20.9 C
Prizren
E diel, 8 Qershor, 2025

A u ngrit sërish Kongresi X i Partisë kundër Dritëroit?

Nga Alfred Lela

Tre personazhe të së majtës: Lindita Nikolla, Fatos Tarifa, dhe së fundmi, Dritëro Agolli kanë kryer akte normaliteti dhe qytetarie, duke e kaluar Rubikonin ideologjiko-politik të cilin, duhet thënë, mund ta kapërcejnë vetëm mendjet e kthjellëta e të hapura.

Gjithçka ka nisur me një grua: me ministren e Arsimit, Nikolla. U bë Lindita Eva që doli nga Kopshti i Urrejtjes Permanente, dhe tash disa në krahun e saj politik i faturojnë mëkatin e zanafillës. I cili ishte, as më pak e as më shumë, të ulurit në krah të ish-kryeministrit Berisha gjatë një prej seancave përmbyllëse të sesionit të shkuar, me qëllim konsultimin apo argumentimin e epërsive të ligjit të ri për Arsimin e Lartë që pat sjellë në parlament qeveria.

Radikalët në krahun e majtë nuk ia falën dhe gazeta Dita, një e përditëshme që luan rolin e shpateve ku përplasen sokëllimat e këtyre jehonave mujshare ‘hetoi’ intensivisht në këtë ‘zbutje të linjës së partisë’.

Prerja e zemërimit hollohej shumë sidomos te lloji i kundërshtarit me të cilin kish fërkuar supet zonja Nikolla: Sali Berisha.

Në mbrojtje të saj, të normalitetit në fakt, në faqet e kësaj gazete (MAPO) u shfaq Profesori Fatos Tarifa, Rektor i UNYT. Gazeta Dita nëpërmjet Andrea Stefanit u përgjigj pa mënuar. Gjithçka mund të kish mbetur në repertorin e vërejtjeve të vrerosura të personazheve që vetëm me anë të idhnimit mund ta dalin në botë e në qytet (urbi et orbi-e kush prej nesh guxon të jetë më i krishterë se Papa, në fund të fundit?), po të mos qe shfaqur me një intervistë proteane, ai që gazetarët parapëlqejnë ta quajnë patriarku socialist, shkrimtari Dritëro Agolli.

Me tagrin dhe peshën e kapacitetit të vet intelektual e historik, e pse jo me ndërgjegjen e atij që e di se është futur në stinën e testamenteve apo amaneteve, shkrimtari e Dritërori skenën me ca vetëtima që lëshonin pah të mirë edhe mbi kundërshtarët politikë. Përshfirë këtu (mos-o-Zot!) edhe Sali Berishën. Idhnakët, sigurisht, do donin nga Dritëroi që ato vetëtima t’i bënte rrufe. Për ta gjuajtur edhe një herë kobshëm lisin e lartë në pyllin përkundruall ku është çeta e kundërshtarit.

Dritëroi, jo. Se Dritëroi nuk e kish patur atë merak as në vitin 1991, kur lëshonte rrufe mbi atin e të gjithë atyre: kohë kur idhnakët e sotëm ndoshta i kishin thonjtë futur thellë në mishin e pëllëmbëve. Atëbotë të zemëruar se Dritëroi po zhgjetonte Enverin, e sotbotë se po thotë fjalë të mira për atë; atë që ata duan t’ia fusin publikut nëpër ëndrra si Enverin: Sali Berishën.

Nuk është vetëm gjest idhnak, megjithatë, ky kërcim prej 700 dreqnish në bark, sa herë kronika e ditës fut në skenë targetin e Sali Berishës.

Është, së pari, vertikalizim i gjuhës së urrejtjes. Dy-tre burra me mjekra, thinja e ojna marrëzish, përdorues maniakalë të kësaj gjuhe, duhen identifikuar dhe lajmëruar, si jo më shumë se ca Dr. Jekyll-a. Nuk po kërkohet pushkatimi i tyre, siç të ngjashmit sosh kanë bërë me kundërshtarët politikë për 40 vite komunizëm, por t’u thuhet kush janë. Pse e bëjnë? Ku duan të dalin e ku të na çojnë?

Së dyti, qëndresa e tyre e gjatë për ta mbajtur të pafikur zjarrin që ushqehet me gjuhë e akte urrejtjeje, është në fakt një nevojë personale. Sali Berisha me persona politicae të vet u ka bërë këtyre idhankëve një favor: I ka mbajtur në pjacën e diskutimit publik. Shumë vetë në këtë vend kanë ekzistuar si lehaqenë të hënës politike të Sali Berishës. Më të trishtuarit, në ditën kur Doktori dha dorëheqjen, nuk qenë ata që qanë me lot në PD, por pikërisht idhnakët. Një Berishë historik i linte ata pa kronikën e ditës. (Cdo shkrim i tyre është një thirrje për ish-Zotin: Bukën e përditëshme jepna, Doktor!).

Së treti, ka edhe pak malinjitet në kreshpërimin kundër cdo paqeje e gjesti pajtues të idhnakëve. Është përpjekja për të sofistikuar një ledh mbrojtës në shërbim të qeverisë. Pse nuk po ecin punët mbroth? Fajin e ka Saliu, por po aq fajtor është Rama që nuk e dënon Saliun. Që merret me reforma pa krijuar më parë Big Bengun. Pra, reformën e reformave. Pra, arrestimin e Berishës.

Një skenar të tillë idhnakët do ishin të vetmit që do e shihnin si shpëtim kombëtar, një gjest që në çdo rrethanë e nga çdokush do shihej si paradhomë e trazirave sociale.

Idhnakët, në çdo lloj forme e duan Berishën në skenë. Ahti i tij ende ua mpreh dhëmbët lehaqenës prej nga pritet të dalë vampiri i radhës.

Sa për Dritëroin, veç i kanë bërë një nder duke ia ri-inskenuar lavdinë e dikurshme, Kongresin e 10 të Partisë së Punës.

Më Shumë

Spektakël në ujërat e Lumbardhit: Bunarfest 2025 mbledh qindra sportistë e vizitorë në Prizren

Në qytetin e Prizrenit u mbajt edicioni i 21-të i festivalit tashmë tradicional “Bunarfest”, një ngjarje unike që bashkon sportin, argëtimin dhe përkushtimin ndaj...

Ministri Damka vizitoi Dragashin: Mbështetje për projekte të reja infrastrukturore

Kryetari i Komunës së Dragashit,Bexhet Xheladini së bashku me nënkryetarin nga radhët e komuniteteve, Fejsal Halilovi?, priti sot në një takim pune ministrin e...

Lajmet e Fundit