Tre persona të dyshuar për grabitje, janë arrestuar nga policia në Prizren.Zëdhënësi i PK-së, Hazir Berisha tha se arrestimi i tyre është bërë pas hetimeve disa mujore të policisë. “Me datën 22 tetor të vitit të kaluar, në rrugën “Azem Hajdari”, në marketin “Braha” në Prizren, pati ndodhur një grabitje e armatosur, me ç’rast tre të dyshuar me kapela të zeza në kokë dhe të armatosur me armë zjarri, kishin grabitur një shumë parash nga arka e marketit. Pas grabitjes, të dyshuarit kishin ikur në drejtim të panjohur”.
“Gjatë ikjes njëri nga të dyshuarit kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të paditur. Këtë e dëshmon edhe një gëzhojë e fishekut e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes nga policia e cila kishte kryer hetimet fillestare”
“Pas një hetimi disa mujorë, grupi hetimor i Stacionit policor të Prizrenit u kishte rënë në gjurmë të dyshuarve dhe sot në orët e hershme të mëngjesit është kryer një bastisje në dy shtëpi në fshatin Lubeqevë dhe një në rrugën e “Kukësit” në kërkim të provave materiale”.
“Gjatë bastisjes në një shtëpi në Lubeqevë është sekuestruar një pistoletë”.
“Tre të dyshuarit janë shoqëruar në polici dhe janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërkaq prokurori i shtetit ka nënshkruar vendimet për ndalimin e tyre për 48 orët e ardhshme”./PrizrenPress.com/