Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka pritur të premtën arsimtarin e gjuhës shqipe në Arnsberg-Sundern të Gjermanisë, Kemajl Çallaku. Latifi falenderoi Çallakun për realizimin e qëndrimit në Gjermani të tetë fëmijëve të dëshmorëve të komunës së Rahovecit. “Gjesti juaj është akt i mirënjohjes dhe respektit për gjakun e dëshmorëve, si dhe hap i rëndësishëm për të vazhduar bashkëpunimin institucional me shkollën tuaj, por edhe me autoritetet gjermane”, tha Latifi.
Sipas tij, Çallaku me organizimin dhe realizimin e kësaj vizite të fëmijëve të dëshmorëve ka dëshmuar dashurinë për vendlindjen dhe dëshmorët.
“Trajtimi i fëmijëve të dëshmorëve me kaq respekt, është vlerësimi më i mirë që ju i keni bërë sakrificës së njerëzve tanë për liri. Në këtë kuptim edhe ne jemi munduar të japim kontributin tonë përmes Drejtorisë për Arsim që vizita të ketë karakterin e duhur institucional. Presim që bashkëpunimi ynë të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërsa përfituesit më të mëdhenj të jenë qytetarët e Rahovecit”, tha Latifi.
Arsimtari Kemajl Çallaku, tha se bashkëpunimi institucional ka qenë në nivel, ndërsa fëmijët e kanë vizituar Gjermaninë kanë gjetur ambient të ngrohtë e shumë miqësor në mesin e bashkatdhetarëve tanë, por edhe të institucioneve arsimore të vendit. “Ne besojmë se ky bashkëpunim do të thellohet dhe në të ardhmen mund të kemi shkëmbime përvojash e idesh edhe të nivele më të larta të rajonit të komunës së Arnsbergut të rajonit të Vestfalisë”, tha Çallaku.
Ai informoi se në fund të tetorit një delegacion i qytetit Arnsberg do të vizitojë Kosovën. Delegacioni po ashtu do të qëndrojë edhe në Rahovec./PrizrenPress.com/