Një homazh për Parisin, i ndërthurur me rrëfime për Shqipërinë, të shkuarën, të tashmen e të ardhmen e saj. Libri i ri i shkrimtarit të njohur Ismail Kadare “Mëngjeset në kafe Rostand” sjell ese, portrete, shënime për kohë e personazhe të ndryshëm, që edhe nëse nuk kanë emra, mund t’i zbuloni mes radhëve. “Gazeta Shqiptare” boton sot një pjesë prej librit, atë ku tregohet një skenar kërcënimi për librin “Viti i mbrapshtë”. Një i njohur i bën me dije shkrimtarit se libri i tij është antiparti dhe për të do ketë ankesa lart. Ndërsa shkrimtari i kalonte ditët në ethe, duke pritur çdo të ndodhte, por duke kërkuar zgjidhje që të mos e kërcënonin, gjakrat krejt papritur qetësohen. Ka vetëm heshtje. Miku i tij qaraman, tani buzëqesh. Më vonë Kadare mëson se “grupi i armiqve” që rrinin së bashku ishin “turku”, “Liliana”, “I verbri”, qarësi dhe kërcënuesi me syze”.
Ismail Kadare*
E qara në mesnatë
Nga cikli i përfytyruar
“Këngë dhe vome për letërsinë shqipe”
I
Ishte viti 1986. Ishte pranverë dhe mesnatë kur ra telefoni.
Ngaqë s’më kishte qëlluar ndonjëherë të flisja në telefon me një burrë që qante, në fillim kujtova se qarja s’ishte veçse rrjedhojë e çrregullimit të linjës. Por shumë shpejt e kapa se qarja ishte e vërtetë, madje, njëkohësisht me këtë, e njoha qarësin. Ishte një redaktor i shtëpisë botuese, që merrej ato ditë me një librin tim, përmbledhje novelash, më saktë novelash e reportazhesh bashkë, në përzierjen e të cilave kisha vënë gjithë shpresën e mosrënies në sy të një romani të shkurtër problematik.
Asgjë të mirë s’mund të jepte kjo qarje redaktori, ndaj mendimi i parë e, bashkë me të, droja në trajtë lutjeje që më erdhi ndër mend ishte: veç mos ketë të bëjë me romanin!
Për fat të keq kishte të bënte pikërisht me të: romanin e maskuar si novelë.
Kush e kishte kapur? Ku? Si? Shefi, drejtori, zyra e shtypit në Komitetin Qendror? Përgjigjet, ndonëse të ngadalësuara prej qarjes, i mora njëra pas tjetrës. As shefi, as drejtori, as zyra e shtypit në Komitetin Qendror. Shkurt, tani për tani romani ende nuk ishte kapur. Por mbi të rëndonte një kërcënim.
Ç’kërcënim, pyeta me padurim. Nga kush?
E qara në skajin tjetër të fillit u dendësua ndjeshëm. Ishte një fjalë e ngjashme me “kërcënim”, që mbaronte me “im”, por që u desh njëfarë kohe sa të shpëlahej prej gulçit.
Aha, një denoncim. Po nga kush?
E qara pati një ngritje të re. Pastaj, pas një psherëtime të gjatë, vetëfajësimi për pakujdesinë dhe naivitetin, dëgjova emrin e denoncuesit.
Po pse ai? fola me zë të ulët. Pse pikërisht ai?
E njihja, ishte një djalë i heshtur, që ashtu heshturazi hipte dhe zbriste shkallët e Lidhjes së Shkrimtarëve pa rënë në sy të askujt.
Ai është miku yt, apo jo?
Pikërisht, ndaj bëra gabim të madh, ia dhashë dorëshkrimin ta lexonte, ashtu kot nga qejfi.
Dhe ai të kërcënoi me denoncim?
Pikërisht. Më kërcënoi se do t’i shkruante letër Komitetit Qendror, kundër botimit të “Vitit të mbrapshtë”, si vepër antiparti, anti… kështu e anti ashtu, shkurt në kundërshtim me mendimet e shefit të madh për lëvizjen e Haxhi Qamilit… (Per me teper lexoni Gazeta Shqiptare ne print)