Xhemal Ahmet
Tek aderimet, prurjet, integrimet mund të lexojmë aftësinë, gatishmërinë dhe potencialin e partive për reforma të brendshme. Çka mësuam zgjedhjeve të fundit në këtë drejtim? Cila parti del aspirator, fshesë elektrike ithtarësh, të pastrehësh e militantësh; cila prej tyre përdori metodën e “trashëgimtarëve” dhe cilat vërtet kanë kuptuar se me modelin e partive klasike nuk bëhet demokracia më?
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nuk do t’i kisha marrë si trend për fuqinë afatgjate të partive.
Bëjnë gabim partitë që nga pasioni i pakontrollueshëm për pushtet e madhësi kapërcejnë limitet e realitetit faktik, kështu duke vepruar sikur tashmë u gatuan si fuqia predominante politike e së ardhmes. Jo vetëm për zgjedhjet që vijnë por madje për histori.
Rëniet dhe ngritjet e partive aktuale nuk rezultuan për shkak të koncepteve. Përkundrazi u ndëshkuan pikërisht ato që paralajmëruan koncepte ndryshe. Kjo ndodhë kur elektori vendos i revoltuar e jo se vërtetë shpreson apo beson në diçka.
Rishpërndarja e votës ndodhi; nga njëra anë si akt mosbesimi ndaj atyre që “ndryshuan” e nuk patën mundësi ta virtualizojnë sa duhet këtë dhe nga ana tjetër u shkaktua nga tërheqja me paramendim e PDK – së si nga plotë “bastione” deputetësh të njohur ashtu dhe nga postet kyçe. Me këtë potez Kadri Veseli dëshmoi se vërtet i ka hy reformës: për hir të koalicionit ai hoqi një numër të konsiderueshëm deputetësh dështakë e të njollosur dhe për të fituar kohë ai ua paradha pushtetin tjerëve. Këtë e bëri PDK. Prandaj rritja e Nismës dhe AAK – së ka të bëjë eventualisht më shumë me këtë potez të Kadri Veselit se sa me diçka tjetër. A do të rriteshin më shumë AAK dhe Nisma nëse nuk bashkoheshin para zgjedhjeve? Me siguri. Por edhe PDK do të humbte më minimal. Trendi i rënies, mirëpo, nëse Veseli zgjidhte opsionin tjetër, i PDK – së viteve të ardhshme do të ishte më dramatik, radikal e i pakthyeshëm. Me këtë teknikë ajo do të shpëtojë.
Nga kjo taktikë e Veselit përfitoi megjithatë më së shumti natyrisht LVV. Drejt tyre u vërsulën me anëtarësime e me votë gjithë ata që nuk e parafytyrojnë dot komodimin në shoqëri pa pasur një parti në krah. Konstatimi i Milaim Zekës: “Nga analizat e listave që kam bërë, të paktën janë 40 kandidatë të listës së VV, të cilët vijnë nga radhët e PDK se. Këta njerëz, të cilët kanë qenë aktivist të devotshëm të kësaj partie, normal që me vete e kanë marrë edhe votuesin e tyre“ – është shumë i saktë!
E njëjta nuk mund të thuhet për LDK – në. Kjo ishte e para-dënuar të humbë çka do që të bënte. Kështu për arsye se nuk ofroi as ndryshimin, reformën e as rikthimin në “rrënjët rugoviste” (çka do që të nënkuptojë kjo) që e kërkojnë ulërishëm bazat e saj. Gabimin tjetër që bëri LDK duke hyrë në koalicion me një paraparti si AKR, e cila pandehet edhe nga analistë të jashtëm, ndoshta padrejtësisht, si “bërthama e subverzionit rus nëpërmjet islamit radikal politik për t’i asistuar politikës serbe në Kosovë”, do ta paguajë rëndë edhe gjatë kohë. Themi ndoshta padrejtësisht atakohen vetëm këta, ngase në LDK paska – siç thonë – edhe koka tjera shumë afine të versionit turko- e sheriatofil të politikës kosovare si Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku, i cili edhe “studimet” ia dedikon “Allahut të gjithëpushtetshmit e të madhërishëm”. Pra ky paragjykim për AKR është si duket insinuatë aq sa është edhe për personat e përmendur e vjetër e të rinj të LDK – së, të cilët dalin vetëm demagog në këtë drejtim e jo me kapacitete për të paraprirë infiltrime të tilla.
II.
Partitë janë ato që krijojnë pushtetet. Që nga formimi i tyre e deri sot flitet se ato janë të mendësisë moniste, primateske dhe klanore. Me të drejtë se ashtu janë. U mungon totalisht demokracia e brendshme në aspektin e krijimit të hierarkive. Rrëfimet që nga rrahja me karrige e deri tek marrjet në pyetje si në kohët e KOS – it nuk janë të sajuara, por të dokumentuara. Nuk ishin vetëm në LDK e LVV por gjithandej.
Këtyre zgjedhjeve disa nga partitë e kuptuan se e ardhmja iu takon atyre partive që hapen, demokratizohen, pastrohen, shkorruptohen, deklanizohen e jo më atyre të bastioneve, falangave, fiseve, diktatit e të ngjashme e tjerat as kësaj radhe nuk e kuptuan këtë. Se cilat i hyrën katarsisit e cilat jo shihet edhe nga aderimet, prurjet, integrimet, përjashtimet. Le ti shohim personat me karakteristikën dominante të tyre në partitë ku aderuan.
-
Në cilin sistem partiak mund të disiplinohet Milaim Zeka? Nuk besojmë se ka ndonjë ku ai nuk do shante e përlante sapo të besonte se zbuloi një anomali që bie ndesh me parimet e tij – kjo është marka e personalitetit të tij. Pse rrezikon një parti duke marrë atë në radhët e veta?
-
Cili është dallimi qoftë biografik, karizmatik, material apo politik ndërmjet Isa Mustafës dhe dy paraardhësve të tij si Avdullah Hoti dhe Lumir Abdixhiku?
-
Në cilin plan ideopolitik përputhet Halil Matoshi me parimet politike të AAK-së? Mund ta gjejmë ndonjë element të rastësishëm, por jo më shumë. Tek Matoshi, mirëpo karakteristika dominante personale nuk janë idetë e tij “subversive” interesante e që e futën në parti por pakorruptueshmëria e tij materiale deri në vetësakrifikim. Nëpërmjet Halilit dikush transmetonte vendosmërinë se ky është tipi ynë ideal.
-
A ka biografi ma të kundërt, më paradoksale se ajo e Arbana Xharrës në krahasim me tipin e deritashëm politik të PDK – së? Jo nuk ka. Ajo 17 vjet i ka luftuar pikërisht anomalitë për të cilët është akuzuar përherë partia. Ndryshoi ajo apo partia? Kjo që nuk shihej para zgjedhjeve dëshmohet tash pas zgjedhjeve: PDK vërtet është nis ndryshimit dhe nuk e ka vetëm taktikë kozmetike.
-
Cili nga aderimet në LVV nuk është totalisht i fascinuar dhe luftarak në mbrojtje të integritetit dhe personalitetit të liderit? Donika Kada qante për Ramushin dhe vret sot për Albinin. Shumica e të aderuarve aty janë njerëz që kanë biografi partive tjera me të njëjtin militantizëm agresiv.