7.8 C
Prizren
E diel, 27 Tetor, 2024

Alice Dearing, notarja që po synon të shkruajë historinë olimpike të Britanisë

Në një mëngjes të ftohtë në dhjetor, Alice Dearing është zgjuar para lindjes së diellit për të bërë atë që bën çdo ditë të javës: për të notuar para-mbrapa, distancë pas distance, orë pas ore, në pishinën e universitetit të saj. Anglia është në mes të një pandemie globale, por 23-vjeçarja ka historinë në sytë e saj.

Në vitin 2021, Dearing mund të bëhet notarja e parë zezake që përfaqëson Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut në Lojërat Olimpike, shkruan CNN. Vetëm dy notarë zezakë kanë përfaqësuar Britaninë në Lojëra Olimpike – Kevin Burns në vitin 1976 në Montreal dhe Paul Marshall që fitoi medaljen e bronztë në Moskë katër vjet më vonë.

“Ky është një shans për të bërë një ndryshim pozitiv dhe të larmishëm në një sport për Britaninë. Është një mundësi madhështore për ta përfaqësuar komunitetin zezak në sportin e notit”, insiston Dearing.

Si personi i vetëm zezak në ekipin britanik të notit, Dearing ka gjetur inspirimin e saj te fitueset e medaljeve të arta olimpike, amerikanet Cullen Jones e Simone Manuel dhe Alia Atkinson nga Xhamajka.

“Nëse mund të ndihmoj në ndonjë mënyrë të shfaq atë që notarët zezakë mund ta bëjnë, atëherë unë dua të jem ajo”, shtoi Dearing.

Synimi i parë i Dearingut është maratona që do të mbahet në maj të vitit ardhshëm në Japoni e që është garë kualifikuese për Lojërat Olimpike. Dearing planifikon që të jetë britanikja me plasmanin më të mirë në këtë garë, arritje kjo që do t’i siguronte automatikisht një vend në LO “Tokyo 2020”.

Ndërsa garon në ujëra të hapura, Dearing stërvitet nëntë herë në javë në pishinë nën vëzhgimin e trajnerit Andi Manley në Universitetin Loughborough në East Midlands – baza e saj që nga viti 2015. Si një qendër e njohur elitare e trajnimit, pishina dhe palestra e saj përjashtoheshin nga kufizimet në Angli, duke u mundësuar atletëve me performancë të lartë të vazhdojnë me oraret e tyre të stërvitjeve. Gjatë seancës së saj të notit, Dearing rrëshqet nëpër ujë pa u përpjekur shumë, duke përfunduar çdo stërvitje me saktësi ushtarake. Nuk ka fare stres, përkundër që në atë pishinë ka fotografi të mbajtësve të rekordeve dhe emra të olimpistëve. Madje, pishina ku stërvitet Dearing njihet ndryshe si “pishina e ëndrrave”. Vajza e një nëne nga Gana dhe një babai britanik, Dearing ra në dashuri me notin në moshën pesëvjeçare dhe i beson nënës së saj, një notare e mprehtë, dhe babait të saj që nuk ka lidhje me notin por e përkrah fuqishëm.

“Të kesh dy prindër shumë mbështetës të cilët dëshirojnë të jem e suksesshme, është e arritura e madhe në karrierën time. Me ndihmën e tyre unë synoj të shkruaj historinë”, thotë ajo.

Përkundër rritjes në një komuniteti të larmishëm në Birmingham, qyteti i dytë më i madh i Anglisë, Dearing dhe nëna e saj ishin shpesh të vetmet zezake në stërvitjet e notit, gjë që binte në sy te të tjerët. Ajo tregon se përvoja në not ka qenë kryesisht pozitive, por se ka përjetuar edhe racizëm në sport.

“Kam dëgjuar që një trajner më quajti zezake, por është një trajner që nuk e njoh. Në përgjithësi, unë kam pasur një përvojë vërtet të mirë në not”, insiston Dearing.

Sipas Federatës së Notit të Anglisë, vetëm një për qind e notarëve garues të regjistruar janë zezakë ose të përzier.

“Njerëzve u është thënë se kockat tona janë shumë të dendura, fundosemi kur futemi në ujë dhe se noti nuk është për ne. Është racizëm sistematik “, vazhdon Dearing.

Në fillim të këtij viti, Dearing, një kampione botërore për juniore në ujërat e hapura nga viti 2016, bashkëthemeloi Shoqatën e Notarëve Zezakë (BSA), që inkurajon pjesëmarrjen në not dhe punon për të parandaluar mbytjen e zezakëve në ujë.

Gjatë katër vjetëve të ardhshëm, BSA planifikon të zvogëlojë përqindjen e të rriturve dhe fëmijëve zezakë që nuk notojnë në Angli. Aktualisht vetëm pesë për qind e zezakëve notojnë kurse këtë numër BSA po planifikon ta rritë në 25 për qind.

“Është një sfidë e madhe, veçanërisht me pengesat e Covid-19. Por unë me të vërtetë mendoj se me partnerët me të cilët po punojmë, mund të arrijmë synimet që i kemi si shoqatë bamirëse”, thotë ajo.

“Ne duam t’i mësojmë të gjithë të notojnë dhe kjo shumë është e rëndësishme për të ardhmen e këtij sporti”.

Duke qenë se është notarja më e famshme zezake në Britani, Dearing ka synime të mëdha. Ajo gjithashtu po studion për diplomën e masterit në mediat sociale dhe komunikimin politik.

“Mundësia që unë kam me kualifikimin potencial në Lojërat Olimpike si femra e parë zezake që përfaqëson Britaninë në këtë ngjarje, është një shans i madh për të bërë ndryshime rrënjësore”, thotë Dearing. “Thjesht, ka të bëjë me përdorimin e zërit tim për ndryshim pozitiv”.

Sapo të hiqen kufizimet e Covid-19 dhe pishinat lokale të notit të rihapen për publikun e gjerë, Dearing shpreson të shohë më shumë njerëz që provojnë të notojnë. Ndërsa ajo e pranon rëndësinë e punës së saj të avokatisë, Dearing dëshiron që trashëgimia e saj të përqendrohet në arritjet e saj si notare në vend të ngjyrës së lëkurës.

“Kështu që, në planin afatgjatë, unë pa dyshim që dua të kujtohem vetëm si notare, jo si notarja me ngjyrë që garoi për Britaninë”, thotë Dearing.

Më Shumë

Basketbollistja Gerta Hoti pritet nga kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi e ka pritur në takim basketbollistën e talentuar, Gerta Hoti së bashku me babain e saj, Agron...

Policia shqiptoi 2216 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 2216 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Njeriu i Harruar

Lajmet e Fundit