4.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

96 vjet nga vrasja e Avni Rrustemit

U lind në Libohovë, në një familje atdhetare. I ati ishte Qehaja i familjes së Arsllan-Pashalinjve, oxhakut të Libohovës.

Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas vazhdoi Normalen e Elbasanit dhe pastaj kolegjin e Shën Mitër Korone në Itali, kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës.

Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t’u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit. Më 1910 tentoi për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane, gjeneral Shefqet Turgut pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke.

Gjatë veprimtarisë së tij, më 1910, ai punoi si mësues në Libohovë, në Tragjas të Vlorës më 1913, dhe në Tepelenë e në Vlorë në vitet 1916-1918. Më 1918 me nismën e tij, u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin “Djalëria e Vlorës” dhe në krye të saj organizoi demonstratën e 28 nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë.

Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi “Lidhjen e Rinisë Shqiptare”, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare kurse më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris, Esat Pashë Toptanin.

Gazeta e njohur franceze “Le Meiroir”, më datë 20 qershor 1920 publikoi një fotografi të panjohur deri me sot të Avni Rustemit.

Në këtë foto, ai shihet i torturuar barbaishtë nga policia franceze pasi kishte kryer atentat ndaj Esat Pashë Toptanit në Paris. Megjithatë, Avni Rrustemi u lirua pas vetëm 6 muajve.

Me rikthimin e Avni Rustemit në Shqipëri, veprimtaria e tij politike vjen duke u intensifikuar. Pikërisht, më dhjetor 1920 ai filloi punën për bashkimin e shoqërive demokratike ekzistuese në një organizatë të vetme. Kongresi i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri, që mori emrin federata “Atdheu”. Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi.

Me nismën e tij u krijuan dhe organizata profesionale të mësuesve. Pas mbylljes së federatës “Atdheu”, në gusht 1922, përsëri me nismën e Avni Rustemit, më 13 tetor 1922 u krijua në Tiranë shoqëria demokratike “Bashkimi”.

Avni Rustemi, nuk qe vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike, por edhe një ndër ideologët më të shquar demokratë. Daljen e vendit nga prapambetja, Avni Rustemi e shikonte në zhvillimin e ekonomisë së pavarur kombëtare. “Pa pavarësi ekonomike, – shkruan ai, – nuk mund të ketë pavarësi politike”.

Idetë e tij demokratike e revolucionare ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku u zgjodh deputet nga populli i ish-prefekturës së Kosovës. Ai kritikoi me guxim shpërdorimet e aparatit burokratik të kohës, fudullëkun e injorancën e klasave sunduese reaksionare dhe mbrojti me zjarr traditat e popullit tonë dhe të drejtat e shqiptarëve që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi.

Në kushtet e ashpërsimit të kontradiktave klasore e politike të vendit nga njerëz të vënë prej qeverisë së asaj kohe, atij i bëhet atentat më 20 prill 1924 pranë Pazarit të Ri në Tiranë, ku vdes 2 ditë më vonë pikërisht më 22 prill 1924. Vrasja e deputetit shërbeu si shkëndijë e Lëvizjes, që triumfoi më 10 qershor 1924.

Më Shumë

Prizren, arrestohen 2 persona sulmuan zyrtarët policorë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona në Prizren, pasi që ata kishin sulmuar zyrtarët policorë. Njëri nga të dyshuarit është dërguar...

Barcelona refuzon një ofertë të majme për Raphinhan, kërkon 20 milionë më shumë

Raphinha pritet të largohet nga Barcelona në afatin kalimtar të verës, por vetëm për ofertën e duhur. Sulmuesi brazilian ka shpërthyer në javët e fundit...

Lajmet e Fundit