18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Mustafa u bën thirrje deputetëve për zgjedhje të parakohshme

Isa Mustafa LDKKryetari i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se Kuvendi i Kosovës nuk mundi të procedojë miratimin e krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, për shkak të, siç tha ai, gjimnasitikave joparimore dhe mungesës së vizionit të qeverisë.

Kështu, Mustafa thotë se qeveria aktuale është qeveri e pakicës, andaj nëpërmjet rrjetit social Facebook, ai u ka bërë thirrje deputetëve që të mundësojnë zgjedhjet e parakohshme.

E pas zgjedhjeve, Mustafa thotë se është i bindur, se qeveria do të udhëhiqet nga LDK.

Ja shkrimi i plotë i Mustafës në Facebook:

Të dashur miq,

Vendi ynë, këto ditë po kalon në një proces të ndjeshëm dhe të rëndësishëm. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe unë, duke qenë të përgjegjshëm për situatën, po përpiqemi të kontribuojmë për ta kaluar ngërçin politik të krijuar nga paaftësia e qeverisjes aktuale.

Si u pa përbërja aktuale e Kuvendit të Republikës nuk ishte në gjendje ta procedojë miratimin e krijimit të Forcave të Armatosura.

Kjo situatë ka ardhur, kryekëput për shkak të gjimnasitikave joparimore në qeverisjen e Kosovës dhe mungesës së vizionit të saj për të ndërtuar partneritet të qëndrueshëm dhe afatgjatë me përfaqësuesit e shumicës dhe ata të pakicave.

Siç e keni parë, LDK , pavarësisht se ka lexuar me kohë tendencat për përfitime elektorale me procese të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e vendit, siç ishte krijimi i Forcave të Armatosura, ka bërë gjithçka ka qenë në mundësinë e saj për t’i çuar përpara proceset e stabilitetit institucional, në funksion të kompletimit të shtetndërtimit në atdheun tonë.

LDK është e bindur se qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar drejt këtë angazhim dhe kanë identifikuar shkaktarët e vërtetë të pamundësisë për veprim institucional në përputhje me interesat strategjike të vendit.

Deputetët e LDK janë të gatshëm për bashkëpunim me të gjithë kolegët e partive tjera, për të gjetur zgjidhjen që e nxjerrë vendin nga kriza ku ka hyrë.

Qytetarët e Kosovës tashmë e kanë të qartë se vendi nuk mund të qeveriset nga një qeveri që përfaqëson vullnetin e pakicës. Çdo qeveri demokratike dorëhiqet, që në momentin që dyshon se mund të ketë humbur numrat e përfaqësimit të shumicës së qytetarëve të vendit të vet. Në mungesë të këtij veprimi normal të qeverisjes në largim, votat e veta, LDK me vullnet do t’i bashkonte me deputetët që duan t’i japin fund qeverisjes së pakicës dhe të krijojnë kushte për zgjedhje të lira e demokratike.

LDK u bën thirrje deputetëve të të gjitha grupeve parlamentare, të bashkohen për t’i dhënë fund kësaj praktike qeverisëse dhe t’u mundësojmë qytetarëve që përmes zgjedhjeve të parakohshme të shprehin vullnetin e tyre për qeverisjen e ardhshme të vendit.

Me mbështetjen e qytetarëve, shumica e re parlamentare, e cila jam i bindur se do të drejtohet nga LDK, qytetarëve do t’u ofrojë stabilitet institucional, perspektivë zhvillimore e integruese. Sepse ajo do të bazohet në partneritet strategjik dhe parimor, me partnerët e vet të koalicionit, qofshin ata që përfaqësojnë vullnetin e shumicës shqiptare, apo edhe të pakicave që jetojnë në Kosovë. Në këtë mënyrë, LDK dhe unë, garantojmë qytetarët se mbi bazën e këtyre parimeve, në partneritet edhe me faktorin ndërkombëtar, do të krijohen kushtet për ta bërë Kosovën Republikë të plotë, shtet sovran e të pavarur, me institucione të forta që garantojnë sigurinë, mirëqenien dhe dinjitetin e qytetarëve të saj, pa asnjë dallim. Një Republikë, të cilën qytetarët dhe as partitë politike, nuk e kushtëzojnë me interesa personale politike apo agjenda tjera. Por, një Republikë, të cilën ata e shohin të ardhmen e tyre, të familjeve dhe të pasardhësve të tyre. Dhe për të cilën mendojnë si për veten, për familjet e tyre dhe për pasardhësit e tyre.

Më Shumë

Zyrtare: Valon Bunjaku rikthehet te Bashkimi

KB Bashkimi ka njoftuar zyrtarisht rikthimin e lojtarit Valon Bunjaku në ekip, raporton PrizrenPress. Me një deklaratë të përzemërt, klubi ka shprehur entuziazmin për kthimin...

1 mijë e 698 tiketa trafiku të shqiptuara brenda 24 orëve në Kosovë

1 mijë e 698 tiketa trafiku janë shqiptuar brenda 24 orëve në Kosovë.   Kështu ka bërë të ditur policia përmes statistikave të përgjithshme në raport,...

Lajmet e Fundit