10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Davis është kthyer te Rahoveci për titull

Organizatorit amerikan Darrell Davis i kanë mjaftuar katër ndeshje për ta konfirmuar veten si lider te KB Rahoveci. Pas vetëm katër dueleve të luajtura në Superligën e Kosovës në basketboll, Davis është koshashënuesi më i mirë te skuadra e Rahovecit, me një mesatare prej 27 pikëve për ndeshje, derisa ka shtuar edhe 7.8 kërcime e 6.8 asistime.

Davis, në fillim të muajit mars, saktësisht tri ditë para mbylljes së afatit kalimtar të basketbollistëve (5 mars) u konfirmua si përforcim i ri te Rahoveci. Në fakt, Davis e njeh shumë mirë ambientin te Rahoveci, pasi ishte pjesë e ekipit edhe në edicionin e shkuar, i cili u anulua për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Megjithatë, Davis nuk debutoi te Rahoveci në ndeshjen kundër Vëllaznimit (6 mars), të cilën e humbi. Debutimi i tij erdhi më 14 mars në duelin ndaj Pejës, që Rahoveci e fitoi bindshëm. Pas këtij triumfi, Rahoveci regjistroi edhe tri fitore rresht me Davisin në përbërje, duke u ngritur në pozitën e dytë në tabelë me 43 pikë, një më pak se Ponte Prizreni që prin kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund të pjesës së rregullt të këtij sezoni. Davis është i kënaqur me kontributin e tij të deritashëm te Rahoveci, por insiston se synimi i tij është ta ndihmojë ekipin për ta fituar titullin. Në të vërtetë, ai është kthyer te Rahoveci për titullin e kampionit, që do të ishte i pari në histori të klubit.

“Jam i lumtur që i kemi fituar katër ndeshjet e fundit si ekip. Nuk ishte aspak lehtë, por ia dolëm mbanë sepse ishim të bashkuar. Me kalimin e sezonit besoj se do të kemi paraqitje më të mira, por si ekip. E them këtë për shkak se pa bashkëlojtarët nuk jam askush. Falë tyre unë po tregoj paraqitje të mira dhe për këtë i falënderoj jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Davis të mërkurën për KOHËN.

Davis pranon se dëshira dhe synimi i tij është titulli i kampionit. Sipas tij, Rahoveci ka ekip për ta mbyllur sezonin me këtë trofe, por ka shtuar se nuk do të jetë e lehtë për shkak të garës së fortë. Sipas tij, skuadrat në përgjithësi janë të barabarta dhe konkurrenca këtë edicion është dukshëm më e fortë sesa edicionin e shkuar.

“Si ekip synimin e kemi ta fitojmë titullin e kampionit, por duhet të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kemi ekip të mirë, i cili mund të luftojë deri në fund. Kështu që, kjo më jep besim se mund të bëjmë diçka të veçantë për qytetin e Rahovecit dhe tifozët që frymojnë me basketbollin”, është shprehur Davis. “Liga përfundimisht është shumë e fortë, sepse secili ekip mund të fitojë. Është një garë e barabartë në përgjithësi dhe shumë interesante. Mirëpo, e rëndësishme është se nuk do të dorëzohemi deri në fund dhe kemi besim në vete”.

Davis thotë se nuk ka hezituar të kthehet te Rahoveci, pasi ishte pjesë e këtij ekipi edhe sezonin e kaluar. Kur bëri prezantimin e Davisit, Rahoveci në njoftim shkroi se ai ishte ndër basketbollistët më të mirë të ekipit në vitet e fundit dhe se është rikthyer për ta ndihmuar klubin në arritjen e objektivave. Davis këtë edicion e nisi te Slloboda në Sarajevë dhe kishte një mesatare prej 13.1 pikëve për ndeshje. Davis gjatë sezonit të shkuar ishte fantastik te Rahoveci, ku në 11 ndeshje të Superligës së Kosovës luajti me mesatare prej 23 pikëve për ndeshje, derisa në Ligën Ballkanike pati edhe katër paraqitje dhe regjistroi një mesatare prej 27 pikëve. Davis në dhjetor të vitit 2019 iu bashkua Rahovecit, por nuk arriti ta mbyllte sezonin për shkak të përhapjes së koronavirusit.

“Vendosa të kthehem te Rahoveci pas një viti, sepse njerëzit këtu i konsideroj si të familjes. Gjithashtu edhe tifozët më respektojnë shumë dhe ndihem tepër mirë. Kështu që, nuk kam hezituar aspak kur më është ofruar mundësia të kthehem. Rahoveci gjithmonë e ka një vend të veçantë në zemrën time dhe shpresoj ta ndihmoj klubin në arritjen e synimeve”, ka thënë Davis. “Edicionin e kaluar nuk e përfunduam, për fat të keq, për shkak të koronavirusit. Kjo më mërziti shumë, por tani jam sërish në ekip dhe i gatshëm për ta përfunduar atë që e nisa sezonin e kaluar”.

Skuadra e Rahovecit ndeshjen e radhës e luan në udhëtim te skuadra e Trepçës, derisa pjesën e rregullt të këtij stinori e mbyll në shtëpi kundër Golden Eagle Yllit. Nëse e mban pozitën aktuale në tabelë – të dytën – edhe pas këtyre dy ndeshjeve, atëherë Rahoveci do të kualifikohet në gjysmëfinale të plejofit. Edhe këtë edicion gjashtë skuadrat e para do të avancojnë në plejof. Dy ekipet e para do të kualifikohen direkt në gjysmëfinale të plejofit, derisa skuadrat prej vendit të tretë deri në të gjashtin do të luajnë në çerekfinale./KOHA/

Më Shumë

Shenja e horoskopit që shërohet nga dhimbjet e zemrës!

Virgjëresha eshte shenja e horoskopit qe gjen paqe kete fundmuaji. Pasi të shëroheni nga dhimbjet e zemrës, asgje nuk ju ndal me. Do të...

Liria në shtëpi pret Dukagjinin

Në Prizren, Liria tashmë e dorëzuar e pret Dukagjinin e Klinës që synon fitore pas barazimit në xhiron e kaluar me Llapin. Vendasit nuk e...

Lajmet e Fundit