14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Berisha: S’kam koment për nivelin kulturor në Kosovë

Bujar Berisha-TrojaBujar Berisha, vokalisti i grupit “Troja”, në intervistën e dhënë për KultPlus është shprehur tejet skeptik për zhvillimet në Kosovë, të cilat, sipas tij, po reflektojnë edhe në fushën e kulturës. “Çka po ta bojka i joti s’po ta bojka as hasmi”!, është përgjigja e Berishës në pyetjen se thirrja demokraci ka qenë më e dhimbshme në vitet e 90-ta, apo e viteve të fundit, gjithnjë duke u bazuar në titullin e këngës së fundit që ka pikërisht titullin “Demokraci”. Ai më pas e ka quajtur Kosovën “vrimë të zezë”, sikurse që ka diskutuar edhe mbi videoklipet lakuriqe të estradës kosovare. Sipas tij, nëse vazhdohet me këtë lloj qeverisje atëherë si rezultat do të kemi një popull të ndarë në dy kategori ekstreme; në Talebanë (super të veshur) dhe Turbo-follkerë (super të zhveshur).

KultPlus: “Demokraci”, thërrisni me këngën e fundit, term ky jo i panjohur për popullin shqiptarë. Pasi edhe teksti është punuar nga vete grupi, cila thirrje është më e dhimbshme, ajo e viteve të 90-ta apo kjo e ditëve të sotme?

Bujar Berisha: Thirrjet për Demokraci në Evropë kanë përfunduar me përfundimin e luftës së dytë botërore… përveç vendeve të Ballkanit, fatkeqësisht. Pas zhvillimeve politike në këto dy dekadat e fundit edhe në Ballkan shohim një kthesë mjaft pozitive në shumicën e vendeve, përveç vendeve ku jetojnë shqiptarët. Duke i pas parasysh të gjitha këto zhvillime e njëkohësisht ngecjen tonë si popull në të gjitha sferat e jetës, atëherë në përgjigjen tuaj do të përgjigjem me një thënie popullore “Çka po ta bojka i joti s’po ta bojka as hasmi”!
KultPlus: Ju famën gjithëshqiptare e arritët me këngën “Amaneti i Cloënit”, por pasi vazhdoni të krijoni këngë me porosi të tilla, po nënkuptohet se vështirë po ndryshojnë gjërat, pse gjithë kjo heshtje?

Bujar Berisha: Është mjaft i dhimbshëm fakti që në trevat ku jetojnë shqiptarët ,,Krimineli” është shndërruar në ,,Idhull”. Udhëheqësit që kanë qeverisë në këto troje janë përkujdes mjaft mirë që ti përdhosin dhe ti privatizojnë institucionet e drejtësisë për qëllime të tyre personale e private. Pasi kanë përfituar titullin e të ,,Paprekshmëve”, kjo u ka shërbyer që me lehtësi të ju fusin frikën në palcë popullit ( siç ka bërë UDB) me tendencë të krijimit të një sundimi të përjetshëm (si V.Putin e T.Erdogan).

KultPlus: Në videoklipin e këngës “Demokraci”, shihen shiritat që mbyllin gojën e të rinjve, shirita që largohen në vazhdim të këngës. Të flasim më thellë rreth kësaj porosie. Heqja e shiritave nënkupton për ju se të rinjtë tash janë vetëdijesuar, apo ju po bëni përpjekje që ti vetëdijesoni për të ngritur zërin e tyre?

Bujar Berisha: Meqenëse rinia është shtylla e një shoqërie, është e ardhmja e një kombi, është vlera më e madhe që ne kemi , këtu edhe pajtohemi me video-promocionin që pat bërë Qeveria para disa viteve me titullin ,, The young Europeans”, por nuk kemi pa një zhvillim konkret nga ana e udhëheqësve tanë që këtyre të rinjve tu krijohet një perspektivë e vërtetë evropiane, duke filluar nga liberalizimi i vizave…Është premtuar mjaft shumë herë që në vitin e ardhshëm të rinjtë tanë do të udhëtojnë lirshëm në shtetet e BE-së pa viza…por këto kanë qenë vetëm edhe një argument më shumë që tregon, se ne udhëhiqemi prej një elite demagogësh injorantë kur një pjesë mjaft e madhe e shoqërisë e dimë fort mirë se kushti kryesor në procesin e liberalizimit të vizave ka qene sundimi i ligjit dhe luftimi i krimit të organizuar e thelbi i këtyre dy problemeve janë pikërisht njerëzit që na udhëheqin dhe na kanë premtuar integrimin dhe lirinë e lëvizjes. Prandaj bëjmë thirrje tek të rinjtë që të jenë të vetëdijshëm e të ngrejë zërin për të drejtat e tyre e mos të mashtrohen me diploma e tituj që këta të njëjtit i premtojnë për ti futë në shpellat e partive të tyre ku më pastaj vijon shpërlaja e trurit dhe degradimi…
KultPlus: Kthehemi te krijimi i këtyre këngëve, nëse do të bëje një krahasim me rajonin, njeh ndonjë grup muzikor “rebelues”, që u ngjasojnë juve, apo të tjerat vende nuk kanë nevojë me për këngë të tilla, pasi më veç i kanë punët më mirë se sa Kosova?

Bujar Berisha: Mendoj që në çdo vend demokratik ka zëra rebelues, në një masë ose në një tjetër të cilët shprehin pakënaqësitë e masës. Momentalisht s’po më kujtohet ndonjë emër por sigurisht që ka. Problemi është që këtu tek ne është punuar me një përkujdesje mjaft të madhe që tu ju shpërlahet truri popullit deri në atë masë sa që çdo tendencë për ndryshim të ngjyroset me termat ,,Tradhtarë”,,,Shka ose Bir Shkine”… kjo të kujton kohën e ,,Partizanëve Komunistë ”ose ,,SPS- in e viteve 90-ta, ku nëse nuk u je bindë partisë, pasojat kanë qenë të rënda. Kjo tendencë që sot të përsëritet, një regjim i tillë, neve na bën të ndihemi mjaft keq, por në anën tjetër na bën edhe më të fortë edhe më rebelues në pengimin e instalimit të një sistemi fashist-komunist.

KultPlus: Po audienca, sa po arrin të kap mesazhin e këtyre këngëve, pasi që me rastin e lansimit të videoklipit, u shpërnda qysh në sekondat e parë?

Bujar Berisha: Audienca e ka pritë mjaft mirë këngën, ashtu sikur i kanë pritur gjithmonë këngët tona.

KultPlus: Mirëpo, goxha forcë artistike duhet pasur në fushën e muzikës për të bërë që të dëgjojnë në këtë kohë, kur më shumë po depërtohet prej videoklipeve lakuriqe se sa vet këngës, plus duke e pas parasysh se krejt grupi jeni të përbërë nga meshkuj jo të pispillosur?

Bujar Berisha: Nuk kisha dashtë me komentu nivelin kulturor në këtë vend ku ,,Dasmat” dhe ,,Synetitë” janë evenimentet kult. Këtë nivel kulturorë e kemi arrite duke ju falënderuar udhëheqësisë së këtyre 15 viteve të pasluftës dhe nivelit kulturor që këta “intelektualë” posedojnë.

KultPlus: Flasim më thellë për këtë temë, jemi një shoqëri jo edhe shumë e kalitur për këto paraqitje gjysmë të zhveshura, në anën tjetër të gjithë vetëm po shikojmë po asnjë kritikë nga kompetentë, përderisa në botë, kur po ka kapërcim të kufijve, këngëtarëve të rinj iu japin mesazhe veteranët e muzikës. A do të thotë se kemi hequr përgjegjësi nga çdo gjë?

Bujar Berisha: Mendoj që nëse vazhdohet me këtë lloj qeverisje atëherë si rezultat do të kemi një popull të ndarë në dy kategori ekstreme; në Talebanë (super të veshur) dhe Turbo-follkerë (super të zhveshur).

KultPlus: I kthehemi punës suaj. Pas këngës “Demokraci”, na pret ndonjë rrëqethje tjetër nga grupi “Troja”?

Bujar Berisha: Troja është në fazën finale të miksimit të zërit dhe besojmë që në muajin shtator do të dalim me albumin e ri. Në album besoj që audience ka me gjete mjaft këngë interesante.

KultPlus: Do të përcillen këngët e tjera me videoklipe?

Bujar Berisha: Kënga dhe videoklipi ,,Demokraci” është projekti I dytë i këtij albumi pas këngës ,,Mbretnesha Kohë”. Besojmë që edhe 2 videoklipe tjera ti nxjerrim nga ky album.

KultPlus:.Dhe për fund, sa ke shpresë se nuk do të kesh brumë në një të ardhme të afërt për këso lloj këngësh me porosi rebeluese?

Bujar Berisha: Meqë Kosova është shndërruar në një “vrimë të zezë” edhe me një ritëm të tillë reformues e me një qeverisje e mentalitet qeverisës të tillë, fatkeqësisht mendoj që edhe për një kohë të gjatë do të ketë tema të tilla me bollëk.

Më Shumë

25 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

Më 16 maj 1999 në rrethana ende të pandriçuara është zhdukur Ukshin Hoti. Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më...

Historia e panjohur e deputetit rebel që Enver Hoxha e dënoi me vdekje! Anatemohej si aventurier sepse nuk martohej

Atij, pas vitit 1945, nuk i dhanë as punë shtetërore, as pension. I hoqën triskën e Frontit, triskën e ushqimeve, por ia doli të...

Lajmet e Fundit