13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Dëgjohen gjashtë dëshmitarë në gjykimin ndaj drejtorit të shkollës në Malishevë, për rastin ku punëtori teknik humbi jetën në vendin e punës

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj drejtorit të Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, Jonuz Mazreku, i akuzuar për asgjësim ose heqje të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës.

Në seancën e së hënës, në cilësi të dëshmitarëve u dëgjuan e dëmtuara Bahrije Hoti, Jonuz Krasniqi, Mehdi Krasniqi, Vesel Hoti, Fatmir Dervisholli, dhe Nuhi Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në dëshminë e saj, dëshmitarja Bahrije Hoti, e cila është bashkëshortja e të ndjerit Z.H, deklaroi se bashkëshorti i saj i kishte treguar se e kishte njoftuar edhe drejtorin e shkollës për problemet me kaldanë e ngrohjes qendrore.

Në pyetjen e prokurorit Kastriot Memaj, se a ka pasur ndonjë ankesë i ndjeri Z.H rreth punës dhe se a e ka njoftuar atë për problemin me kaldanë, dëshmitarja Hoti deklaroi se bashkëshorti i saj kishte lajmëruar edhe komunën për problemin me kaldanë.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit, avokatit Faik Halilaj, se a ka njohuri se në ditën kritike i ndjeri Z.H, vullnetarisht është shkuar me ndezë kaldanë, dëshmitarja Hoti deklaroi se nuk ka dëgjuar për këtë asnjëherë.

Ndërsa dy zyrtarët komunal që ishin mbikëqyrës të punimeve në shkollë, tani në cilësinë e dëshmitarëve Jonuz Krasniqi dhe Mehdi Krasniqi, lidhur me pranim dorëzimin e projektit, kanë deklaruar se nuk ka pasur asnjë defekt kur është bërë pranim dorëzimi teknik i objektit, dhe si komunë kanë pasur vetëm një vit garancion, dhe pas një viti gjithçka kalon në përgjegjësinë e menaxherit të shkollës.

Pas përfundimit të dëshmisë së dy zyrtarëve komunal Jonuz Krasniqi dhe Mehdi Krasniqi, dëshminë e tij e dha dëshmitari Vesel Hoti.

Dëshmitari Hoti deklaroi se të ndjerin Z.H, e kishte parë tek bisedonte me drejtorin e Arsimit në Komunën e Malishevës, Blerim Thaqi, dhe kur e kishte pyetur vëllain e tij Z.H se për çfarë kishin biseduar, ai i kishte thënë se ka biseduar me Blerimin se po më duket se po më ngarkojnë më punë të tepruara në shkollë.

Ndërsa dëshmitari tjetër i cili kishte furnizuar me gaz ngrohtoren e shkollës, Fatmir Dervisholli, në pyetjen e prokurorit Memaj se kush ka qenë personi përgjegjës kur është bërë shkarkimi i gazit, ai ka deklaruar se përgjegjës ka qenë pastruesi i shkollës, të cilit nuk ia din emrin pasi që ka në qenë disa.

Ndërsa dëshmitari tjetër dhe i fundit për këtë seancë u paraqit edhe pastruesi i shkolës “Ibrahim Mazreku”, Nuhi Berisha, i cili deklaroi se drejtori i shkollës Jonuz Mazreku i ka thirrur në zyrë dhe u ka thënë se të gjithë punëtorët teknik e kanë për obligim me lëshua ngrohjen me rend, dhe rendin me caktua punëtorët vetë.

Tutje dëshmitari Berisha deklaroi se disa ditë para ditës kritike ishte ndier erë gazi tek dhoma e kaldajës dhe se për këtë gjë punëtori teknik, Fazli Hoti, e kishte njoftuar drejtorin e shkollës Jonuz Mazrekun.

Pasi që dëshmitarët përfunduan dëshmitë e tyre, prokurori Memaj propozoj që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen edhe Rrahman Mazreku, Blerim Thaqi dhe Fazli Hoti, i cili propozim u aprovua nga gjyqtari Njazi Morina.

Nga gjyqtari Morina seanca e radhës u caktua të mbahet me 21 dhjetor 2020 në ora 09:30.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, për këtë rast më 22 qershor 2016, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Jonuz Mazreku, duke e ngarkuar atë se në cilësinë e drejtorit të Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, ka kryer veprën penale “asgjësimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367, paragraf 7, lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Mazreku, në cilësinë e përgjegjësit të shkollës, vepron në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, duke mos u kujdesur për sigurinë e punëtorëve, nuk ka siguruar pajisjet mbrojtëse, dhe nuk i ka mirëmbajtur në gjendje të rregullt për përdorim të nevojshëm në punë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Mazreku, ka rrezikuar jetën e punëtorit të tij, dhe në vendin ku gjendej kaldaja, e cila shërbente për ngrohtoren e shkollës fillore “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, i ndjeri Z.H, i cili më 5 dhjetor 2014, kishte shkuar për ta ndezur ngrohtoren e shkollës, bombola e gazit kishte eksploduar, me çka edhe ishte rrënuar i tërë objekti, dhe në këtë rast ai nga lëndimet e marra kishte ndërruar jetë. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Vetaksidentohet një kamion, rruga Carralevë-Duhël e bllokuar

Një person është lënduar në një vetaksident të shkaktuar mëngjesin e sotëm në rrugën Carralevë-Duhël. Lajmin e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënësi për media...

Marku rikthehet në ring me një super përballje më 31 mars

Florian Marku do të rikthehet në ring të dielën e 31 marsit. Kundërshtari i tij do të jetë Chris Kongo dhe pritet të jetë...

Lajmet e Fundit