17.8 C
Prizren
E mërkurë, 14 Maj, 2025

VV në Therandë: PDK si pakicë parlamentare duhet të mbetet në opozitë

Visar Ymeri ne Suhareke14Për të diskutuar lidhur me mënyrën e daljes nga situata aktuale në të cilën gjendet Kosova, Lëvizja Vetëvendosje! sot organizoi tubim me qytetarët e Therandës, ku morën pjesë edhe deputeti Visar Ymeri dhe ish deputetja e Vetëvendosje!-s nga kjo Komunë, Albana Gashi.

Në vazhdën e këtyre tubimeve, Vetëvendosje! ka marrë propozime të ndryshme nga qytetarët, por që të gjitha ishin në linjën që partia e cila e ka kapur shtetin, pra PDK-ja, duhet të shkojë në opozitë dhe të jap përgjegjësi për të gjitha dëmet që ia ka shkaktuar Kosovës ndër vite.

Në bashkëbisedim me qytetarët e Therandës u tha që në muajt e fundit shumë është diskutuar çështja e formimit të institucioneve, dhe kjo është paraqitur nga mediet si një situatë komplekse ku të dy palët janë fajtore. “Kjo është bërë me qëllim që të fshihet e vërteta. Situata për ne është shumë e qartë: Në njërën anë i kemi katër subjekte politike që kanë marrëveshje për parimet udhërrëfyese të qeverisë së re dhe me këtë marrëveshje i kanë bërë bashkë deputetët që i kanë dhe kanë bërë shumicën parlamentare prej 63 deputetësh, dhe në anën tjetër e kemi koalicionin parazgjedhor të PDK-së që i kanë jo më shumë se 36 deputetë, dhe që po i përdorin institucionet që i kanë nën kontroll për ta bllokuar situatën, siç është rasti edhe me Gjykatën Kushtetuese”, tha deputeti Ymeri, përderisa përgjigjej në pyetjet e qytetarëve lidhur me këtë çështje.

Gjatë këtij diskutimi u theksua se Vetëvendosje! ka kërkuar vazhdimisht që së bashku me qytetarët, në formë proteste ose në formë tjetër, t’i detyrojë pushtetarët dhe institucionet e kapura nga ta që ta zhbllokojnë situatën dhe t’i nënshtrohen shumicës së votuesve. Qytetarët e Therandës, duke folur për kërkesën e radhës të PDK-së, për marrëveshje totale, thanë se zyrtarët e kësaj partie çështjen e kryeparlamentarit e përdorën vetëm si hap të parë drejt mbajtjes pa të drejtë të pushtetit në Kosovë. “Para katër ditëve LAN ka vendosur përfundimisht që ta lejojnë zbatimin e gjykimit të padrejtë të Gjykatës Kushtetuese. Me t’u publikuar ky vendim, PDK doli dhe kërkoi marrëveshje gjithëpërfshirëse, pra edhe për qeverinë e jo vetëm për Kuvendin. Ajo po e dëshmon që është e vetme duke i bllokuar institucionet. Ne dhe partitë tjera nënshkruese të marrëveshjes së 10 shtatorit jemi kundër çfarëdo qeverie në të cilën do të ishte edhe PDK-ja. Për ne si Vetëvendosje!, çështja më e rëndësishme është çlirimi i shtetit nga krimi i organizuar dhe korrupsioni që është instaluar dhe më pas është thelluar pikërisht nga PDK-ja”, shtoi Ymeri në këtë temë, meqë qytetarët ishin të interesuar të dinin më shumë për lëvizjet e fundit që kanë bërë subjektet politike në tentim të zhbllokimit të situatës, dhe donin të siguroheshin edhe njëherë se nuk do të ketë “Qeveri gjithëpërfshirëse” me PDK-në brenda.

Qytetarët ishin të pajtimit se gjatë kësaj periudhe, edhe pse nuk janë krijuar ende institucionet, janë ndalur shumë procese të dëmshme për shtetin e Kosovës, përfshirë këtu edhe negociatat dhe privatizimin. Pra, Kosova më shumë humb kur ka Qeveri të keqe si PDK-ja, sesa kur nuk ka Qeveri fare. Ata e vlerësuan marrëveshjen e 10 shtatorit mes Vetëvendosje!-s dhe subjekteve tjera politike, si marrëveshja e parë në Kosovën e pasluftës që është nënshkruar me vullnet të lirë të subjekteve politike.

“Në koncepte dhe programe kemi shumë dallime, por bashkëpunojmë si subjekte për ta hequr një të keqe të madhe ashtu siç ne e perceptojmë ata. Pra, ka bashkëpunim mes subjekteve, por nuk ka bashkëpunim me PDK-në. Kjo për shkak se mënyra e qeverisjes së PDK-së, mënyra se si është sjellë ajo me shtetin dhe qytetarët e ka sjellë PDK-në në këtë pozitë që askush nuk dëshiron as të flet me të, e lëre më të bashkëpunojë”, potencoi Ymeri në fund të këtij bashkëbisedimi me qytetarët e Therandës./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Mundësitë e granteve nga KIESA prezantohen para anëtarëve të shoqatës “Esnaf” në Prizren

Mundësitë e granteve që ofrohen nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) janë prezantuar para anëtarëve të shoqatës së biznesmenëve...

Haradinaj kujton komandant Drinin dhe të rënët e 8 majit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot komandant Ekrem Rexhën – Drini, një prej emrave më emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si...

Lajmet e Fundit