zgërdhihet” në “selfie”, as kur rregullohet me photoshop.

Kur “kultura selfie” nisi të rritet, zërat nisën të thonë se ajo paraqet një masë kritike të egoizmit të njeriut, se është një formë që njerëzit po e përdorin “ta shfaqin vetveten”, dhe zëra që thonë se selfie është një “emblemë e erës së narcisizmit”.

Emblemë e kësaj ere është ana e errët e rrjeteve sociale. Mania selfiste rrëfen për kultin e vetvetes, e bukur kjo, po të mendosh për luftën e njeriut në histori dhe luftën e të tjerëve për mohimin e tij, derisa nuk rrëshqet në njeriun/shoqërinë e kapur nga simbolet, në pikën e narcisizmit, në pasqyrën ku vetëm ana jonë më e bukur i prezantohet botës. Ose, ose edhe deri te seksualiteti eksplicit dhe rënia në porno-kulturë.

Nga “Dandy” i Bodlerit, “Narcizi” i Koliqit e autoportretet e Ginsbergut, te kojshikja, te filani, te fara e te fisi, që edhe nga nevojtorja të çojnë të fala me një “selfie” dhe një mpuq! Kultura që ka përfshirë botën është OK përderisa është për veten, por kur bëhet vetëm për të tjerët, bëhet trishtuese.

Këso bukuri përrallore mund të shijosh edhe po të klikosh në faqen e zotit tonë kryeministër, dhe politikanit që nisi traditën e “selfie”-ve politike te ne. Botë shumëngjyrëshe, plot dritë, mirëqenie, gëzim, hare e përparim. Akoma edhe më të hareshme fjalët që ilustrojnë fotot dhe gjuha pothuaj asnjë gabim drejtshkrimor. “Unë jam mirë kur Shqypnia është mirë” paska pas cituar H. TH. fjalët e Isa Boletinit.

Edhe unë jam super mirë nëse Kosova është ajo që është në faqen e “Facebook”-ut të kryeministrit. “Ne të gjithë jemi krenarë për trashëgiminë tonë të pasur artizanale dhe të gjithë duhet të kontribuojmë në ruajtjen, kultivimin dhe nxitjen e saj…”, kështu tha H. TH. në FB, dhe unë gjithashtu do të doja fort që kjo të ishte e vërtetë. Por, si gjithnjë që ka një “por”… Nëse shefi do të kishte veshë për zejtarët apo të kishte përcjellë ndonjë diskutim rreth situatës së tyre, do të kish kuptuar se puna e artizanateve është në zgripin e mbijetesës. Por, shefi i shtetit shkon përtej, dhe jep një ide gjeniale për promovimin e trashëgimisë kosovare në botë: Bashkatdhetarët që rrojnë në diasporë, t’i blejnë e më pas t’i promovojnë në vendet ku jetojnë. Mpuq! E me kaq problemi zgjidhet.

Kur promovoi databazën e trashëgimisë kulturore, shefi tha se ajo “do të shërbejë për të përmirësuar administrimin, restaurimin dhe promovimin e saj”. Krejt në rregull, megjithëse pak si vonë. Sërish “por”… por trashëgimia, si një ndër asetet më të rëndësishme të kulturës, është e therur. Nga rrënimi i trashëgimisë arkitekturore me normën “rrëno të vjetrën, ndërto të renë”, mosinvestimin në trashëgiminë shpirtërore, mosinvestimin në hulumtimet arkeologjike, në hulumtimet shkencore deri te bisedimet që kurrë s’u bënë për vjedhjet nga shteti serb. Dhe njëmijë pengje të tjera. Mpuq! Kaq mjafton.

Kur Kosova shkoi në Venecia për të promovuar 100 vjet të arkitekturës së saj, shefi ia kishte bërë “share” shefit të Shqipërisë për foton e ditës, të realizuar në pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venecias. Artisti e hapi vetëm, derisa Ai vetë dhe e gjithë Ministria e Kulturës po merrej me zgjedhjet e 8 qershorit. Edhe k’të herë vetëm një mpuq!

Kur “The Guardian” shkroi për DokuFestin, shefi tha: “Një artikull shumë pozitiv për festivalin më simpatik të filmave dokumentarë në këtë pjesë të Evropës”. Por nënshefat e shefit, këtij festivali simpatik, kur i ndajnë lekët e kulturës i japin aq sa t’ia lagin buzët, pa e vënë në karar peshën e tij. Mpuq për simpatikun!

Lajmi më i mirë i mundshëm për Hashim Thaçin qe vendimi i Brukselit për t’ia dhënë statusin e kandidatit Shqipërisë. Unë jam mirë kur është mirë Kosova! Por ai nuk pyeti pse Kosova ende është vendi më i izoluar në Evropë. Nëse thyerja e kufijve do të shihej në horizont, ky do të ishte lajmi më i mirë i mundshëm. Dëshira e tij është legjitime, por kufijtë për ne nuk janë legjitimë.

As në ëndërr, tha shefi, “nuk e kam parë se faqja ime do të bëhet një forum aq aktiv dhe aq i madh i debateve. Mbi 200,000 njerëz janë në kontakt tani me mua nëpërmjet FB”.

Shefi tha se të jesh lider shteti është përgjegjësi personale e jo vetëm post publik. Nëse keni pyetje për 1 milion dollarë përdoreni aplikacionin “”Pyete Thaçin” për të fituar përgjigje nga unë – mpuq e keni! HTH”.

Kur Allen Ginsberg nisi kulturën Beat, gjysmëshekulli më parë, nisi edhe “lojën e mendjes” me “selfie”-t e tij. Poeti që pozoi lakuriq këmbëkryq u bë i pari mjeshtër i lojës. Mjeshtër sot mund të bëhen të gjithë, por mjeshtëria për të krijuar parajsën e quajtur Kosovë, është trishtuese dhe mision i pamundshëm për mentalitetin e shefit!

Këta janë narcisoidët e shekullit të ri, të cilëve iu prin kryeministri, për të cilin”gojëkëqijtë” po thonë se i është premtuar një rol filmi në Holliwood, për veten e tij mbase! Por deri atëherë, roli i H.TH. po luhet në “Facebook”!

Pa dashur, më kujtohet ajo storia e bariut me libra në dorë që vinte nga Broja. E bukur ishte, qoftë e rreme, qoftë e vërtetë. Dëm që selfie atëbotë nuk ishte në modë.

Më Shumë

Lajmet e Fundit