2.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Caktohet ekspertizë e re e ndërtimtarisë në gjykimin për keqpërdorime lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur

Gjykata Themelore në Prizren, ka aprovuar kërkesën e avokatëve Hajrip Krasniqi, Rexhep Kabashi, Rexhep Hasani dhe Bedrije Rexhepi, duke caktuar ekspertizë të re të ndërtimtarisë, në gjykimin ndaj Almir Saitit, Muhamet Bajramit, Hatixhe Përzhellës dhe Drenushë Behluli-Mehmetit.

Të akuzuarit po ngarkohen se gjatë mbikëqyrjes së punimeve në projektin “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur”, kanë lejuar ekzekutimin e pagesave për kompaninë përkundër faktit se punimet nuk janë kryer dhe objekti akoma nuk ishte bërë dhe nuk ishte lëshuar për shfrytëzim, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bajrami, avokati Rexhep Hasani në seancën e 26 majit 2022, i ka paraqitur gjykatës kërkesë për ekspertizë e re, ku të njëjtës i ishin bashkëngjitur të gjithë të akuzuarit dhe avokatët mbrojtës të tyre.

Gjithashtu, ata kanë kërkuar që të përjashtohen ekspertët e dëgjuar më herët në këtë shqyrtim gjyqësor.

Prokurori i rastit Genc Nixha, lidhur me propozimin e avokatëve mbrojtës, në seancën e së martës ka thënë se gjykata në rast të aprovimit të kërkesës, të caktojë një afat kohor për përpilimin e ekspertizës.

“Ju si trup gjykues nëse do ta aprovoni kërkesë, të ketë parasysh në fund komisioni i cili e përpilon ekspertizën, të jepet një afat i caktuar 1 apo 2 muaj ditë sepse kjo çështje s’po them është duke u zhaguar, por prolonguar”, tha prokurori Nixha.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani ka marrë vendim që të dëgjohet eksperti financiar Hamdi Kastrati, pasi fillimisht avokatët Hasani dhe Kabashi deklaruan se do të parashtrojnë pyetje për të njëjtin.

Në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Osmani pasi miratoi kërkesën për ekspertizë të ndërtimtarisë, tha se për shqyrtimin e radhës palët do të njoftohen pas marrjes së ekspertizës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Almir Saitit, Refki Muzbegut, Muhamet Bajramit, Hatixhe Përzhellës dhe Drenusha Behluli-Mehmetit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Almir Saiti akuzohet se gjatë periudhës 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i caktuar si menaxher-drejtor i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Saiti edhe pse është vërtetuar se pozicionet nuk janë punuar si duhet ashtu siç kanë qenë të parapara sipas kontratës edhe për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” nga fshati Metvec, Komuna e Prizrenit, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Refki Muzbegu akuzohej se gjatë periudhës 22 tetor 2009 e deri më 30 qershor 2011, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ai akuzohej se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë, të përshkruara më hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Në aktakuzë thuhet se edhe pse është vërtetuar se punimet nuk ishin kryer si duhet dhe siç kanë qenë të parapara sipas kontratës dhe për faktin se pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë  deri me datën e dorëzimit të ekspertizës më 1 mars 2019, i njëjti ka lejuar pagesat.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Muhamet Bajrami akuzohet se gjatë periudhës 24 dhjetor 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Kurse, Hatixhe Përzhella akuzohet se prej periudhës dhjetor 2013 e deri më 27 maj 2014, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Shërbime Publike në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Kosova Erh-Kotori” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në tre raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 67 mijë e 633 euro, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Sipas prokurorisë për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Drenusha Behluli-Mehmeti, ku thuhet se prej periudhës 3 nëntor 2017 e deri më 12 dhjetor 2017, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, për mbikëqyrjen e projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “NNT TONI” nga Malisheva, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në dy raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 64 mijë e 609 euro e 23 centë, të përshkruar hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragraf 1 të KPRK-së.

Ndërsa, i akuzuari Refki Muzbeg është liruar nga akuzat për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale. /BetimipërDrejtësi 

 

Më Shumë

Gjashtë aktivistë të PDK-së kalojnë në Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren ka njoftuar për kalimin e gjashtë aktivistëve nga nëndega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Arbanas në radhët e...

Vetëvendosje akuzon drejtorin Lamaj për manipulim të çmimit të shtyllave elektrike në Prizren

Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të drejtorit të Shërbimeve Publike të kësaj komune, Çelë Lamaj, të bëra gjatë seancës së...

Lajmet e Fundit