7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Çfarë nënshtrimi!

Imer MushkolajShkruan: IMER MUSHKOLAJ

Hashim Thaçi është në pozitë vështirë. Aq të vështirë sa ka nisur të përmend parime e ideale. Nga tuneli i errët ku gjendet, shpëtim po kërkon edhe te “antiamerikanët” e Vetëvendosjes. Çfarë nënshtrimi epokal!

Me siguri nuk ju ardhur shpesh ose fare ndërmend se do të vijë një ditë kur Hashim Thaçi do të trokasë në dyert e Lëvizjes Vetëvendosje. Jo për t’i akuzuar zyrtarët e saj si antiamerikanë, por për t’u ofruar bashkëqeverisje. Dhe, jo bashkëqeverisje çkadoqoftë, por për t’i ofruar postin e kryeministrit dhe gjashtë ministri!

Lajmi për shumëkë mund të jetë befasues, kur dihet se çfarë raportesh ka pasur PDK me Vetëvendosjen gjatë gjithë viteve të fundit. Por, i gjendur në panik dhe në përpjekje që me çdo kusht të mbetet në pushtet – me çfarëdo çmimi dhe në çfarëdo forme, Thaçi po e sakrifikon edhe postin e dashur të kryeministrit, duke ia ofruar liderit të subjektit politik që e kishte luftuar më së shumti dhe që e kishte pasur opozitë reale të qeverisjes së tij.

Në Facebook, hapësirë ku herë pas here i shpreh frustrimet e veta prej politikani që s’e do askush në bashkëqeverisje, Thaçi kritikoi Vetëvendosjen duke thënë se “me vrull shkeli të gjitha idealet dhe parimet e saj të proklamuara, vetëm e vetëm që ta forcojë bllokun e inatit”.

“Kështu, kjo parti me shpejtësi rrufeje hoqi dore nga gjithçka që votuesit e saj kishin besuar, duke përfshirë këtu idealin e saj për bashkim kombëtar dhe ndërprerjen e dialogut me Serbinë”, shkroi ai.

Sa do të pajtohesha me të gjitha këto po që se do t’i shkruante dikush tjetër, e jo kryeministri në largim. Teksa kritikon Vetëvendosjen, Thaçi “harron” se nga ideali për bashkim kombëtar së pari ka hequr dorë ai, qysh kur UÇK thoshte se po luftonte për një gjë të tillë. Sa për parime, Thaçi është i fundit që duhet t’i përmend ato. Gjatë gjithë viteve të qeverisjes së tij, ai nuk është udhëhequr nga parimet, por nga lakmia për të mbajtur gjithsesi postin, për të gazuar privilegje që posti ofron, qoftë edhe duke ndërmarrë veprime që në një situatë normale dhe në një vend normal do të konsideroheshin të paktën të padenja për një kryetar qeverie.

I mbetur pa fije shprese se do të mund të vazhdojë edhe për një mandat në krye të Qeverisë, Hashim Thaçi nuk ka ngurruar t’u ofrojë poste e privilegje partive që kanë krijuar bllokun opozitar, që ai po e quan “Beslidhja e Inatit”. Sipas tij, këto parti kanë anashkaluar çdo kriter dhe parim dhe janë bërë bashkë për të formuar një “besëlidhje” të bazuar në interesa të ngushta personale dhe të inatit.

Thaçi na flet për interesa të ngushta, personale e të inatit, ndërkohë që qeverisjen e tij e ka bazuar pikërisht në përmbushjen e interesave të ngushta, personale dhe në inatin karshi partive të tjera.

Thaçi na flet për interesa të ngushta, personale e të inatit, ndërkohë që pushteti i tij ka qenë pikërisht pushtet i interesave të ngushta, personale dhe i inatit.

* * *

Dhe prapë, në postimin e tij në Facebook, hapësirë që po i shërben për t’i ndarë me të tjerët hallet e veta, ndërkohë që partitë politike po ia refuzojnë edhe ofertën që po ua bën për postin e të parit të qeverisë dhe poste të ministrave me bollëk, Hashim Thaçi shprehet se “Blloku i Inatit” u krijua për bllokimin e Misionit të Ri.

Lideri i PDK’së sikur harron se Misionin e Ri e shpiku vetëm sa për t’i mbuluar dështimet e “misioneve të vjetra”. Vazhdimi i qeverisjes së Thaçit me Misionin e Ri do të ishte i dëmshëm dhe do të shërbente pikërisht për vazhdimin e realizimit të interesave të ngushta e personale.

Thaçi thotë se tash është momenti që të gjithë aktorët politikë të bëhen seriozë dhe ta respektojnë votën e qytetarëve dhe vullnetin e tyre. Në zgjedhjet e vitit 2010, ndërkaq, ai nuk mendonte kështu.

Ai nuk kundërshtoi vjedhjen industriale të votave dhe erdhi në krye të ekzekutivit edhe me ato vota të keqpërdorura. Tash flet për “momentin” e respektimit të vullnetit të qytetarëve, por nuk bëzante atëherë kur ky vullnet i qytetarëve u përdhos e u shkel pikërisht nga njerëz të partisë së tij. Hipokrizi quhet kjo.

Në postimin në Facebook, Thaçi flet edhe në emër të qytetarëve të Kosovës, kur thotë se beson, sikurse dhe ata se bashkimi ndërmjet spektrit politik kosovar duhet të bëhet për shkak të interesave shtetërore dhe jo tekeve apo inateve personale.

Sa vonë i ka rënë ndërmend për interesat shtetërore, ndërkohë që shquhet për teke dhe inate personale. Sa vonë i ka rënë ndërmend të bëjë thirrje për të dëshmuar pjekuri e aftësi politike, kur për gjithë këto vite, me veprimet që i ka ndërmarrë, ka dëshmuar jo rrallë papjekuri dhe paaftësi politike.

* * *

Hashim Thaçi po përpiqet të gjejë një kashtë ku të kapet, nga përmbytja që po e kërcënon dhe gojën e ka plot parime e ideale. Megjithatë, ai thotë se po e sheh një dritë në fund të tunelit.

Dritë në fund të tunelit edhe mund të shohë, sepse shpresa për qeverisje vdes e fundit. Por, me qeverisjen e tij vendin e ka futur në një tunel pa fund, pa dritë e pa shpresë.

Tash është vënë në aksion për shpëtimin e vetes së tij dhe privilegjeve që ia ka dhënë karriga e kryeministrit. Është vënë në aksion për shpëtimin e rrjetit të tij të krijuar për tetë vjet me radhë, rrjet që ka kapur vendin me hajni, korrupsion e krim të organizuar. Aq i bën për vendin, parimet e idealet. Përralla janë ato./Express/

Më Shumë

Vdekja e 60-vjeçares nga Rahoveci

Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës raportoi se ka vdekur një grua nga Komuna e Rahovecit pasi e njëjta është rrëzuar nga një lartësi...

Mërgimtari nga Suhareka vdes në aksident tragjik në Itali

Haris Shala është 25-vjeçari shqiptar që humbi jetën një ditë më parë në një aksident tragjik në Itali. I riu shqiptar, babai i një vajze...

Lajmet e Fundit