13.2 C
Prizren
E diel, 15 Mars, 2026

Blloku paralajmëron mundësinë e zëvendësimit të Brovines

Blloku VVZyrtarë nga partitë e bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje paralajmërojnë mundësinë e përsëritjes së skenarit të njëjtë me kryesuesen e seancës Flora Brovina.

Ata thonë se nëse ajo vazhdon me bllokimin e Kuvendit, do të zëvendësohet sikur në seancën e kaluar. Blloku kërkon që Kuvendi të mblidhet këtë javë, ndërsa paralajmëron mundësinë e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme. Analistët politikë nuk shohin zgjidhje, pa marrëveshje mes dy blloqeve

Blloku LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje po konsiderojnë se Flora Brovina si kryesuese e Kuvendit në bazë të moshës, po mban pozicion përkrahës ndaj PDK-së. Por, sipas tyre, kjo nuk do të zgjas përjetësisht. Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi thotë se do t’i gjendet zgjidhja kësaj bllokade.

“Është një proces i cili përjetësisht nuk do të zgjas, sepse do të organizohemi po ashtu bazuar në rregulloren e Kuvendit, në mënyrë që të kërkojmë që nëse në të ardhmen vazhdon rezistimi nga ana e kryesueses për të mos udhëhequr këtë seancë, e njëjta do të zëvendësohet siç parashihet në rregulloren e Kuvendit dhe ligjet në fuqi”, tha Kadaj-Bujupi për Radio Kosovën.

Por, se kur do të mbahet kjo seancë ende nuk dihet. Dardan Molliqaj nga Vetëvendosje nuk e përjashton mundësinë e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme.

“Ne nuk do të thërrasim seancë të jashtëzakonshme derisa Flora Brovina ta thërras seancën. Nëse zonja Brovina nuk e thërret seancën, do ta thërrasim ne seancën e jashtëzakonshme”, tha Molliqaj për Radio Kosovën.

Deputetja e AAK-së, Kadaj-Bujupi thotë se nuk ka kohë për të humbur për mbajtjen e kësaj seance.

“Konsiderojmë që kjo duhet të ndodhë brenda kësaj jave dhe sa më shpejtë”, tha Kadaj-Bujupi.

Cilido bllok që propozon kandidat për kryeparlamentar, për analistin Artan Muhaxhiri, çështja e kryeparlamentarit do të mbetet e pazgjidhur nëse nuk ka marrëveshje.

“Mund të ketë kandidime të pafundme të deputetëve, mirëpo nëse nuk ka marrëveshje, atëherë as kandidati i PDK-së, por as i LAN-it, nuk mund të zgjidhet”, tha Muhaxhiri.

Ndryshe, PDK-ja të cilës, Gjykata Kushtetuese ia ka njohur të drejtën e patransferueshme të kandidatit për kryeparlamentar, thotë se është e gatshme për të biseduar me partitë tjera, porse thekson se nuk bën kompromis mbi vullnetin e qytetarëve dhe mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më Shumë

Dy raste të vjedhjes në Prizren

Dy  raste të vjedhjes së rëndë janë raportuar në Prizren. Policia ka bërë të ditur se hetimet për të dy  rastet janë në vazhdim, përcjell...

Zhdukja e Alush Kastratit – operacion kërkimi me dronë, qen dhe vullnetarë

Vazhdon operacioni i kërkimit për personin e zhdukur në fshatin Zatriq – Rahovec Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, është duke...

Lajmet e Fundit