28.5 C
Prizren
E martë, 24 Qershor, 2025

Analistët: Kadri Veseli do të ecë rrugës së Hashim Thaçit

“Gjasat janë zero për të parë ndryshime pozitive në vend edhe me këto ndryshime në kupolën e PDKsë. Kadri Veseli do të ruajë punën po me këtë profil ministror që ka PDKja në Qeveri, me do basketbollistë e repera. Nëse ka vullnet tjetër, atëherë duhet bërë reformim kadrovik jo vetëm në Qeveri, por edhe në PDK”, tha analisti politik Blerim Burjani për “Kosova Sot

Pesimistë për të ardhmen e partisë më të madhe

Konventa zgjedhore e PDK-së pritet të zhvillohet më 7 maj, vetëm sa për të konfirmuar edhe zyrtarisht zgjedhjen e Kadri Veselit për kryetar të ri të PDK-së, në zëvendësim të Hashim Thaçit, të zgjedhur president. Veseli deri më tani ishte në pozitën e zëvendëskryetarit të partisë, një zgjidhje statusore, të cilën nuk e kanë praktikuar deri më tani asnjë nga subjektet politike kosovare. Ndryshimet në kupolën e kësaj partie, sipas analistëve politikë, nuk do të reflektojnë ndonjë ndryshim pozitiv dhe reforma dobiprurëse për qytetarin, për qeverisje më të mirë të vendit në të ardhmen. Sipas analistëve, marrja e pozitës së të parit në PDK nga ish kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli, nuk do të ndikojë aspak që të ndodhë ndarja nga kapja e shtetit, të cilin e akuzojnë opozita dhe shoqëria civile se e kanë kapur vetë Veseli dhe kryesia e kaluar e PDK-së me strukturat e SHIK-ut. Analisti politik Blerim Burjani konsideron se kreu i ri i PDK-së do të mundohet që të shkojë në të njëjtit binarë të trasuar nga Hashim Thaçi, vetëm sa do të krijohen akoma më shumë mundësi për shtresimin e strukturave të SHIK-ut në organet drejtuese të PDK-së.

“Gjasat janë zero për të parë ndryshime pozitive në vend edhe me këto ndryshime në kupolën e PDK-së. Kadri Veseli do të ruajë punën po me këtë profil ministror që ka PDK-ja në qeveri, me do basketbollistë e repera. Nëse ka vullnet tjetër, atëherë duhet bërë reformim kadrovik jo vetëm në qeveri, por edhe në PDK”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

Dyshime serioze për lidershipin e ri Ndryshime pozitive dhe reforma në PDK me kryetarin Veseli nuk sheh as politologu Arsim Haziri. “Kadri Veseli, për dallim prej Thaçit, përfaqëson ndjenjë të frikshme, pasi për vite të tëra ka kryesuar një organizatë, e cila ende nuk është bërë publike për nga veprimtaria e saj operuese, prandaj funksionaliteti i saj nënkupton dyshime serioze”, ka thënë ai.

“Në kontekstin e pritshmërisë, se a mund të organizojë reformim të tërësishëm që të mund të sjellë progres, siç edhe është shprehur ditë më parë edhe vetë ai, mendoj se e ka të pamundur”, theksoi Haziri. “Ndërsa edhe në botëkuptimin intelektual dhe karizmatik ai dukshëm çalon dhe çdo pritshmëri përjashton mundësinë e mosndikimit nga ana e Hashim Thaçit për çdo iniciativë partiake”, tha politologu Arsim Haziri. Analisti tjetër, Faik Krasniqi, konsideron se derisa Kadri Veseli, ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), u anëtarësua krejt vonë në strukturat e partisë, pritet edhe zyrtarisht të konfirmohet kryetar i PDK-së, pasi ka ndikim të madh në parti. Sipas Krasniqit, Veseli do të mundohet me çdo kusht që duke qenë në krye të PDK-së ta përmirësojë imazhin e tij personal, aq sa mundet, nga e kaluara e dyshimtë në krye të SHIK-ut, duke lënë përshtypjen e reformatorit pozitiv të PDK-së.

“Me Veselin në krye të PDKsë kjo parti nuk do të ketë ndonjë dallim të madh sesa me Thaçin kur ishte kryetar i kësaj partie. Ai një gjë do ta bëjë, do të mundohet të tregohet më i moderuar se Thaçi, por njëkohësisht edhe partinë ta freskojë me njerëz nga shoqëria civile, duke i zëvendësuar me njerëz të afërt me Thaçin, sepse i duhet ta rregullojë imazhin e tij si ish-kreu i SHIK-ut, i akuzuar për vrasje politike nga LDK-ja dhe i etiketuar nga partitë e tjera si kreu i nëntokës”, tha Krasniqi

Më Shumë

Promovohet libri “Historia e Muzikës Rock ‘n’ Roll në Kosovë – Vitet ‘60”

Në një atmosferë të mbushur me emocion, kujtime dhe debat të frytshëm kulturor, u mbajt mbrëmë eventi i promovimit të librit “Historia e Muzikës...

Bajram Kastrati jep dorëheqje nga AAK- ja në Prizren, pas 17 vjetësh angazhim politik

Asambleisti i Kuvendit Komunal të Prizrenit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bajram Kastrati, ka bërë të ditur se ka dhënë...

Lajmet e Fundit