Kohët moderne në shoqërinë njerëzore, me veprime të ashtuquajtura demokratike për nga natyra, sjellin ndryshime të mëdha, jo vetëm tek ai që ne e quajmë qenie të arsyeshme e të vetëdijshme, por edhe tek artet e bukura dhe krijimi i vullnetshëm i së njëjtave.
Për sa i përket asaj se si këto të fundit kanë arritur të zhvillohen e të lënë gjurmë në atë që ne sot e njohim me emrin jetë, kalimi i shekujve e dëshmon jo vetëm zhvillimin e hovshëm a të ngadalshëm të tyre, por, edhe mënyrën se si me anë të së njëjtave njeriu arrinte ta shprehte botën e tij të brendshme, idenë dhe çdo synim që kishte për të nesërmen. E këto të fundit nuk lidheshin vetëm me atë se si ai do ta paraqiste veten dhe sa do të arrinte ta thoshte ndoshta dhe mendimin më të fshehur, por, edhe atë se si do ta bindte tjetrin se ajo që ai e paraqiste, ishte e drejtë dhe e nevojshme për t’u ndjekur.
Ky njeri, me vetëdijen më të madhe, do ta shprehte botën e tij jo vetëm në artin muzikor, për tekstet e këngëve të të cilit do të flitet më poshtë, por, edhe në të gjitha artet e tjera, të cilat ia mundësonin një shprehje më të lirshme e më të kapshme për botën. Domethënë, në të gjitha artet, ai, nuk mbeti vetëm me atë se si kishte rrugëtuar arti dhe ç’të reja kishte sjellë, por, u ngjiz edhe pas asaj se si do të ishte të shprehurit në të ardhmen, te e cila, sërish do të ndihmonte po ai si faktor kryesor.
Ajo për të cilën sot të gjithë jemi dëshmitarë është lirshmëria e tepruar dhe pakujdesia në lidhje me krijimin e artit muzikor, teksa ky i fundit çdo ditë e më shumë na ofron një pamje për të cilën nuk ndihemi të rehatshëm, meqë, fund e krye e pasqyron atë që për ne nuk është e drejtë, e aq më keq, është dhe larg pamjes pozitive për të rinjtë.
Nëse ndalemi të shohim se çfarë konkretisht përfshijnë këto këngë, që sot, njerëzit i kanë të dëgjuara kudo, vërehet fakti i një shpërdorimi të madh jo vetëm për sa i përket elementit gjuhë (së cilës, fjalët, jo vetëm që i fliten me shkurtesa, por, edhe i zëvendësohen me fjalë të gjuhëve të huaja), por, edhe për vetë tekstin e shkujdesur e të pakontrrolluar brenda tyre. Kjo e fundit thuhet duke u nisur dhe nga vetë fakti që, kurrë më parë, në tekstet e këngëve shqipe, nuk është bërë thirrje që njerëzimi, me theks të veçantë rinia jonë, të ecë rrugëve të gabuara dhe pa marrë parasysh se si do ta kishte të nesërmen, të bënte pjesë të jetës së tij edhe elementet më negative e më të dëmshme për shëndetin e tij, si fizik, ashtu për edhe atë mendor.
Nëse në një të kaluar, tekstet e këngëve tona, paraqisnin atë natyrën tërheqëse dhe pozitive për vetë qenien njerëzore, që me vetëdijen më të madhe insistonte në të mirën e përgjithshme dhe edukimin e drejtë qoftë dhe me disa vargje të lehta, ose herë të tjera, me shfrytëzimin e elementeve më të bukura të natyrës mundohej që njeriun ta drejtonte e ta përafronte kah e mira. Sot, shumë më ndryshe se këto raste, tekstet e këngëve tona, ashtu siç edhe shihet, përmbajnë brenda vetes një gjuhë të çrregullt, një fjalor të shkujdesur, fyerje të hapura, ngacmime dhe provokime gjinore të natyrave të ndryshme. Gjithë kjo vjen si pasojë e dëshirës së marrë, që, ajo që dëgjohet nga një “këngëtar” i caktuar, që, në një mënyrë a në një tjetër fiton famë të shpejtë (me: thirrje për rrahje, nxitje për konsumim të llojeve të ndryshme të drogës apo inkuadrimeve në grupe të rrezikshme rrugësh), të bëhet model i padrejtë për mbarë shoqërinë në këto kohë moderne.
Mungesa e kontrrollimit të këtyre teksteve, si dhe ndërgjegjia e ulët e krijuesve të vetëquajtur “artistë” sjellë deri tek ajo që njihet si degradim i shoqërisë njerëzore, si pasojë e një ndjekjeje të gabuar të artit të sotëm. E njëjta, çdo ditë e më shumë jo vetëm që helmohet nga ajo që është negative për veten, por, me shumë qejf i rreket diçkaje të tillë, me shpresë se gënjeshtra e të tjerëve për të do të jetë e vërtetë.
Shoqëria jonë duhet të edukohet drejtë dhe ky edukim të bëjë që artet e kohës moderne të mos japin atë që nuk duhet, sepse të tillat për njerëzimin janë të bollshme e po ia zënë frymë. Arti duhet të mbetet i bukur në çdo kohë, e njeriu krijuesi më i arsyeshëm i tij.
Shkroi – Mr. Adelina Xhaferi