Zërat e LDK-së për Isën kryeministër, test për Bllokun

Isa-Ramushi-FatmiriMë shumë se tre muaj nga arritja e marrëveshjes LDK-AAK-Nisma ku posti i kryeministrit i ishte ndarë Ramush Haradinajt, në LDK ka filluar të ndryshojë mendimi për këtë marrëveshje.

Zyrtarë të LDK-së e shohin të nevojshëm ridizajnimin e marrëveshjes dhe bartjen e mandatit për kryeministër tek Isa Mustafa. Analistët politikë thonë se ky është test për partitë e Bllokut karshi kauzës së tyre për heqjen e PDK-së nga pushteti.

Zërat brenda LDK-së që kërkojnë që Isa Mustafa ta marrë postin e kryeministrit, nga analistët politikë shihen si një zë i arsyeshëm që përkon me realitetin që kanë nxjerrë zgjedhjet e 8 qershorit. Analisti Armend Muja thotë se është e natyrshme që në këtë drejtim zërat brenda LDK-së të rriten.

“Unë nuk e shoh këtë as si anomali as si përçarje, përkundrazi e shoh vetëm një përpjekje të elektoratit të LDK-së për të propozuar atë që në realitet i takon, sepse ka qenë mandati i sovranit në këtë rast”, ka theksuar për Radio Kosovën, Armend Muja.

Zyrtarë të LDK-së ditëve të fundit kanë shprehur qëndrime të ndryshme karshi marrëveshjes së Bllokut, duke kërkuar që për shkak të rrethanave kjo marrëveshje të ridizajnohet dhe posti i kryeministrit t’i jepet LDK-së.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është i nominuar i Bllokut për kryeministër, i ka konsideruar si ‘llafe të qarshisë’ deklaratat e tilla. Haradinaj këmbëngul që marrëveshja e Bllokut është serioze dhe se s’ka kujt t’ia dorëzojë kandidaturën për kryeministër.

“Nuk dimë kujt t’ia dorëzojmë, për shkak se ne kemi një marrëveshje edhe me Isa Mustafën, me LDK-në, edhe me Nismën, me Vetëvendosjen. Besomëni është një marrëveshje e qëndrueshme, serioze. Këto pyetjet e qarshisë, ne nuk i përfillim. Pra kemi të bëjmë me diçka shumë më serioze”, ka thënë Ramush Haradinaj.

Deklaratat që vijnë nga zyrtarët e LDK-së për ridizajnim të marrëveshjes, sipas analistit Armend Muja, nuk do të kalojnë pa ndonjë përçarje, por ai thotë se ky është një test sidomos për partitë e vogla të bllokut, që të tregojnë kredibilitetin e kauzës së tyre për ta hequr PDK-në nga pushteti.

“Nëse kauza ka rëndësi kryesore, atëherë unë besoj që këto rokadat administrative nuk do të duhej të çonin peshë. Po, si rëndom në aspektet politike, oportuniteti politik është i madh dhe unë besoj se gjithsesi kjo nuk do të shkojë pa disa përçarje të vogla në Bllok”, ka theksuar Muja.

Ndryshe, i pari që ka kërkuar ridizajnim të marrëveshjes së Bllokut, është Arben Gashi i cili thotë se kryeministri duhet t’i takojë LDK-së. Deklarata e tij, nuk ka kaluar pa efekt edhe tek disa zyrtarë të tjerë të kësaj partie, të cilët kanë shprehur mbështetje, qoftë për propozimin që Isa Mustafa të bëhet kryeministër, qoftë për të drejtën e Gashit për të shprehur mendimin e lirë, për të cilin ka pasur edhe kritika brenda LDK-së.

Më Shumë

Dragash: Dy persona ndalohen pasi hodhën marihuanë nga dritarja e veturës

Një rast i posedimit ilegal të narkotikëve është identifikuar në Dragash. Të dyshuarit kanë provuar që të hedhin sasinë e dyshuar narkotike nga dritarja...

Sot moti me diell dhe vranësira, temperaturat maksimale shkojnë deri në 30 gradë

Sot parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ndërsa në ndonjë rajon pritet të ketë rrebeshe të izoluara shiu, të shoqëruara me disa...

Parajsa në ty

Lajmet e Fundit