9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Degë të Apelit për hirë të normalizimit?

gjykataKosova ka gjasë të riorganizojë strukturën e Gjykatës së Apelit për të përmbushur implementimin marrëveshjes me Serbinë. Pas refuzimit të kërkesës së serbëve për të pasur gjykatë të shkallës së dytë në Veri, burime të Express thonë, se po diskutohet mundësia që të themelohen degë të asaj gjykate në tërë Kosovën për të ndarë të kënaqura të dyja palët në dialog. Por, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi thotë se në veri do të ketë vetëm divizion. Derisa në KGJK dhe Gjykatë të Apelit preferojnë të mos flasin fare për këtë çështje.

Normalizimi i raporteve me Serbinë ka gjasë të obligojë Kosovën edhe për riorganizim të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Pas lajmit se Serbia po kërkon Gjykatë të Apelit në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, burime të Express bëjnë të ditur se në bisedimet mes grupeve punuese për implementimin e marrëveshjes së prillit të arritur mes Kryeministrave në Bruksel, është diskutuar për themelimin e degëve të Gjykatës së Apelit nëpër qendrat e mëdha në Kosovë. Një zgjidhje e tillë, sipas një zyrtari të lartë ndërkombëtarë të përfshirë në bisedime, po shihet se e kënaqshme për të dyja palët në dialog sa i përket çështjes së gjykatave në veri.

“Themelimi i degëve të Apelit në qendrat më të mëdha në Kosovë do të krijonte kushte të favorshme për të hapur edhe degën në Veri, që është kërkesë e serbëve dhe një prej kushteve të tyre për të zbatuar marrëveshjen në tërësi”, ka thënë ky zyrtarë në kushte anonimiteti për Express. Praktikisht, legjislacioni kosovar mundëson krijimi e degëve të Gjykatave nëpër Kosovë.

Sipas Ligjit mbi gjykatat në Kosovë, respektivisht pikës 2 të nenit 8 degët themelohen brenda territorit të një Gjykate Themelore. Përderisa vetë përkufizimi “degë”, sipas ligjit nënkupton ndarjen gjeografike të një Gjykate Themelore.

Gjykata e Apelit ndërkaq, sipas nenit 17 të po të njëjtit ligj është gjykatë e shkallës së dytë, dhe me juridiksion territorial në gjithë Kosovën. “Selia e Gjykatës së Apelit është në Prishtinë”, thuhet në këtë nen.

Express ka tentuar të marrë përgjigje lidhur me këtë mundësi të riorganizimit të gjykatave nga Kryetari i këshillit gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, i cili është edhe pjese e grupeve punuese teknike në Bruksel sa i përket çështjeve të drejtësisë.

Mirëpo, i pyetur nëse është e vërtete që pala kosovare ka pranuar të themelohen degët e Apelit, Peci ka refuzuar të flas, pavarësisht se nuk ka mohuar se një gjë e tillë është diskutuar.

“Jam në Bruksel në bisedime. Jo, jo për këto tjetër kush le të fol jo unë. Unë jam pjesë e ekipit por negociator është tjetër kush ata le të flasin për këto”, ishte përgjigja e vetme e Enver Peci.

Pjesë e Grupit punues është edhe vetë kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj. Zyra e informimit të Apelit ka refuzuar të jap më tepër detaje rreth kësaj çështje për Express.

Në një përgjigje me shkrim drejtuar për Express nga zyrtari për informim, Arbër Jashari thuhet vetëm se opsioni do të njoftohet me kohë për cilëndo marrëveshje të arritur në Bruksel për çështje të gjyqësorit në rrugë zyrtare.

“Gjykata e Apelit momentalisht nuk ka degë në asnjë qytet të Kosovës dhe veprimtarinë e saj e ushtron nëpërmes departamenteve të veta të cilat funksionojnë në objektin e kësaj gjykate në Prishtinë. Sa i përket çështjeve tjera që ngritin për momentin nuk mund të japim asnjë përgjigje ngase siç edhe jeni në dijeni grupi punuese kosovar( pjesë e së cilit është edhe kryetari i Gjykatës, Salih Mekaj) është duke biseduar ëndë për to më palën serbe në Bruksel. Besoj që sapo të arrihet një marrëveshje opinioni kosovar do të njoftohet më kohë, në rrugë zyrtare”, ishte përgjigja e Jasharit.

Më i prerë në përgjigjen e tij ka qenë ndërkaq Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi. Ai i tha Express se çështja e Gjykatës së Apelit do të rregullohet sipas marrëveshjes së arritur në prill mes Kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq. “Ajo punë është e kryer me marrëveshje tani vetëm implementimi është”, ka thënë Kuçi.
Marrëveshja e prillit ndërkaq, parashihet që autoritetet gjyqësore në Veri të jenë të integruara dhe të operojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës.

Sipas pikës 10 të marrëveshjes, Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel, shumica e gjykatësve të të cilit do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.

“Një sektor i kësaj Gjykate të Apelit, i përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqësor, do të qëndrojë përherë në veri të Mitrovicës (Gjykata e Qarkut në Mitrovicë). Shumica e secilit panel të sektorit të mësipërm do të përbëhet nga gjykatës serbë të Kosovës. Vendqëndrimi i gjykatësve respektivë do të varet nga natyra e rasteve në të cilat janë të përfshirë”, thuhet në pikën 11 të marrëveshjes.

Sipas Ministrit Kuçi ajo çfarë është paraparë me marrëveshje nuk mund të rinegociohet andaj në Veri nuk do të ketë degë por vetëm divizion të Apelit.

“Nuk rinegociohet marrëveshja.Do të ketë divizionashtu si është në marrëveshje”, tha Kuçi.

Divizioni i një Gjykate ndërkaq sipas Ligjit mbi Gjykata paraqet njëkomponentë të Departamentit të Përgjithshëm të një gjykate, e themeluar me qëllim të caktimit të lëndëve sipas natyrës së tyre me në mënyrë që të rritet efikasiteti i gjykatës.

Në bazë të po të njëjtit Ligj përbërja e Gjykatës së Apelit pasqyron shumëllojshmërinë etnike të Republikës së Kosovës dhe parimet ndërkombëtare të barazisë gjinore.

“Në përputhje me dispozitat relevante të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe për të siguruar pjesëmarrjen e komunitetit në gjyqësor, 15 për qind e numrit të tërësishëm së ulëseve në Gjykatën e Apelit, por në asnjë rast më pak se dhjetë ulëse, janë të garantuara për gjyqtarët nga radha e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë”, thuhet në pikën 3 të nenit 17.

Më Shumë

Gjini: Vendimi është fushatë qëllimkeqe

Doktori Sebajdin Gjini, i cili para do ditësh u shkarkua nga shefi i Repartit të Obstetrikës ka reaguar, duke e konsideruar vendimin e spitalit...

Viniciusi i përlotur: Gjithnjë e më pak po e ndjej futbollin

Anësori brazilian, Vinicius Jr, ka thënë se çdo herë e më pak po e ndjen lojën e futbollit për shkak të sulmeve raciste që...

Lajmet e Fundit