19.8 C
Prizren
E martë, 21 Maj, 2024

Begaj: Komuna e Malishevës, do të jetë e para, që do ta zhduk korrupsionin

RagipBegaj-kryetariMalishevesKorrupsioni do të zhduket dhe Malisheva do të jetë komuna e parë që do të bëjë këtë, ka thënë kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, në një intervistë për Radio Kosova e Lirë (RKL). “Unë jam shumë i bindur që korrupsioni në komunën e Malishevës do të zhduket, ky në të vërtetë ka qenë edhe premtimi im gjatë fushatës. Kërkoj ndihmën e të gjithëve në këtë drejtim. Ju garantoj se komuna e Malishevës do të jetë e para që ka për ta zhdukur korrupsionin, Malisheva do të jetë model për komunat tjera për një mirë qeverisje pa dukuri negative e pa korrupsion”, ka thënë Begaj.

Në vazhdim, intervista e plotë e kryetarit Begaj, dhënë për Radio Kosova e Lirë (RKL):

RKL: Kryetar keni filluar qeverisjen komunale para disa muajsh cilat kanë qenë problemet me të cilat jeni përballur?

Begaj: Të gjitha komunat por edhe komuna e Malishevës ka probleme me të cilat ballafaqohet. Ndër problemet kryesore është varfëria e skajshme, papunësia e rëndon dukshëm komunën tonë ngase nuk ka ndonjë fushë-veprimtari e cila punëson njerëz. Këto janë probleme që kërkojnë qasjen edhe të nivelit qendror, prandaj Qeveria e Kosovës duhet të ketë një program adekuat, ngase ne si komunë vetëm nuk mund ta zgjidhim këtë çështje. Me ardhjen tonë në qeverisje, ne në komunë kemi ndryshuar shumë gjëra, duke filluar nga kontaktet nëpër fshatra që nga ditët e para të qeverisjes me ç’rast shohim se cilat projekte duhet të kenë prioritet.

RKL: Prej kur keni ardhur në qeverisje keni shkurtuar edhe shpenzimet?

Begaj: Po, ne kemi bërë shkurtime të shpenzimeve të panevojshme. Kemi arritur që 80%,  të shpenzimeve të panevojshme t’i shkurtojmë si shpenzimet e derivateve dhe gati në të gjitha kategoritë janë bërë zvogëlimet. Por krahas kësaj kemi arritur të rrisim punën. Në krahasim me qeverisjen e kaluar ne punojmë  me shumë përkushtim.

RKL: Problem në komunën tuaj janë edhe ethet hemorragjike “Krime Kongo”, cilat janë angazhimet në këtë drejtim?

Begaj:  Është një situatë brengosëse jo vetëm për Malishevën por për gjithë Kosovën. Kjo epidemi po e rëndon Malishevën më së tepërmi, ne e kemi pasur një fat të keq ngase prania e rriqrave në zonën e Malishevës është më shumë e përqendruar. Ne po bëjmë maksimumin e përpjekjeve tona për parandalimin e tyre aq sa kemi mundësi, por preventivë kryesore është edhe ruajtja e vetë personave nga pickimi i rriqrave . Qeverisja jonë komunale ka pasur një sërë takimesh. Kemi zhvilluar takime nëpër njëzet fshatra, pastaj në çdo shkollë të komunës sonë kemi pasur takime ku kemi biseduar rreth Etheve hemorragjike. Përpjekjet tona nuk po mungojnë, por edhe Qeveria e Kosovës është më aktive sivjet  ku është krijuar një këshill ndërministror, pastaj Instituti i Shëndetit Publik pothuaj çdo javë janë në Malishevë. Aktivë në këtë fushë është edhe faktori ndërkombëtar si Turqia, pastaj edhe KFOR-i gjerman  që ka sjellë ekspert për këtë lami. Po shpresojmë se sivjet do të ketë një angazhim shtesë në këtë drejtim. Një gjë e dimë se qytetarët tanë janë të rrezikuar. Vitin e kaluar kemi pasur gjashtë vdekje, e sivjet gjatë këtyre ditëve kemi pasur mbi 100 pickime. Dimri ishte i butë dhe kjo ka ndikuar që rriqrat të jenë aktive edhe gjatë dimrit.

RKL: A ka filluar spërkatja?

Begaj: Janë bërë të gjitha përgatitjet, por për shkak të reshjeve  që kanë  filluar po shtyhet procesi i spërkatjes. Ne jemi të gatshëm që të përfshijmë gjithë territorin më spërkatje. Në plan ka qenë edhe një spërkatje nga ajri por kjo nuk është pëlqyer nga Instituti i Shëndetit Publik ngase do të kishte  pasoja në njerëz. Komuna e Malishevës do të bëjë spërkatjen selektive  nga toka posa të ofrohen kushtet atmosferike, me këtë rast do të bëhet edhe spërkatja e stallave ngase dihet se edhe bagëtia janë bartëse të tyre . Do të bëjmë të pamundurën që të ndërpremë rrugën ë tyre.

RKL: Cilat janë prioritete tuaja për këtë vit?

Begaj: Kemi shumë projekte në komunën e Malishevës në realizim e sipër, projekte të cilat kanë mbetur pa u kryer por është duke u punuar për finalizimin e tyre. Janë shpallur tenderë për disa shkolla, të tjerat janë në procedurë e sipër. Fillimisht janë projektet për shkollën e Gollubovcit e cila është në kushte shumë të rënda, shkollën e Damanekut të cilën e ka marrë BE-ja për ndërtim, pastaj shkolla e Carrallukës e Bubavecit, që të gjitha sivjet do të fillojnë së ndërtuari. Nga viti i kaluar janë në ndërtim edhe shkollat e Shkozës dhe Vërmicës, të cilat sivjet do të përfundohen. Projekte tjera janë edhe ujësjellësi i fshatit Drenoc ngase deri tani nuk ka pasur asnjëherë. Është shpallur tenderi dhe faza e parë do të përfundoj deri në qershor, e kemi fazën tjetër nga Seniku ngase me Hidro Regjionin e Prizrenit e kemi një marrëveshje me ç’rast do të investohen një milion e njëqind mijë euro, pra në ujësjellësin e Drenocit. Është marrë vendimi që të tenderohen edhe ujësjellësit për 20 fshatra, pra të përfundohen ato që janë duke punuar por edhe ato që kanë nevojë të përmirësohen, e gjithë kjo shkon në akord më nevojat e bashkë fshatarëve  të komunës sonë. Janë katër rrugë në proces e sipër, në Vërmicë një lagje e Ukajve e cila ka qenë shumë larg rrugës së asfaltuar do të asfaltohet këtë vit; rruga e Kodralive në Kravasari, ku është një lagje në gjendje të rëndë nëpër të cilën kalojnë nxënësit, andaj sivjet pritet të përfundohet. Pastaj disa rrugë në fshatin Tërpezë dhe Bardh, katër rrugë do të përfundohen këtë vit. Poashtu edhe ujësjellësi në fshatin Astrazub dhe Pagarushë duhet të rregullohet. Besoj se brenda këtij viti do të finalizohen…

RKL: A ka komuna e Malishevës potenciale të mjaftueshme për një zhvillim ekonomik?

Begaj: Nuk dua t’i bëj qejf vetës dhe askujt tjetër, ngase Komuna e Malishevës është një regjion i varfër, nuk ka  shumë kapacitete zhvillimore por mund të them se synimet tona janë që ne ta mbështesim bujqësinë. Fatkeqësisht këto kohët e fundit kemi pasur disa dëme në pemëtari për shkak të kushteve atmosferike, por ne nga komuna do t’i mbështesim me buxhetin dhe mundësitë që kemi. Buxheti aktual është dyqind mijë euro por shpresojmë se do të rritet buxheti me ndihmën edhe të nivelit qendror. Ata që punojnë në bujqësi për mbajtjen e familjeve të tyre ata e ngritin edhe shtetin tonë, prandaj ata njerëz duhet mbështetur ngase ne ende mbahemi nga importi e tokat tona janë djerrina, kjo është një fatkeqësi që nuk duhet lejuar. Një shtet që jeton nga doganat ai është shtet i varfër.

RKL: Kur flasim për zhvillimin bujqësor a është subvencionuar komuna e Malishevës nga MBPZHR-ja, ose të paktën a keni konkurruar me ndonjë projekt?

Begaj: Po kemi disa projekte, ndërsa pritet që investimet në komunën e Malishevës të jenë rreth pesëqind mijë euro nga niveli qendror, ngase buxheti komunal është i varfër dhe nuk mjafton.

RKL: Cilat janë objektivat tuaja për rininë malishevasve?

Begaj: Ashtu siç është vetë pozita e Malishevës, edhe gjendja e rinisë nuk është e kënaqshme. Ne po përpiqemi t’i mbështesim aktivitetet e tyre, kërkesat e tyre do t’i përkrahim në përputhje me mundësitë që kemi. Për të gjitha kategoritë e sportit është bërë ndarja e buxhetit, si për futboll, basketboll, klubi i femrave që është shumë aktive, pra përkrahja e jonë nuk do të mungoj.

RKL: Komuna e Malishevës deri tani ka punuar disa projekte për kategoritë e dala nga lufta, por ju a mendoni se ka ende për tu bërë në këtë drejtim?

Begaj: Është shumë brengosëse gjendja e disa bashkëluftëtarëve tanë të cilët kanë qenë në vijat e frontit bashkë me ne, e sot janë pa asnjë përkujdesje. Fillimisht kur e ka marrë pushtetin PDK-ja, atëherë në Malishevë u ka ndarë troje e disa lokale ku disa luftëtarë e kanë gjetur mirë vetën, por nuk mjafton kjo. Ne do të jemi gjithmonë në përkrahje të atyre që bënë shumë për këtë liri që po e jetojmë sot. Shoqëria jonë u ka shumë borxh atyre personave. Nuk duhet harruar kontributi i tyre duhet kthejmë kokën pas dhe të dimë ku ishim dje ngase ata janë më meritorët, e të mos flasim për dëshmorët e familjet e tyre ngase ata kanë një përkrahje por ajo është shumë e pakët.

RKL: Kryetar, si është gjendja aktual në fushën e arsimit dhe shëndetësisë?

Begaj: Në fushën e arsimit përmirësimi i infrastrukturës do të jetë prioritet i yni. E kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris se shkolla duhet de-politizuar, do të përpiqem të bëjë depolitizimin e tyre, ngase politika e shkollës është arsimimi i brezave. Pa një zhvillim të arsimit nuk ka as zhvillim të vendit, të kemi kuadro sa më cilësore dhe të jemi krahas vendeve në zhvillim. Ne kemi disa nxënës me arsim superior që janë në shtete tjera, ne i kemi mbështetur dhe i mbështesim financiarisht. Sa i përket shëndetësisë edhe këtu po punohet mjaftë mirë, janë kompletuar disa kuadro, por brengosëse për komunën e Malishevës është mungesa e gjinekologëve, e për këtë reparti i gjinekologjisë nuk funksionon si duhet. QKMF në Malishevë qëndron mirë, ku dhe kemi bërë një kontratë me Caritas-in, e cili na ka ndihmuar mjaftë. Në Kijevë është aktivizuar edhe ndërrimi i dytë e kështu me radhë.

RKL: Kryetar cila do të ishte porosia juaj për fund?

Begaj: Unë personalisht brengosem për të papunët e jo për ata që janë në punë dhe i kanë rrogat e vogla. Unë jam shumë i bindur që korrupsioni në komunën e Malishevës do të zhduket, ky në të vërtetë ka qenë edhe premtimi im gjatë fushatës. Kërkoj ndihmën e të gjithëve në këtë drejtim. Ju garantoj se komuna e Malishevës do të jetë e para që ka për ta zhdukur korrupsionin, Malisheva do të jetë model për komunat tjera për një mirë qeverisje pa dukuri negative e pa korrupsion.

Më Shumë

Thaçit i shkojnë për vizitë në Hagë prindërit e tij

Prindërit e ish-presidentit Hashim Thaçi kanë shkuar sot për një vizitë në Hagë. Haxhi dhe Hyrë Thaçi kanë vizituar djalin e tyre, i cili po...

25 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

Më 16 maj 1999 në rrethana ende të pandriçuara është zhdukur Ukshin Hoti. Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më...

Lajmet e Fundit