8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Çfarë shkoi keq për Adnan Januzajn te Manchester Unitedi

“Dua t’u tregoj për një djalë që mund të bëjë çdo gjë. Ai vjen nga Belgjika. Emri I tij është Adnan. Januzaj! Januzaj! Januzaj!” – kështu këndonin tifozët e Manchester Unitedit nëpër ndeshje gjatë mesit të stinorit 2013/14.

Një djalë që mund të bëjë çdo gjë; kështu e shihnin Januzajn tifozët e Unitedit, shkruan Manchester Evening News. Dhe nuk ishin të vetmit.

“Unë vërtet besoj e ky djalë mund të jetë një nga më të mirët në botë. Aq shumë talent ka ai”, kishte thënë Gary Neville për “EA Sports”.

Top klubet evropiane pajtoheshin. E po ashtu një numër i shteteve. Shpejt nisi beteja për të.

Ai vendosi t’i mbetej besnik Unitedit, firmosi kontratë pesëvjeçare në tetor të vitit 2013 e më pas zgjodhi edhe të përfaqësonte Belgjikën, ndonëse kishte mundësi të luante për disa përfaqësuese tjera. Në mesin e tyre ishte edhe Anglia.

Gjatë stinorit 2013/14, Januzaj prodhonte rregullisht momente shkëlqimi. Shënoi dy gola kundër Sunderlandit në ndeshjen e tij të parë si titullar, pasimi e shkëlqyer që i siguroi Unitedit një barazim kundër Southamptonit, e po ashtu impresionoi kundër Swansea Cityt në janar të vitit 2014.

Januzaj 18-vjeçar ishte shkëlqimi në skuadrën e David Moyesit që nuk po bindte. Por, kishte fjalë paralajmëruese, thuajse parashikuese, nga trajneri i atëhershëm i Swansea Cityt, Michael Laudrup pas përformancës shumë të mirë që Januzaj tregoi kundër skuadrës së tij.

“Shpresoj që ai është tip lojtari që e di se duhet të zhvillohet më tepër, e të mos mendoj se ka arritur nivelin më të lartë vetëm se ka luajtur dhjetë ndeshje në Premier League. Për fat të keq, lojtarëve që luajnë dhjetë apo 15 ndeshje në nivelin më të lartë, u thuhet se janë të mëdhenj dhe ata e besojnë këtë. Ata mendojnë se janë tashmë në top 3 të botës”, kishte thënë Laudrup.

Ardhja e Louis van Gaalit frenoi rritjen e shpejt të Januzajt. Trajneri holandez aplikoi një taktik tjetër, një ku nuk inkurajohej individualizimi. Dëmtoi tinejxherin, që kishte treguar kreativitet të shkëlqyer nën drejtimin e Moyesit.

Januzaj startoi në vetëm tetë ndeshje në stinorin 2014/15. Duhej një ndryshim në stinorin vijues dhe Van Gaal ndjeu se do të ishte më mirë për futbollistin po të huazohej diku. Mirëpo, Van Gaal mbeti i dëshpëruar kur Januzaj zgjodhi t’i bashkohej Borussia Dortmundit.

Van Gaal vlerësonte se Januzaj do ta kishte të vështirë të siguronte minutazhë të rregullt atje. Ai kishte të drejtë. Ylli i ri nuk startoi në asnjë ndeshje në Bundesligë dhe u kthye te Unitedi në janar, pasi trajneri Thomas Tuchel nuk llogariste në të.

“Unë besoj në talentin e Adnan Januzajt”, ka thënë Van Gaal pasi Januzaj u kthye te Unitedi. “Unë e kam thënë këtë më herët. Por, po ashtu e kam thënë se do të jetë shumë e vështirë të luajë te Dortmundi dhe, për fat të keq, pata të drejtë. Mendoj se, nëse ai nuk mund të luajë atje, është më mirë të stërvitet me ne dhe të shfaq talentin e tij në skuadrën e parë”.

Januzaj, të cilit i ishte dhënë fanella me numër 11 te Unitedi, pas pensionimit të Ryan Giggsit, bëri vetëm edhe tri ndeshje tjera atë stinor.

Në verën e vitit 2016, reprezentuesi i Belgjikës u huazua te Sunderlandi. Te ky klub u ribashkua me David Moyesin. Në teori ishte lëvizje e mençur.

“Unë i kam thënë Adnanit, duhet të ndalosh së fajësuari të gjithë tjerët për atë që shkoi keq. Këto huazime janë pak të rrezikshme. I kam thënë Adnanit të kujdeset për veten dhe të kuptojë se mbetet te ai që të ndryshoi; nuk mund gjithmonë të jetë faji i trajnerëve që ai nuk ka përparuar. Adnani duhet t’ia bëjë vetes pyetjet, nëse është përgatitur si duhet, nëse është në gjendjen më të mirë fizike, a ka ushtruar mjaftueshëm. E po ashtu edhe kur ka pasur rastin a e ka shfrytëzuar atë. Në shumicën e rasteve, përgjigja është jo”, kishte thënë Moyes.

Periudha e Januzajt te Sunderlandi ishte katastrofë. Klubi përfundoi në vendin e fundit në Premier League dhe Januzaj startoi, pjesërisht për shkak të lëndimit, vetëm 18 ndeshje në elitë.

Kështu, në moshën 22-vjeçare, Januzaj u largua nga Manchester Unitedi. Ai iu bashkua Real Sociedadit në verën e vitit 2017, duke firmosur kontratë pesëvjeçare. Që nga atëherë ka luajtur 81 ndeshje, por nuk e ka të garantuar pozitën e titullarit.

Shumica do të vlerësonin se dështimi i tij te Unitedi është shkaku i mungesës së përkushtimit; rrëfim klasik einjë futbollisti i ri të cilit i ofrohen shumë gjëra tepër herët dhe humbet motivin.

Por, Januzaj, gjithmonë ka insistuar se nuk është ashtu.

“Ka njerëz që nuk ia kanë fare idenë për futbollin”, kishte thënë ai për “The Independent”, pak kohë pas transferimit te Sociedadi. “Nuk shqetësohem. Unë vazhdoj të punoj fort. Mund të shkosh vetëm në njërin drejtim dhe kjo është që t’u mbyllet goja njerëzve që të kritikojnë. Kur e bënë këtë, ata do të duken të marrë. Unë do të ndjehem për mrekulli. Unë do të ndjehem shumë mirë, pasi ata njerëz kanë folur marrëzira për mua”.

Januzaj ende nuk ka heshtur dyshuesit e tij. Por, ai është vetëm 25-vjeçar dhe ka mjaft kohë para vetes. Dhe mbani në mend, ai është lojtari për të cilin tifozët e Unitedit thonin se mund të bëjë çdo gjë.

Më Shumë

Mblidhet Kuvendi, në rend dite marrëveshja për tunelin Tetovë-Prizren

Sot do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në mesin e pikave të rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projektligjit...

Kapet me armë ilegale në Rahovec, i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt

Në Rahovec, dje në ora 20:20, një person  është arrestuar pasi gjatë një kontrolli në automjetin e tij është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë...

Lajmet e Fundit