Se është ndër bukuritë e rralla të Kosovës, kjo nuk do diskutim. Por ky monument natyror është edhe ndër atraksionet turistike më të vizituara në vend. E kjo është Shpella e Gadimës, por që fatkeqësisht për disa kohë ishte e mbyllur për vizitorë si pasojë e uzurpimit nga persona të pa ndërgjegjshëm.
Mbikëqyrësi i kësaj shpelle, Valon Zymeri ka deklaruar për KultPlus se shpella tash e 79 ditë është hapur për vizitorë.
“Shpella e Gadimes ka filluar punën zyrtarisht me 26 maj 2014 që i bie 79 ditë pune deri me sot. Kjo shpellë deri më sot ka pasur 11.500 vizitorë. Ndryshimet e Shpellës nga viti i kaluar janë se vitin e kaluar por edhe vitet e mbas luftës Shpella e Gadimes ka qenë e uzurpuar nga persona të pandërgjegjshëm, ndërsa nga ky vit menaxhohet nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor – AMMK dhe se tashmë të gjitha të hyrat shkojnë në buxhetin e Kosovës, kurse në të kaluarën kanë shkuar në dorën e uzurpatorit. Kjo është e mira e gjithë kësaj” tha Zymeri.
Lidhur me çmimet e biletave hyrëse, Valoni tha se për të rritur nga mosha mbi 15 vjeç kushton 2euro. Për fëmijë nga mosha 7 vjeç deri në moshën 15 vjeç 1 euro kurse për grupe të organizuara – studentë, nxënës bileta kushton 0.50 cent. Ndërsa për personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nën moshën 6 vjeçare hyrja është falas.
“Ndryshimet nga banorët e Gadimes janë mirëpritur pasi që këto para shkojnë në buxhet të Kosovës dhe jo në duar të uzurpatorit, siç ka ndodhur më parë. Investime të reja në Shpellën e Gadimes do të ndodhin shumë shpejt. Jemi në negociata me Ambasadën Franceze, të cilët janë të interesuar që së pari të investojnë në rrjetin elektrik sepse ky rrjet është i vjetër që nga viti 1974 ! Kemi dhe investitorë të interesuar për bashkëpunime”, tregoi Zymeri.
Shpella e Gadimes gjendet në fshatin më të njëjtin emër në afërsi të Lipjanit. Ajo është e gjatë 1500 metra mirëpo për turistët është i mundshëm shikimi i vetëm 1300 metrave të para të shpellës, pasi që për pjesën tjetër të shpellës ende nuk janë të mundshme kalimet. Në Shpellë janë kati i mesëm që është për vizitorë , kati nënujor dhe kati i sipërm. Gjatë verës temperatura në brendi të shpellës është konstante 13 gradë celsius dhe gjatë dimrit 11-13 gradë.
Shpella e Gadimes është zbuluar nga një fshatar me emrin Ahmet Asllani i cili në oborrin e shtëpisë së vet gjatë punimit (thyerjes) së gurëve për ndërtimin e shtëpisë kishte hasur në një gropë të vogël në të cilën ka vërejtur disa pjesë të mermerta dhe ka lajmëruar organet kompetente në Lipjan.
Për datën në të cilën janë futur në aktet zyrtare këto shënime nuk dihet. Personat të interesuar për brendinë e shpellës dhe që si duket kanë provuar të hynë aty, kanë lajmëruar se edhe brendia e saj është po aq e bukur sikurse ajo që shohin turistët dhe ndoshta edhe më e bukur. Në shpellë si duket ka edhe disa dukuri tjera natyrore siç është liqeni madhësia e të cilit mund të jetë 15 deri 25 metra. Në këtë shpellë gjenden kristale të rralla ndërsa çdo centimetër i këtyre kristaleve rritet për 30,000 vjet dhe në bazë të kësaj është llogaritur se shpella është e vjetër rreth 80,000 vjet. Në shpellë gjenden shumë simbole të formuara nga këta kristale mes të cilave veçohen figurat në formë peshku, mjekra e Skënderbeut, gjarpri, Romeo e Zhuljeta etj./KultPlus.com