7.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Bujar Hasani përballet me drejtësinë edhe me një lëndë tjetër

Ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Bujar Hasani, i cili së bashku me inspektorët komunal, Enver Bytyqi dhe Flurim Islami, akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, të premten, ka kundërshtuar aktakuzën duke e quajtur prokurorin tendencioz.

Hasani ka thënë se prokurori është tendencioz ndaj tij, pasi që ia ka ngritur dy aktakuza dhe ka thënë se në njërën aktakuzë ka humbur, duke iu referuar vendimit të gjykatës para disa dite ku atë e liroi nga një akuzë për keqpërdorim të pozitës dhe uzurpim të pronës publike.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, i është kundërpërgjigjur të akuzuarit duke i thënë se ai vetëm po e kryen punën e vet dhe se nuk ka asgjë personale me të, duke shtuar se kallëzimet penale i ka bërë policia dhe jo ai vetë.

Ndërsa, Hasani ka vazhduar duke i thënë prokurorit Sefa se do të parashtrojë padi kundër tij, pasi që, sipas tij, po akuzohet padrejtësisht.

Ndryshe, i akuzuari Bujar Hasani ka kundërshtuar pretendimet e aktakuzës duke thënë se ai nuk ka pasur përgjegjësi të nënshkruajë konkluzion për rrëzimin apo largimin e objekteve, por se një përgjegjësi të tillë ligji ua jep direkt inspektorëve të cilët janë të pavarur ne punën e tyre.

Ai ka thënë se inspektorët kanë dalë në vend të ngjarjes dhe kanë rrezuar ndërtimet dhe kanë mbetur disa kontejnerë të cilët janë objekte të lëvizshme dhe nuk hyjnë në kategorinë e objekteve të ndërtimit. Tutje ka shtuar se asnjëherë nuk ka pasur kërkesë nga Agjencia Pyjore e Kosovës për largimin e objekteve nga prona.

I akuzuari Enver Bytyqi ka thënë se nuk ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, por se ka vepruar në bazë të obligimeve që dalin nga vendi i tij i punës, duke theksuar se ai është i pavarur në punën  e tij.

Mbrojtësi i të akuzuarit Flurim Islamaj, avokati Orhan Rekathati, ka deklaruar se aktakuza kundër klientit të tij është e paqëndrueshme pasi që sipas tij, Islamaj i ka marrë të gjitha veprimet e duhura për të larguar objektet nga prona në fjalë.

I akuzuari për uzurpim, Burhamedin Bojaxhiu,  po ashtu ka kërkuar hedhjen e aktakuzës me arsye se nuk ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet.

Po ashtu edhe avokati Blerim Mazreku, i cili mbron të akuzuarin për vetëgjyqësi, Alban Osmani, ka kërkuar që aktakuza të hudhet si e pa bazuar pasi që sipas tij, klienti i tij ka pasur leje për vendosjen e objektit të përkohshëm dhe se për të nuk duhet marrë leje komunale.

Mazreku ka thënë se është ngritur aktakuzë për vepër penale të parashkruar pasi që klienti i tij ka vendosur objektin në vitin 2012 ndërsa vepra e vetëgjyqësisë e arrin afatin e vjetërsimit katër vite pas kryerjes së veprës.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka kundërshtuar kërkesat e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre për hedhjen e aktakuzës, duke deklaruar se pretendimet e tyre kundrejt aktakuzës janë të pabaza sepse aktakuza, sipas tij, është e bazuar në prova të ligjshme.

Prokurori Sefa ka thënë se zyrtarët komunalë janë të akuzuar se nuk kanë vepruar në bazë të përgjegjësive të tyre për të larguar objektet pa leje nga prona publike dhe sipas tij, vetë të akuzuarit Bytyqi dhe Islamaj, kanë deklaruar në polici dhe prokurori se ish drejtori Hasani nuk i ka lejuar të ekzekutojnë konkluzionet për largimin e objekteve në fjalë.

Sa i përket pretendimit të parashkrimit të veprës penale ndaj të akuzuarit Alban Osmani, Sefa ka thënë se nuk qëndron sepse vepra ka filluar me 2012 por se ka vazhduar tërë këto vite dhe ende vazhdon.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka përfunduar shqyrtimin e dytë në këtë çështje penale dhe ka njoftuar palët se rreth vendimit do t’i njoftojë me shkrim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren i akuzon Bujar Hasanin, Enver Bytyqin dhe Flurim Islamin, se kanë zvarritur nxjerrjen e konkluzionit për largimin e objekteve të të akuzuarve Burhanedin Bojaxhiu dhe Alban Osmani, të vendosura në mënyrë të paligjshme në pronë shoqërore.

Hasani akuzohet se nuk ka zbatuar konkluzionin e datës 12 dhjetor 2016, ndërsa të akuzuarit Bytyqi dhe Islami se kanë zvarritur nxjerrjen e konkluzionit prej vitit 2013 e deri në dhjetor 2016, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për të akuzuarit Bojaxhi dhe Osmani.

Ndërsa Bojaxhiu akuzohet se ka uzurpuar pronën e Agjensionit Pyjor të Kosovës, duke vendosur në të një kioskë dhe një kamp-shtëpizë, pa u pajisur me leje nga organet kompetente komunale.

Alban Osmani akuzohet për veprën penale të vetëgjyqësisë sepse, sipas organit të akuzës, ka ushtruar në mënyrë arbitrare të drejtën që ka menduar se i takon, duke vendosur dy objekte të përkohshme në sipërfaqe prej 115 metra katrorë, pa u pajisur me leje nga organet komunale.

Ish-drejtori komunal, Bujar Hasani dhe inspektori Bytyqi, kanë qenë të akuzuar edhe në një rast tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare, por janë liruar nga akuza e tillë prej Gjykatës Themelore e Prizrenit.

Më Shumë

Europa League: Leverkuseni i Granit Xhakës përballet me Romën

Pas gjysmëfinaleve të para të Champions League, në rend do të jenë ato të Europa League. Në këtë fazë të garës së dytë më të...

Prishtina fiton minimalisht ndaj Lirisë

Fitore ka shënuar Prishtina e cila në udhëtim mundi Lirinë, me rezultat minimal 0-1. Krasniqi (88’), shënoi golin e fitores dhe të vetmin në këtë...

Lajmet e Fundit