24.5 C
Prizren
E hënë, 21 Prill, 2025

Përfundon procedura e provave në rastin e të akuzuarve nga Guatemala

Gjykata-peshorjaNë Gjykatën Themelore të Prizrenit, të hënën vazhdoi seanca gjyqësore ndaj dy shtetasve të Guatemalës, të cilët po akuzohen për vepër penale të mashtrimit.

Ndryshe nga seanca e fundit e mbajtur më 14 tetor 2014, ku të akuzuarit në fund të seancës qajtën para trupit gjykues, të hënën u panë të qetë.

Gjykimi vazhdoi me marrjen në pyetje të të akuzuarit të dytë, Cirillo Antonio Zuniga Fosters, i cili para trupit gjykues tha se për herë të parë kur ka ardhur në Kosovë është vendosur në Prizren.

Si arsye të ardhjes përmendi ushtrimin e profesionit të tij si mjeshtër i artit dhe fotograf.

Kur i akuzuari u pyet nga prokurori se sa kishte qëndruar dhe me kë ishte takuar në Prishtinë, ai tha se së bashku me shokun e tij(të akuzuarin e dytë) kanë qëndruar 4 ditë në Prishtinë.

Ai mohoi se është takuar me ndokënd në kryeqytetin e Kosovës, edhe pse aktakuza i ngarkon dy shtetasit e Guatemalës se në Prishtinë mashtruan një person duke ia marrë 20 mijë euro.

“Asnjëherë nuk jam takuar me askënd në Prishtinë… asnjëherë”, tha ai.

Po ashtu i akuzuari tha se nuk e njeh personin e dëmtuar me emrin Masar Basha.

Kur prokurori e pyeti të akuzuarin se të kujt ishin medikamentet dhe letrat e bardha në formë të parave të cilat janë gjetur ditën e arrestimit, i akuzuari pranoi se kishin qenë të tijat dhe të shokut të tij.

“Medikamentet e lëngshme, pluhuri dhe të tjerat kanë qenë tonat, të gjitha kanë qenë tonat”, tha Fosters.

Ai u arsyetua se këto gjëra i kishin me vete vetëm për të mësuar dilerët e drogës se si të prodhojnë para të falsifikuara.

Me përfundimin e marrjes në pyetje të të akuzuarit Cirillo Antonio Zuniga Fosters, përfundoi edhe procedura e provave.

Këtë e konfirmoi edhe avokati kosovar i guatemalasit.

“Ka përfunduar marrja në pyetje dhe që do të thotë se ka përfunduar edhe procedura e provave dhe në seancën e radhës më 19 dhjetor pritet edhe seanca përfundimtare e mbrojtësve dhe të prokurorit”, tha avokati Nexhat Elshani.

Elshani që më parë ishte ankuar se procedura po zvarritej për shkak të shtyrjeve në distanca të largëta kohore të seancave gjyqësore, kësaj radhe ishte i kënaqur me caktimin e seancës së radhës nga trupi gjykues.

“Po duke i marrë parasysh kërkesat tona që sa më shpejt të caktohet seanca e radhës që ta japim fjalën tonë përfundimtare, megjithatë është përmbushë ajo kërkesë, do të thotë brenda nëntë dite është caktuar seanca e radhës ku edhe përmbyllet kjo çështje penale”, tha avokati.

Sipas prokurorisë së Prizrenit, Jose Manuell Monroi Rivera dhe Cirillo Antonio Zuniga Fosters, gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, pas kontaktit me dy persona të caktuar nga policia e Prizrenit, gjatë zbatimit të masave të fshehta të simulimit, të akuzuarit arrijnë që t’i mashtrojnë ata duke u marrë shumën e parave prej 50 mijë eurosh.

Të akuzuarit në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe në Prishtinë, ku i kanë marrë një të dëmtuari 20 mijë euro duke u larguar pastaj për të humbur çdo kontakt me të.

Dy guatemalasit gjenden në paraburgim nga data 1 nëntor 2013, ndërsa seanca e radhës është caktuar më 19 nëntor 2014./Kallxo.com/

Më Shumë

Dyshimi për granatë dore, Spitali i Prizrenit: Ishte lodër për fëmijë

Policia është lajmëruar për një rast në Spitalin e Prizrenit “Daut Mustafa”. Dje, në orët e pasdites, ekipi kujdestar i mjekëve, ka vërejtur një objekt...

Dy rrugë në Rahovec mbyllen për dy ditë

Komuna e Rahovecit njofton qytetarët se, për shkak të punimeve infrastrukturore, rrugët “Xhevat Kasapi” dhe “Muharem Dina” do të jenë të mbyllura për qarkullim...

Lajmet e Fundit