Ish deputeti i Parlamentit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Nait Hasani është i bindur se kallëzimi penal që është bërë ndaj tij, nga Agjencioni Kundër Korrupsion, ka prapavijë politike.
Pavarësisht veprimeve të AKK-së, ai beson se gjykata do të thotë fjalën e vetë në mënyrë të drejtë.
“Po ka prapavijë politike,sepse unë nuk kam keqpërdorë asgjë”, thotë Hasani për “PrizrenPress”.
Nait Hasani akuzohet për veprën penale ‘’mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare’’ vepër e dënuar sipas Kodit Penal të Kosovës me dënim me gjobë dhe burg deri në 5 vjet.
Sipas aktakuzës, së ngritur në bazë të kallëzimit penal nga Agjencioni Kundër Korrupsion, thuhet se “Hasani nuk i ka paraqitur saktë të hyrat vjetore të kërkuara në deklaratë nga 1 janari 2012 deri më 31 dhjetor 2012”.
“Ekziston mospërputhje në mes të hyrave vjetore të deklaruara në formularin për deklarimin e pasurisë, si dhe raportit nga të hyrat vjetore të siguruara nga Kuvendi i Kosovës, ngase është gjetur mospërputhje në mes të hyrave prej 21 mijë e 200 euro, të cilat i ka deklaruar Hasani në formularin për deklarimin e pasurisë për vitin 2012, si dhe raportit nga të hyrat vjetore që janë 26 mijë e 485,04 euro, të cilat janë siguruar nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në aktakuzë.
Diferenca në mes këtyre të hyrave është 5 mijë e 285,04 euro të cilat Hasani, sipas AKK-së, nuk i ka deklaruar saktë në të hyrat vjetore.
Ish-deputeti Hasani thotë ndërkaq, se nuk ndihet fajtor dhe nuk e pranon veprën për të cilën akuzohet.
“Rast të ngjashëm kam pasur edhe për deklarimin e pasurisë të vitit 2011, mirëpo atëherë jam njoftuar me shkrim nga Agjencioni Kundër Korrupsion dhe kishte bërë plotësimet e kërkuara”, tregon Hasani.
“Ndërsa për deklarimin e pasurisë të vitit 2013 nuk më është kërkuar asnjë plotësim, ku unë kam qenë i gatshëm të bashkëpunoj me AKK-në, mirëpo ata nuk më kanë kërkuar plotësime. Unë e shoh se kësi lloj lëshime në deklarim kanë edhe diku 80 për qind e deputetëve, mirëpo unë gjithnjë sa i përket vetes i kam kërkuar AKK-së, të më tregojë për lëshimet dhe kam qenë i gatshëm të bashkëpunoj, gjë e cila asnjëherë nuk është kërkuar nga unë”.
“Është e çuditshme se si të konsiderohet mosdeklarim i pasurisë, kur për pagën e marrë nga buxheti i Kosovës kishte paguar tatim dhe të njëjtat i kishte pranuar përmes llogarisë bankare”.
Hasani thotë se kallëzimi penal ka qëllim që të degradojë punën e tij që ka bërë në Kuvendin e Kosovës.
“Unë jam i pastër. Kam luftuar e punoj për të ndërtuar shtetin për të cilin kem dhënë jetën”, shprehet Hasani./PrizrenPress.com/