3 C
Prizren
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Bacë Adem Demaçi, Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Mungesë e historisë apo histori e politizuar: Shqiptarët e kanë një problem me historinë, mungon vazhdimësia e historisë së shkruar (edhe për disa shekuj) ose, historinë e shkruajnë fituesit në përputhje me interesin politik ku antivlerat njerëzore dhe kombëtare e në disa raste edhe tradhtarët i bëjnë heronj kurse vlerat e vërteta i margjinalizojnë, deri në harresë, jo rrallë duke i diskredituar, në të gjitha aspektet. Nuk ka rast më eklatant dhe më fyes se trajtimi që i bëhet Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës në tekstet e historisë apo tekste tjera shkollore ku e tërë sakrifica, lufta, mundimet, vuajtjet etj., përshkruhen në disa rreshta. Më shumë publicitet i kushtojnë karteleve të drogës në Meksikë si Sinaloa, Zetas, Al Kapones, Pablo Eskobarit dhe mafiozëve të tjerë, se komandantëve të UÇK-së dhe heronjve të luftës çlirimtare.

Merreni me mend, sot e kësaj dite mbi varrin e Pablo Eskobarit në Kolumbi, çdo ditë vendosin lule të freskëta përkundër dëmeve të mëdha që i ka bërë qytetarëve të mbarë botës, sidomos rinisë kurse, përkundër sakrificës antologjike që e kanë bërë ushtarët e UÇK-së, për lirinë dhe të mirën tonë, kujt i bie ndërmend të dërgojë lule te varret e tyre përveç gjatë fushatave zgjedhore apo luftës së ndyrë për pushtet që bëhet midis partive politike.

E kam fjalën për heronjtë që kaluan në përjetësi kurse për të gjallët janë bërë shumë përpjekje të dërgohen në burgje, qoftë duke ua montuar proceset në Kosovë apo duke i kidnapuar, dhe sipas një skenari duke i dërguar në burgjet e Gjykatës Raciste në Hagë ku mbahen edhe sot, të privuar nga e drejta për një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht! Popujt tjerë, në mungesë të heronjve të vërtetë, i shpikin ata kurse ne, përkundër faktit që kemi aq shumë heronj, i shkeli ata për t’ua zënë vendin e tyre që me asgjë nuk e meritojmë! Serbët dhe jo vetëm ata i përkulen Varrit të Ushtarit të Panjohur, e shpikin Simonidën për t’i keqpërdorur politikisht, zviceranët e shpikin Vilhem Tellin, anglezët e shpikin Robin Hudin, malazezët e shpikin mbretin e rremë Shqepanin e Vogël dhe shumë të tjerë për faktin se një popull që nuk ka heronj, nuk ka të kaluar të sotme dhe nuk do të ketë as të ardhme. Frymëzimi dhe besimi janë shtyllat kryesore që karakterizojnë një popull që nuk përkulet as në situatat më të rënda. Shqiptarët, më herët, më shumë e kanë ruajtur historinë përmes odave, kuvendeve, tregimeve, gojëdhënave se sa përmes formës së shkruar.

Në historinë më të re të shqiptarëve e që e llogarisë nga 28 nëntori 1912, kur është shpallur Pavarësia e Shqipërisë, ata që kanë qenë më meritorët për liri dhe pavarësi, asgjë nuk kanë shkruar për veten e tyre ose fare pak kurse kundërshtarët e tyre e kanë portretizuar veten si baballarë të Kombit. Shiheni Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin, Hasan Prishtinën, Çerqiz e Bajo Topullin dhe shumë të tjerë, që asht dhe rasht e lanë për Shqipërinë dhe shqiptarinë dhe shiheni një mbret te rremë, pa rrënjë dhe trung mbretërorë siç ishte Ahmet Zogu?! Pas luftës së dytë botërore, patriotët e vërtetë, ose u vranë, ose u arrestuan, ose kaluan në emigracion kurse historinë e shkroi duke u bë njëshi i historisë, Enver Hoxha që, së bashku me Ahmet Zogun dhe Sali Berishën më së shumti e dëmtuan Shqipërinë dhe vet shqiptarët për faktin që e sunduan Shqipërinë thuaja 85 për qind të kohës, nga shpallja e pavarësisë dhe, përkundër detyrimit kushtetues, jo që nuk e bashkuan Kosovën me Shqipërinë por e dëmtuan dhe penguan këtë proces duke vrarë dhe arrestuar patriotë të devotshëm shqiptarë.

Në Kosovë historinë e shkruan Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Hivzi Sylejmani, Xhevdet Hamza, Kol Shiroka, Ali Shukriu, Sinan Hasani, Sejdo Bajramoviq, Rrahman Morina, Azem Vllasi etj., që disa u spikatën për krime ndaj shqiptarëve liridashës, kurse të tjerët, vetëm pasi u përzënë nga pushteti (Millosheviqi) filluan të bëhen patriotë! Nuk përmendej Azem Bejta dhe Shotë Galica, Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, Jahja Fusha dhe Xhafer Deva, Gjon Serreqi dhe Marie Shllaku, Mulla Idriz Gjilani dhe Shyt Mareci, Bacë Adem Demaçi dhe Metush Krasniqi dhe shumë patriotë që, me aq sa kishin mundësi kontribuuan për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Ose, përmendeshin si armiq të popullit dhe rrënues të ish- Jugosllavisë.

Kjo ishte dhe është historia e politizuar që u servohej shqiptarëve në ish-Jugosllavinë e që e shpërndanin një pjesë e madhe e të ashtuquajturve intelektualë shqiptarë! Në Kosovë, pas përfundimit të luftës së dytë botërore kur Kosova, në Kuvendin e Prizrenit dhunshëm mbeti nën Jugosllavinë dhe Serbinë janë tri figura që e shënuan këtë periudhë duke i dhënë kahe tjera historisë së shqiptarëve në Kosovë dhe vet Kosovës. Ishin Bacë Adem Demaçi, Ibrahim Rugova dhe Komandanti Legjendar, Adem Jashari. Të fillojmë me radhë për këto tri personalitete që u kontestuan, u hyjnizuan, u mbivlerësuan apo u linçuan publikisht.

1. Bacë Adem Demaçi: Ndonëse djali i vetëm i një familje të varfër Demaçi (vëllai i vdiq në moshë të re), u rritë nga motra Ajshe, e cila nuk iu nda asnjëherë derisa vdiq, që nga shkolla fillore e nisi angazhimin patriotik për ta vazhduar pastaj edhe në shkollën e mesme përmes organizimit konkret me synim që Kosova të çlirohej dhe të bashkohej më Nënë Shqipërinë. Të njëjtin angazhim e pati edhe gjatë studimeve në Beograd ku u denoncua nga shumë shqiptarë që mbanin, deri në pensionim poste me rëndësi në Kosovë, sikur ata të ishin angazhuar për çlirim të Kosovës. Ata kanë emër dhe mbiemër, janë të ditur për disa shokë dhe miq të Bacës Adem Demaçi si dhe disa institucione. Këta të pafytyrë, pas përfundimit të luftës në Kosovë kanë jetuar dhe janë trajtuar më mirë se në kohën kur i kanë shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë. E kanë gëzuar respektin e plotë, në vend që ta kenë përbuzjen e merituar, pikërisht nga ata të cilët i kanë përndjekur. Zgjatjet e tyre biologjike, bijtë dhe bijat gjithashtu i gëzojnë të gjitha privilegjet në ndërkohë që fëmijët e ish të burgosurve politikë, të veprimtarëve kombëtarë apo fëmijë të ish ushtarëve të UÇK-së, janë të papunë.

Bacë Adem Demaçi, për herë të parë u arrestua në vitin 1958 për t’u arrestuar pastaj edhe dy herë, dhe, si pasojë i mbajti mbi 28 vite burg në kampet e përqendrimit në ish Jugosllavi si në Nish, Pozharevc, Sremska Mitrovicë e sidomos në Llogorin e Stara Gradishkës ku u dërgua, jo për të mbajtur burg por për t’i lënë kockat siç i thoshin ata të UDB-së dhe drejtori i Llogorit. Stara Gradishka, në kohën kur aty ishte Bacë Adem Demaçi ishte sinonim i tmerrit dhe ferrit mbi tokë! Çdo i burgosur politik që ka qëndruar aty qoftë edhe një ditë të vetme, mund ta dëshmojë këtë! Edhe unë kam qenë në Llogorin e Stara Gradishkës nja 12-13 muaj dhe vet fakti që e kam takuar Bacë Adem Demaçin ishte dhe është kënaqësia më e madhe imja. Bacë Adem Demaçi nuk e merrte burgun si burg e as dënimin si dënim, e merrte një detyrë dhe çmim që duhet paguar drejt rrugëtimit për çlirim, liri dhe bashkim kombëtar. Këtë frymë e barte edhe te të burgosurit tjerë politikë shqiptarë, kroatë por edhe te shqiptarët e dënuar për vepra tjera e që kishin ndërruar mendje dhe bindje. Ishte autoritet që respektohej nga të gjithë dhe fjalës së tij nuk i bëhej dysh. Gjatë qëndrimit në Llogorin e Stara Gradishkës dhe pasi kishin filluar zhvillimet në krye të së cilës ishte Ibrahim Rugova, Bacë Adem Demaçi menjëherë doli në përkrahje të Rugovës duke na udhëzuar edhe neve që ta përkrahim me fjalët se: “për herë të parë po del një intelektual që me dinjitet po përfaqëson interesin e popullit shqiptar…”. Nuk kishim asnjë informatë dhe nuk e dinim kush ishte Ibrahim Rugova dhe, si të burgosur një kohë të gjatë mrekulloheshim kur dikush kishte guxim të fliste sikur që flisnin Rugova, Qosja, Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha dhe të tjerët në ato takimet në “Francuska” 5 në Beograd. Pasi dolëm nga burgu shumica e ish të burgosurve politikë nuk hymë në LDK për t’iu mos shkaktuar probleme përjashtuar këtu një grup të vogël që kishin pasur ambicie politike dhe të cilët Ibrahim Rugova i fshiu në Kuvendin e Dytë të LDK-së. Bacën Adem Demaçi asnjëherë, më shumë krahu i luftës se ai i paqes nuk u trajtua në përputhje me meritokracinë dhe ndonëse, kur kishin nevojë thoshin se Bacë Adem Demaçi është Mandela i Ballkanit dhe i Evropës, vepruan në kundërshtim të plotë me atë që qytetarët e Afrikës së Jugut bënë për Nelson Mandelën. Nelson Mandela u bë president i Afrikës së Jugut ndërsa Bacë Adem Demaçit iu pamundësua angazhimi politik dhe të gjitha postet institucionale, përveç KMDLNj-së, u shndërruan në “mollë të ndaluar” për Bacën Adem Demaçi. Deri në kohën kur kaloi në amshim dhe ia organizuan një varrim “pala – vala” që ishte vazhdimësi e trajtimit të padinjitetshëm që ia bënë Bacë Adem Demaçit.

Edhe sot Bacë Adem Demaçin e kujtojnë, e vlerësojnë dhe e çmojnë një grup shokësh kurse ata që u sillën si horra me Bacë Adem Demaçin edhe sot vazhdojnë me sjellje të njëjtë, por me metoda tjera. Prandaj, disa që në çdo manifestim që ka interes politik për ta e vizitojnë kalimthi Panteonin e Përjetësisë ku është vendosur Bacë Adem Demaçi, ndoshta do të bënin më mirë të mos shkonin fare. Ky do të ishte respekti më i madh që do t’ia bënin Bacë Adem Demaçit. Historia nuk ka filluar me ne e as që do të përfundojë me ne!

2. Ibrahim Rugova: Ndonëse me moshë nuk është shumë më i ri se Bacë Adem Demaçi, aktiviteti i tij politikë krahasuar me Bacën është thuaja i papërfillshëm, nuk ka zgjatur as sa gjysma e burgut që e ka mbajtur Baca. Po mendoj aktivitetin për Kosovën dhe shqiptarët sepse, deri në vitin kur ishte bërë diferencimi ka qenë pjesë e politikës që ka bërë diferencime dhe që e ka glorifikuar, me shkrime shokun Tito, njërin ndër kriminelët më të mëdhenj të shekullit njëzetë. U bë figurë karizmatike për faktin që rreth vetes e krijojë një rreth mistikë sikur që përfaqësonte një shumicë që nuk e donte luftën por se mendoni se liria do të pikte nga qielli. Asnjëherë nuk kam thënë se Ibrahim Rugova nuk e ka dashur lirinë e Kosovës, se ka qenë kundër saj por e kam thënë se, për dallim nga Bacë Adem Demaçi që 24 orë ka qenë në gjendje të sakrifikohet, Ibrahim Rugova 24 orë ka qenë në gjendje të mos sakrifikohet. Si intelektual, nuk e ka dashur luftën, nuk e ka përkrahur luftën dhe po të pyetej Rugova, në Kosovë nuk do të kishte luftë, së paku në 500 vjetët në vijim. Edhe kur në skenë doli e lavdishmja Ushtri Çlirimtare e Kosovës dhe kur u shterën të gjitha përpjekjet paqësore, Ibrahim Rugova, as si president e as si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, nuk ishte në gjendje të marrë përgjegjësi që i takonin sipas Kushtetutës së Kaçanikut. E them me përgjegjësi se, nëse Rugova në atë kohë do të vihej në krye të luftës çlirimtare, lufta do të kishte tjetër rrjedhë dhe përfundim më të mirë. Ibrahim Rugova nuk e kishte konkurrent Bacë Adem Demaçin por e kishte konkurrent pavendosmërinë e tij për të marrë përgjegjësi kombëtare dhe shtetërore. Megjithatë është figurë që ka ndikuar në rrjedhat e historisë por në asnjë rrafsh nuk mund të krahasohet me Bacë Adem Demaçin apo Adem Jasharin!

3. Adem Jashari – Komandanti Legjendar: Është forma dhe përmbajtja e luftës për çlirim, liri dhe bashkim kombëtar. Në historinë e shkruar por edhe të pashkruar botërore nuk ka rast të ngjashëm me sakrificën e Adem Jasharit, familjes Jashari që luftuan dhe ata që ishin me familjen Jashari në çastet e sakrifikimit të papërsëritshëm. Mjafton ta shkruash emrin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe i ke thënë të gjitha. E ke vulosur këtë pjesë të historisë dhe ke krijuar një të ardhme të paimagjinueshme. Nuk kam fjalë tjera!

Ibrahim Rugova si pykë midis Bacë Adem Demaçit dhe Adem Jasharit: Tash mund ta shihni renditjen e personaliteteve në titullin e shkrimit dhe pse kam bërë kështu? Që nga mbarimi i luftës është një qëllim që të margjinalizohet roli i Bacë Adem Demaçit por edhe i Adem Jasharit përmes fuqizimit të Ibrahim Rugovës. Janë bërë dhe po bëhen përpjekje që të bëhet një dyshe që ka qenë përcaktuese për lirinë dhe çlirimin e Kosovës; Ibrahim Rugovë me Adem Jasharin që është kombinimi më i palogjikshëm i mundshëm, më i panatyrshmi dhe që nuk kanë thuaja asgjë të përbashkët, ose kanë shumë pak të përbashkët duke e margjinalizuar Bacë Adem Demaçin. Bacë Adem Demaçi dhe Komandanti Legjendar, Adem Jashari janë shqiptarë që lindin çdo 1000 vjet, ndoshta edhe më shumë se aq. Nëse liria dhe sakrifica paskan emër ata janë: Bacë Adem Demaçi dhe Komandanti Legjendar Adem Jashari. Këta do t’i mbijetojnë çdo furtune, çdo zhvillimi, çdo shekulli apo mijëvjeçari. Për të gjithë ata që e duan lirinë, shqiptarë qofshin apo qytetarë të gjithë botës. Ju mund të keqpërdorni politikën, mediat dhe institucionet që i sundoni por asnjëherë nuk do ta keni kapitalin 30-vjeçar të burgjeve të Bacë Adem Demaçit për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar. Sikur edhe 40 vjet të tjera të aktivitetit kombëtar të Bacës, përjashtuar vitet e burgut. Pikë! Ju mund të mos i ndërtoni përmendore Komandantit Legjendar Adem Jasharit në Prishtinë por nuk do ta arrini respektin, vlerësimin dhe dashurinë për kryeluftëtarin e UÇK-së, Adem Jasharin. E kam fjalën për ata që e duan lirinë. Për ata që e duan batakun, nuk mund të presësh asgjë. Për aq kohë sa të jetë njerëzimi, veprat e Bacë Adem Demaçit dhe Komandantit Legjendar, Adem Jasharit do të jenë të pavdekshme sepse janë bërë pjesë e përjetshme e ADN-së shqiptare!

Më Shumë

Kryeparlamentarja e Shqipërisë: Kam lindur në Tiranë por me shtëpi zemre jam nga Prishtina e Prizreni

Sot po mbahet seanca e përbashkët e kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë. Kryetarja e Kuvendit...

Suhareka e refuzon kërkesën e Ballkanit që “Xhebrailat” të jenë në derbi

Tifozëri të tyre zyrtare nuk kanë. Por FC Suhareka po dëshiron që në derbin e qytetit, edhe Ballkani të luaj pa mbështetësit e tyre të...

Lajmet e Fundit