Përktheu: Bajram Karabolli
Të shkruash një roman do të thotë të bësh mur me tulla. Të shkruash një tregim do të thotë të bësh mur betoni. Nuk e di e kujt është kjo frazë e saktë. E kam dëgjuar dhe e kam përsëritur aq shumë sa ndoshta dikush mund të ketë besuar, se kjo ishte thënia ime. Ka edhe një krahasim tjetër që nuk është aq i fortë sa i mëparshmi: tregimi është të qëllosh me shigjetë në qendër të tabelës, ndërsa romani është të gjuash lepujt. Sidoqoftë, kjo pyetje e lexuesit ofron një mundësi të mirë që, si gjithmonë, të vrasësh mendjen edhe një herë, në lidhje me dallimet midis dy zhanreve letrare të ndryshme, por edhe të trazuara me njëra-tjetrën. Një arsye për këtë mund të jetë lajthitja për t’i ngatërruar ndryshimet e gjatësisë së tekstit me dallimin gjinore midis tregimit të shkurtër dhe tregimit të gjatë. Ndryshim që është i vlefshëm midis një tregimi dhe një tjetri, por jo midis tregimit dhe romanit.
Tregimi më i shkurtër që njoh është ai i guatemalasit Augusto Monteroso, i cili sapo ka marrë çmimit “Princit të Asturias”. Ja tregimi:
Tregimi më i shkurtër që njoh është ai i guatemalasit Augusto Monteroso, i cili sapo ka marrë çmimit “Princit të Asturias”. Ja tregimi:
Kur u zgjua, dinozauri ishte akoma atje.
Asgjë më shumë. Ka edhe një tjetër nga Një mijë e një net, tekstin e të cilit nuk e kam në dorë dhe më prodhon ngërçe zilie. Është historia e një peshkatari që i merr hua një plumb rrjete një gruaja të një peshkatari tjetër, me premtimin se do t’i dhuronte peshkun e parë që do të kapte; dhe kur ajo e merr peshkun dhe e hap për ta tiganisur, në barkun e tij gjen një diamant me madhësinë e një bajame.
Më shumë sesa vetë rrëfenja, e mahnitshme për thjeshtësinë e saj, kjo më intereson tani sepse shtjellon tjetër nga misteret e zhanrit: nëse plumbin nuk do ta kishte dhënë një grua, por një burrë tjetër, historia do të humbiste sharmin: nuk do të ekzistonte. Pse? Kush e di! Një mister më shumë i një zhanri misterioz në shkallën më të lartë.
Romanet shembullore të Servantesit janë vërtet shembullore, por disa nuk janë romane. Përkundrazi, Josef Konrad shkroi tregimin Duelistët, po ashtu një histori shembullore, me më shumë se njëqind e njëzet faqe, që shpesh ngatërrohet me një roman për shkak të gjatësisë së tij. Regjisori Ridley Scott e bëri atë një film të shkëlqyeshëm, pa ndryshuar identitetin e historisë së tij. Absurdja në këtë pikë do të ishte të pyesim nëse Konradit do t’i interesonte që ta ngatërronin vërtet me një roman.
Intensiteti dhe uniteti i brendshëm janë thelbësore në një tregim, ndërsa në një roman jo aq shumë, sepse në një roman, fatmirësisht, ka mjete të tjera për të na magjepsur. Prandaj, kur dikush sapo lexon një tregim, mund të imagjinohet se çfarë përjeton para dhe pas, dhe e gjithë kjo do të vazhdojë të mbetet pjesë e temës dhe magjisë së asaj që lexoi. Përkundrazi, romani duhet të mbajë gjithçka brenda. Përfundimisht, mund të thuhet, pa frikë, se ndryshimi mund të jetë po aq subjektiv sa edhe për gjithë bukuritë e jetës reale.
Shembuj të mirë për tregime kompakte dhe intensive janë dy perlat e këtij zhanri: Këmba e majmunit e V. V. Jacobsit dhe Njeriu në rrugë i Zhorzh Simenonit. Tregimi policor mbijeton në botën e tij të veçantë, pa nevojën e shoqërimit, sepse shumica e simpatizantëve të tij interesohen më shumë për intrigën sesa për misterin. Veçanërisht tek më i vjetri dhe i paarritshmi Edipi mbret, i Sofokliut, një dramë greke që ka unitetin dhe tensionin e jashtëzakonshëm të një rrëfimi, ku hetuesi zbulon se ai vetë është vrasësi i babait të tij.
Tregimi duket se është gjinia natyrore e njerëzimit për përfshirjen e saj spontane në jetën e përditshme. Ndoshta, pa e ditur, atë e shpiku njeriu i parë i shpellave që, një pasdite, doli për të gjuajtur dhe nuk u kthye deri ditën tjetër, për shkak se iu desh të luftonte për jetë a vdekjeje kundër një bishe të çmendur nga uria. Në të vërtetë, ajo që bëri gruaja e tij, kur kuptoi se heroizmi i burrit nuk ishte gjë tjetër veçse një përrallë, mundi të ishte romani i parë dhe mbase më i gjati i epokës së gurit.
Nuk di çfarë të them për supozimin nëse tregimi qenka një pauzë freskimi midis dy romaneve, kjo gjë mund të jetë një spekulim teorik që nuk ka asnjë lidhje me përvojat e mia si shkrimtar. Duke e vrarë mendjen shumë, do të guxoja të thosha se nuk janë të paktë shkrimtarët që i kanë provuar të dy zhanret në të njëjtën kohë dhe jo shumë herë me të njëjtën fat në të dy zhanret. I tillë është rasti i Uilliam Samerset Mom, veprat e të cilit – si ato Heminguejt – janë më të njohurat nga kinemaja. Midis tregimeve të tij të shumta, nuk mund të harrojmë P&O – sigël e kompanisë e lundrimit “Pacific and Orient” – e cila është drama e tmerrshme dhe patetike e një kolonizuesi të pasur anglez që vdes nga një hipostazë e pamëshirshme në mes të Oqeanit Indian.
Ernest Heminguej është një rast i ngjashëm. Sa i njohur për kinemanë aq edhe për librat e tij, ai mund të mbetet në historinë e letërsisë vetëm për disa tregime mjeshtërore. Duke studiuar jetën e tij, mendohet se prirja dhe talenti i tij i vërtetë ishin për tregimin e shkurtër. Për shijen time, krijimet më të mira nuk janë as më të vlerësuarat as më të gjatat. Përkundrazi, dy prej tyre janë një nga më të shkurtrat – Një kanarinë për një dhuratë dhe Një mace në shi – dhe e treta, e gjatë dhe e shenjtë, Jeta e shkurtër dhe e lumtur e Francis Makomberit.
Mbi supozimin tjetër se tregimi mund të jetë një lloj praktike për të arritur te romani, pohoj që e kam bërë dhe nuk më ka dalë keq për të mësuar të shkruaj romanin Vjeshta e patriarkut. E kisha mendjen të fiksuar te formula tradicionale e Njëqind vjet vetmi, për të cilin kisha punuar dy vjet, pa e ngritur kokën. Çdo gjë që përpiqesha të shkruaja më dilte njësoj dhe nuk arrija dot të manovroja për një libër tjetër. Sidoqoftë, bota e diktatorit të përjetshëm, të ftilluar dhe të shkruar në stilin e gjykueshëm të librave të mëparshëm, do të kishte jo më pak se dy mijë faqe rrotulla letre të padepërtueshme dhe të padobishme. Kështu që vendosa të shikoja çdo rrezik për një prozë të ngjeshur që do të më nxirrte nga kurthi akademik për ta ftuar lexuesin në një aventurë të re.
Mendova se e kisha gjetur zgjidhjen përmes një seri shënimesh dhe idesh për tregime të lëna, të cilëve iu ktheva, pa drojën më të vogël nga çdo lloj arbitrariteti formal, derisa gjeta atë që po kërkoja për librin e ri. Janë tregime eksperimentale për të cilat kisha punuar për më shumë se një vit dhe që u botuan më vonë më vete te libri Zemërdëlira Eréndira: Blakaman shitësi i mirë i mrekullive dhe Udhëtimi i fundit i anijes fantazmë, që është një fjali e vetme pa pikësim, përveç presjeve apo, aty këtu, ndonjë pikëpresje, sa për të marrë frymë – dhe disa tregime të tjerë që nuk e kaluan provimin dhe që flenë gjumin e të drejtit në sirtarin e plehrave. Kështu gjeta embrionin e Vjeshta e patriarkut, që është një sallatë ruse eksperimentesh të kopjuara nga shkrimtarë të tjerë të këqij apo të mirë të shekullit të kaluar. Frazat që do të donin dhjetëra faqe janë zgjidhur në dy ose tri faqe, për të thënë të njëjtën gjë, duke u zënë ngushtë, nga shkelja e vetëdijshme e rregullave të kursimit dhe gramatikës diktatoriale të akademive.
Libri që doli ishte një katastrofë tregtare. Shumë lexues, besnikë të romanit Njëqind vjet vetmi, u ndjejnë të zhgënjyer dhe donin që shitësi i librave t’u kthente paratë. Duke qenë se libri qe lidhur shkel e shko, për të kursyer sa më shumë, botimi spanjoll do të më mbetej në dorë dhe një mik, duke bërë shaka, më ngushëlloi: “E lexova Vjeshtën tënde, gjethe më gjethe”. Shumë këmbëngulën në lexim, të tjerët mezi arrinin te gjysma dhe, me kohë, më shmangeshin, se mos më vinte keq që nuk vazhdonin më tej. Sot është libri im më i shqyrtuar në universitete të vendeve të ndryshme, dhe gjeneratat e reja mund ta lexojnë sikur të ishte muzgu i një Tarzani dyqind vjeç. Nëse dikush proteston dhe e hedh nga dritarja, kjo ndodh ngaqë nuk i pëlqen, por jo sepse nuk e kupton. Dhe ndonjëherë, për fat të mirë, ka edhe ndonjë që e merr përsëri nga toka.