18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Burim Ramadani: Mos u kthefshi më!

Burim Ramadani AAKDeputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, nuk është pajtuar me mënyrën se si po përfundon kjo qeverisje. Në një shkrim që ka postuar në rrjetin social Facebook, Ramadani i ka thënë se tashmë, është e qartë se nesër do të procedohet mocioni për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke potencuar se do të provohet nesër nëse do të funksionojë marrëveshja PDK-LDK.

“Ky nuk është fundi që është dashur t’i jepet kësaj Qeverie të keqe. Ky nuk është përfundimi që ka merituar kjo Qeveri e dëmshme. Kjo nuk është përgjigja që partitë politike opozitare do të duhej t’i jepnin Hashim Thaçit dhe klubit të tij”, ka thënë ai.

Sipas tij, përgjigja e vetme e duhur do të ishte shkarkimi i Thaçit nga posti i kryeministrit. “Në fakt, ky do të ishte shkarkimi i dytë i tij nga pozita e Kryeministrit dhe kjo do të ishte hera e fundit. Sepse, jam i bindur se Kosova nuk do të dështojë edhe njëherë. Kosova ka dështuar dy herë, duke zgjedhur këtë Kryeministër dhe kësi lloj qeverie të keqe”.

“Dështimi i tretë do të ishte fatal për Kosovën. Dështimi i tretë nuk do të përfundonte në mënyrë normale. Dështimi i tretë do të kishte pasoja të rënda për stabilitetin dhe funksionalitetin e Kosovës dhe popullit të saj.
Prandaj, marrëveshja PDK-LDK nuk i dha hapësirë këtij ndëshkimi nga partitë opozitare ndaj Thaçit. Marrëveshja PDK-LDK, në të vërtetë, i dha hapësirë Thaçit sa për të ruajtur një trohë fytyrë në ethet elektorale që e kanë kapur”.

Sipas tij, e vetmja e mirë e shpërndarjes së Kuvendit është fakti se do të ketë zgjedhje shpejt. “Dhe, ato shumë shpejt. Një muaj më pas, qytetarët e Kosovës do të jenë para kutive të votimit, për të zgjedhur të ardhmen e tyre në katër vjetët e ardhshëm. Por, pos kësaj, të ardhmen e tyre për shumë më shumë vjet. Sepse, është jashtëzakonisht e qartë se vitet e ardhshme dhe qeveria e ardhshme do të jenë vendimtare për drejtimin që po merr Kosova”.

“Prandaj, tashmë mundësia e humbur e opozitës (për shkak të marrëveshjes së Shën Valentinit midis PDK-së dhe LDK-së) do të kthehet në duart e qytetarëve. Janë votuesit ata dhe ato që do të vendosin të ndëshkojnë Thaçin për shkatërrimin e Kosovës apo t’i besojnë edhe njëherë Thaçit për të vazhduar shkatërrimin e Kosovës”.

Ramadani më tej ka thënë se “Nëse qytetarët apo votuesit mendojnë se Kosova ka mundësi që edhe më tutje të dënohet, dëmtohet e shkatërrohet, atëherë sigurisht se do të vazhdonin këto politika me Thaçin në krye”.

“Unë besoj se Kosova nuk e ka luksin që asnjë sekondë më shumë të udhëhiq et nga një politikë e tillë. Nga një grup njerëzish të korruptuar e shantazhuar, të cilët nuk kanë për qëllim asgjë më shumë se keq-përdorimin e parave të popullit. E tëra që lidhet me ta dhe me logjikën e tyre është manipulim, keq-përdorim, shfrytëzim dhe dëmtim. Mbi të gjitha, shkatërrim. Nuk janë njerëz që mund të ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të Kosovës. Nuk kanë as dije dhe as vullnet për të bërë këtë. I kemi parë dhe i kemi provuar për gati shtatë vjet me radhë. I kemi parë dhe i kemi provuar në xhepat tanë.

Ky duhet të jetë fundi. Fundi i kësaj logjike qeverisëse. Fundi i kësaj logjike manipuluese. Fund. Mos u kthefshi më!”, ka shkruar Ramadani.

Më Shumë

Publikoi video duke gjuajtur me armë, arrestohet malishevasi

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një burrë në Malishevë, pasi i njëjti kishte postuar në rrjete sociale video duke gjuajtur me...

Rahovec: Arrestohet një person pas konfliktit fizik me bashkëshorten

Një person në Rahovec është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Incidenti nuk ka shkaktuar lëndime fizike, por policia  ka vendosur...

Lajmet e Fundit