13.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Analistët: Qeveria komode, opozita e dobët

Opozitë e pakoordinuar, e paharmonizuar dhe pa ide që mund të sfidojnë Qeverinë Mustafa. Kështu i vlerësojnë analistët politikë tri partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën.

Që në fillim të mandatit të tij si kryeministër, Isa Mustafa u përball me protestat e organizuara nga opozita, protesta të cilat opozita ka paralajmëruar se do t’i vazhdojë edhe më tej. Por, analistët politikë, thonë se qasja e opozitës i krijon komoditet qeverisë. Qeveria është komode edhe duke pasur parasysh numrin relativisht të vogël të deputetëve të opozitës në Kuvend. Por Analisti Artan Muhaxhiri thotë se edhe qasja e opozitës ia krijon këtë komoditet Qeverisë.

“Zoti Mustafa mund të jetë komod sepse me këtë gjendje të opozitës, me këtë pafuqi edhe publike të opozitës, që të shndërrohet në një faktor të rëndësishëm politik, zoti Mustafa nuk ka arsye të brengoset shumë për qëndrueshmërinë e qeverisjes së tij, sepse nuk ka një rrezikim të dukshëm nga opozita”, tha Muhaxhiri.

Sidoqoftë, sipas analistit Dren Doli, Qeveria nuk mund të jetë komode karshi protestave të opozitës, por ai thotë se protesta nuk është modeli më i mirë që opozita në Kosovë duhet ndjekur.

“Do të ishte e udhës që opozita mos ta bëjë aq komode qeverinë Mustafa edhe në kuptim të sfidimit të ideve të tyre për reformat në Kosovë. Kjo është shumë e domosdoshme për Kosovën në këtë moment dhe natyrisht protestat mund të jenë një element tjetër suplementar i një strategjie shumë më dinamike të partive opozitare”, u shpreh Doli.

Gjithsesi, analistët nuk e shohin qasjen e opozitës, si të duhurën për t’iu kundërvënë Qeverisë. Madje e shohin si qasje që i bën dëm vetë opozitës. Sidomos, sipas analistit Artan Muhaxhiri, e dëmshme për opozitën është mungesa e koordinimit të partive opozitare, mungesa e ideve dhe prezantimi vetëm i disa kërkesave që sipas tij, janë shpeshherë të parealizueshme.

“Një qasje e tillë e opozitës, është krejtësisht joproduktive dhe nuk e fuqizon atë, por përkundrazi e paraqet si një opozitë që më shumë mjaftohet me aksione simbolike sesa me një platformë konkrete dhe reale për ta sfiduar Qeverinë Mustafa”, tha Muhaxhiri për Radio Kosovën.

Kurse, Dren Doli thotë se është shumë e rëndësishme që partitë opozitare të përcaktojnë objektivat e qarta të agjendës së tyre opozitare, gjë e cila sipas tij, i mungon kësaj opozite.

“Secila prej këtyre partive ka qëllime tjera opozitariste dhe natyrisht e veçanta e kësaj opozite mbetet Vetëvendosje, e cila shpeshherë po shfrytëzohet nga AAK-ja për qëllimet e saj politike”, tha Doli për Radio Kosovën.

Ndryshe, javë më parë partitë opozitare organizuan protestën me disa kërkesa për Qeverisë duke i dhënë afat dyjavor, por që asnjë prej kërkesave nuk u realizua. Të shtunën në konferenca të ndara dy partitë më të mëdha opozitare, Vetëvendosje e AAK kanë paralajmëruar se protestat do t’i vazhdojnë, por nuk është e bërë e ditur data e saktë. Po të njëjtën ditë, kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se Qeveria nuk punon sipas afateve të opozitës, por sipas programit të saj qeverisës dhe se në mënyrë stabile do ta çojë mandatin deri në fund./RTK/

Më Shumë

Lajmet e Fundit