Përgjigja jonë do të ishte me pyetje, a jeni të sigurtë që po doni zgjedhje? Kështu ka deklaruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi duke komentuar qëndrimin e sotëm të Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Abrashi në emisionin “ReSpublika” në Tëvë1, tha se kërkesat e opozitës për zgjedhje të reja po bëhen si betejë për vendin e dytë, sepse sipas tij, as opozita nuk e konteston faktin se Vetëvendosje do të ishte partia fituese në rast se do të kishte zgjedhje të parakohshme.
“Përgjigjja jonë do të ishte me pyetje, a jeni të sigurtë që po doni zgjedhje? Kjo është. Ata mund të jenë të përgatitur por jam shumë i sigurtë që nuk janë të përgatitur për rezultatin që do të vijë. Mirëpo siç duket aty dhe pse nuk po reflekton në opinion publik ekziston një tjetër lloj beteje, kështu që nuk po na duket neve kështu që është beteja për vendin e dytë, kush do të jetë në vendin e dytë se as që e kontestojnë ata se në rast të zgjedhjeve hipotetikisht të zgjedhjeve të reja kush është i pari. Por si do që të jetë numrat në Kuvend janë, sot gjithë kanë pritë që me dështu seanca e Kuvendit, sot goxha një numër i madh i vendimeve u morën aty, kaluan një numër goxha i rëndësishëm i ligjeve që ishin në lexim të parë por edhe në lexim të dytë” tha Abrashi.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kërkoi shpërbërjen e Kuvendit, teksa shtoi se është koha që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme,
“Si Grup Parlamentar i PDK-së dhe si PDK, tashmë kemi një vendim, ku ne kërkojmë që ky Kuvend jofunksional, i cili më shumë po i shkakton dëme kësaj Republike sesa që po ndihmon në një qeverisje të mirë, duhet të shpërbëhet sa më parë. I kemi dhënë mundësinë edhe kryeministrit, nga java e kaluar, ose ta shpërbëjë Kuvendin, ose të jap dorëheqje, dhe koha është që vendin tonë, Republika e Kosovës, të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, tha ai./teve1.info./