26.4 C
Prizren
E hënë, 7 Korrik, 2025

Çfarë prodhojnë pushtetet?

BRITAIN KOSOVOPublicisti Veton Surroi, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka deklaruar se koalicioni PDK-LDK mund të mos jetë kurrfarë përjashtimi nga rregulli i deritashëm në Kosovë – ku elitat politike e kanë shfrytëzuar pjesëmarrjen e tyre në politikë për të krijuar rrethana më të mira për veten, e jo për të krijuar një shtetndërtim të duhur.

Këto janë përgjigjet e Surroit lidhur me vonesën e formimit të institucioneve, koalicionin PDK-LDK, zgjedhjet, Gjykatën Speciale, raportet e tij me Hashim Thaçin, si dhe rrezikun nga ekstremizmi.
Për vonesën në formimin e institucioneve

Kjo flet për dobësinë institucionale në Kosovë, dobësinë e strukturave politike. Është një produkt i një procesi të kapjes së shtetit në Kosovë, i cili, fatkeqësisht, e ka përcjell hyrjen e Kosovës në pavarësi dhe pastaj edhe Kosovën e pavarur.

Për Koalicionin PDK-LDK
Nuk mendoj se duhet të përqendrohemi fare tek formulat. Puna është se çfarë do të prodhojnë pushtetet. Dhe, pushtetet në Kosovë, në masë të madhe, janë pjesë të një periudhe para-moderne të shtetit, ku ai që është në pushtet merr nga shteti dhe nuk jep shtetbërje.Elitat politike në Kosovë e kanë shfrytëzuar pjesëmarrjen e tyre në politikë, për të krijuar rrethana më të mira për veten dhe për familjet e tyre, por jo për të krijuar një shtetndërtim të duhur.Ky koalicion mund të mos jetë kurrfarë përjashtimi nga ky rregull i deritanishëm.

Për zgjedhjet
Zgjedhjet dhe kjo tejzgjatje po i bëjnë dëm nocionit të demokracisë, sepse të gjithë ata që mendojnë se me zgjedhje dhe me votë të lirë do të bëhen ndryshime janë zhgënjyer me produktin e këtyre zgjedhjeve të kaluara, ku me manovra të ndryshme, me institucione të kapura nga struktura politiko-maifioze, nëse mund të përdoret ky formulim, nëpërmjet këtyre manovrimeve e kanë bllokuar një vendimmarrje e cila në shtetet tjera do të ishte demokratike.

Për Gjykatën Speciale

Varet se çfarë do shoqëria kosovare… Si do a interpretojnë klasa politike, shoqëria civile, mediat, pjesa intelektuale e kësaj shoqërie.
Për një shtet të ri, i cili që nga lindja po lëngon nga thyerjet e brendshme, është shumë me rëndësi ta kalojë këtë fazë të katarsës dhe të spastrohet nga akuzat. Nëse ato janë të vërteta, atëherë të procedohen më tutje. E nëse janë të pavërteta, të hiqen një herë e përgjithmonë nga opinioni publik ndërkombëtar.Kosova e ka fatin e keq të dyfishtë, jo vetëm të pasjes së një strukture politike të lidhur me krimin, e cila është shndërruar në elitë udhëheqëse, por edhe në krijimin e një perceptimi të gabueshëm në një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare se të gjithë janë të njëjtë në Kosovë, se disi kodi gjenetik shqiptar duhet të prodhojë krim, gjë që është krejtësisht e pavërtetë.

Për raportet me Hashim Thaçin

Fakti që kemi bashkëpunuar, nuk do të thotë se ka pasur afri. Njeriu, në një fazë historike, duhet të bashkëpunojë me ata që duhet të bashkëpunojë, e jo me ata që zgjedh të bashkëpunojë. Kjo nuk ka qenë zgjedhja ime. Ka qenë zgjedhja e rrethanave historike. Po të kthehesha në po ato rrethana, prapë do të bashkëpunoja pa kurrfarë dyshimi, sepse ishte interesi madhor i këtij vendi. Por, Z. Thaçi dhe struktura së cilës ai i përket, struktura e ngushtë politike e lidhur me krimin, është lajm i keq për Kosovën dhe do të jenë një lajm i keq për Kosovën përderisa do të jenë pjesë e kësaj elite.

Për terrorizmin
Kosova, Shqipëria, Maqedonia, shqiptarët në Ballkan, janë shumë të rrezikuar nga shndërrimi i Islamit Politik në një lëvizje ndërkombëtare dhe shndërrimin e kësaj lëvizjeje ndërkombëtare në një magnet që tërheq njerëzit nga viset e ndryshme të botës në një kauzë e cila është krejtësisht jashtë besimit, traditës, formës së komunikimit të shoqërisë shqiptare.
Ky është një rrezik jo vetëm për sigurinë e shqiptarëve dhe Ballkanit, pra edhe të Europës, por është edhe një rrezik për natyrën, për kodin e bashkëjetesës të cilin e kanë të ndërtuar shqiptarët dhe i cili është shembull për Europën dhe më gjerë.

Më Shumë

Nait Hasani: Lamtumirë, Daja Dani!

Fjala e Nait Hasanit para familjarëve, shokëve dhe miqve në varrimin e ish- të burgosurit politik, ish-ushtarit të UÇK-së dhe pjesëtarit të TMK-së, Ramadan...

‘DokuFest’ prezanton projektet e përzgjedhura për Forumin e Filmave të Shkurtër

DokuFest ka kënaqësinë të shpallë projektet e përzgjedhura për edicionin e parë të Forumit të Filmit të Shkurtër, një platformë rajonale për bashkë krijim...

Lajmet e Fundit