22.1 C
Prizren
E enjte, 26 Qershor, 2025

Artistët solidarizohen me regjisorin Bekim Lumi

Ditë më parë është bërë publik lajmi se regjisori Bekim Lumi ka nevojë për përkrahje financiare në mënyrë që ta vazhdojë terapinë me të cilën po e lufton sëmundjen e kancerit. Një grup artistësh e miqsh të Lumit kanë nisur një kampanjë përmes të cilës mëtojnë të mbledhin në xhirollogarinë e Lumit mjetet e nevojshme. Lajmi i shpërndarë në internet ka nxitur edhe të tjerë njerëz të vullnetit të mirë që të vendosin për t’iu bashkuar kësaj nisme, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Një nga aktivitet e para, në kuadër të së cilit synohet të mblidhen mjete për regjisorin Bekim Lumi, do të mbahet këtë të enjte në kryeqytet. Në një nga lokalet më me zë të Prishtinës, në “Zanzi Jazz Bar”, do të këndojnë Shpat Deda, Nita Latifi, Blerta Kosova e muzikantë të tjerë, me qëllim që mjetet e mbledhura nga kjo natë të jepen për Bekim Lumin.

“I dashur komunitet artistik, të etjen po mblidhemi që ta ndihmojmë regjisorin tonë Bekim Lumi, i cili është në betejë me kancerin. Plotë këngëtarë e kanë konfirmuar ardhjen pa përtesë: Shpat Deda, Dritëro Nikqi, Blerta Kosova, Nita Latifi, Mentor Haziri, e të tjerë, që do të na bashkëngjiten! Bekim Lumi ka merita të jashtëzakonshme në historinë e teatrit në Kosovë, kështu që e kemi edhe borxh moral në njëfarë mënyre!”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Qëllimit për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi i janë bashkuar edhe disa teatro nëpër qytetet shqiptare. Bëhet fjalë për ata të Ferizajt, Preshevës dhe Shkupit.

Në Ferizaj të gjitha të ardhurat që do të mblidhen nga biletat e shfaqjes “Kosovatrans”, nga tetari i Podujevës “Avdush Hasani”, me tekst dhe regji të Naser Shatrollit, që jepet këtë të mërkure, do të dedikohen për shërimin e Lumit. Njëjtë do të ndodhë edhe në Teatrin e Qytetit të Preshevës. Shfaqja “Maratonistët”, me regji të Kastriot Saqipit i dedikohet Bekim Lumit dhe i gjithë fitimi nga shtija e biletave është për të.

Nismës për ta ndihmuar regjisorin Lumi në luftën e tij me kancerin i është bashkuar edhe Teatri Shqiptar i Shkupit. Përmes faqeve të tyre zyrtare menaxhmenti i këtij teatri ka njoftuar se më 5 dhe 6 mars shfaqjet “Darka e thërrimeve” dhe “Gratë” do të kenë karakter humanitar, pasi që me mjetet e mbledhura nga këto shfaqje do të ndihmohet regjisori Lumi.

“Teatri Shqiptar i Shkup i bashkëngjitet iniciativës së komunitetit mbarëshqiptar artistik për të kontribuuar financiarisht në trajtimin mjekësor të regjisorit të mirënjohur dhe profesorit të Fakultetit të Arteve të UP-së, Bekim Lumi. Shfaqja “Darka e thërrimeve” (05 mars) dhe “Gratë” (06 mars) do të jenë të karakterit humanitar. Andaj ftojmë publikun e Shkupit të na bashkëngjitet në këtë iniciativë. Mjetet nga biletat i dedikohen regjisorit dhe profesorit, i cili ka bërë aq shumë për teatrin, artin dhe kulturën kombëtare, si dhe për edukimin e formësimin artistik të studentëve e artistëve të rinj. Çmimi i biletës është 300 denarë. Njëkohësisht në arkë do të mblidhen edhe donacione plotësuese”, thuhet në njoftimin e teatrit.

“Me art e humanizëm në ndihmë për shërimin e regjisorit Bekim Lumi.
Asnjë ndjenjë nuk është më e fuqishme, se kur bashkohet humanja dhe artistikja së bashku për një artist, profesor universitar, veprimtar dhe regjisor siç është Bekim Lumi. Atëherë ju ftojmë që me veprat e tuaja të artit pamor, letrar e muzikor të performojmë së bashku, krahas shpirtit të dëlirë të qytetarëve tanë, që të grumbullojmë mjete për shërimin e tij. Ju jemi mirënjohës për cilindo kontribut tuajin modest! Punimet mund të dorëzohen nga data: 27 shkurt deri më 14 mars 2018 në Galerinë e Arteve në Ferizaj ( e hënë – e premte) prej orës 09:00-15:00”, bën thirrje nga profili i saj në Facebook, piktorja nga Ferizaj, Laura Siner Brahimi

Që prej dy vjetësh regjisori i mirënjohur dhe Profesori i Fakultetit të Arteve të UP-së, Bekim Lumi, është duke u përballë me sëmundjen e rëndë të kancerit.

Organizatorët e nismës për ta ndihmuar atë njoftojnë se gjatë kësaj kohe, shpenzimet e trajtimit të gjatë mjekësor në Gjermani kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha dhe ato, me sforcim të madh, janë përballuar vetëm nga familja e Bekimit.

“Në këtë kuptim, regjisori dhe profesori Bekim Lumi, i cili ka bërë aq shumë për teatrin, artin dhe kulturën kombëtare, si dhe për edukimin e formësimin artistik të studentëve e artistëve të rinj, ka nevojë të ngutshme për ndihmën, solidaritetin dhe mbështetjen tonë financiare. Prandaj, ju lusim që, për aq sa keni vullnet dhe mundësi financiare, ta ndihmoni shërimin e tij, e me këtë, edhe rikthimin e tij të plotë në jetën normale private dhe profesionale”, thuhet në një letër të tyre.

Në ndërkohë, pjesërisht, ai është ndihmuar edhe nga disa artistë, miq të tij të ngushtë, si dhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës. Por, përballë kostos marramendëse të trajtimit të deritashëm mjekësor, ato ndihma tashmë janë shpenzuar.

Iniciatorët kanë njoftuar gjithashtu se shërbimet mjekësore në Gjermani kanë marrë përmasa të papërballueshme, shkaku që, veç tjerash, tash po zbatohet një terapi e veçantë, e cila, krahas analizave të shpeshta mjekësore, nënkupton trajtimin mjekësor me një ilaç, i cili kushton jo më pak se 8.500 (tetëmijë e pesëqind) Euro në muaj.

Trajtimi mjekësor me këtë ilaç zgjat të paktën një deri në dy vjet, që do të thotë se vetëm për një vjet shpenzimet për të kapërcejnë shumën e 100.000 eurove. Zëri

Më Shumë

“Gjykata Speciale”, Hasani thotë se një koalicion PDK – VV do ta votonte vetëm me një kusht

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka bërë me dije se një koalicion PDK – VV do ta votonte vetëm me një kusht. Ai ka treguar...

Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve në Prizren u bën thirrje nxënësve: Zgjedhni shkollat profesionale, ato garantojnë punësim

Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve në Prizren ka bërë një apel për  nxënësit  që kanë përfunduar shkollën fillore, që në zgjedhjen e shkollës së...

Lajmet e Fundit