Fituesja e edicioni të dhjetë të çmimit “Muslim Mulliqi”, artistja Flaka Haliti, hapi të premten ekspozitën e saj të parë personale në Kosovë, të titulluar “Herën e fundit kur t’kam Google ty, je dukë ndryshe”, me kurator austriakun Marcus Miessen.
Ekspozita përmbante nota autobiografike, që kanë luajtur rol në zhvillimin e artistes në nivel lokal dhe ndërkombëtar. Ndryshe, shtatë veprat e prezantuara bëjnë pjesë në atë që quhet post-internet art, apo arti që reflekton ndryshimet shoqërore të shkaktuara nga përdorimi i gjerë i internetit, raporton KosovaLive.
Drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, gjatë hapjes së ekspozitës tha se përkundër faktit që vepra e Halitit merr zanafillë në Kosovë, gjatë procesit të përpunimit, ajo zbërthehet në tema gloale.
“Galeria Kombëtare ka kënaqësinë që pas gjitha sukseseve të Flaka Halitit dy viteve të fundit në skenën ndërkombëtare, që të ekspozojë në Galerinë Kombëtare, ku do të prezantojmë shtatë projekte të saj. Flaka Haliti nuk ishte vetëm fituese e edicionit të dhjetë të çmimit ‘Muslim Mulliqi’, por këto dy vite Flaka Haliti mori disa shpërblime, përfshirë këtu çmimin e Sallonit të Tetorit në Beograd dhe ai i Henkel në Austri”, tha Shkololli.
Ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri më 17 nëntor është multimediale dhe përfshin fotografi, skulptura, instalacione e video. Ekspozita përmban shtatë projekte të Halitit, kryesisht të viteve të fundit, përpos njërit që i takon vitit 2007.
“Duhet ta falënderoj kuratorin Marcus Meisser me të cilin kam punuar gjatë këtyre shumë muajve. Meqenëse një pjesë e ekspozitës udhëton prej Muzeut të Artit në Vjenë, Mumok, më duhet t’i falënderoj ata për krejt përkrahjen që e kanë dhënë për krejt transportin dhe anën financiare, duke përfshirë këtu edhe Hankel Art Award, i cili ka qenë çmim që i bashkëngjitet krejt kësaj ngjarje në 2013/2014”, ka thënë Haliti.
Ndryshe, artistja e lindur në Prishtinë kryesisht merret me vepra me tematikë shoqërore. Sukseset e saj dy vitet e fundit përfshijnë ekspozitën e saj “Unë shoh një fytyrë. A sheh ti një fytyrë” në muzeun Mumok të Vienës dhe çmimin Henkel Art Award në vitin 2013, si dhe çmimi Muslim Mulliqi 2014 nga Galeria e Arteve të Kosovës.