I akuzuari se kishte vjedhur 15 karrige dhe shtatë tavolina, Edis Zhulderen, është dënuar me tre muaj burgim me kusht, si dhe me 150 euro gjobë.
Dënimi me burg ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej një viti, ai nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi është shpallur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Atnor Skorro, i akuzuari ka thënë se e pranon fajësinë dhe se i vjen keq për atë që ka ndodhur.
“Unë e pranoj atë që ka ndodhur. Më vije keq. Kam menduar se ato karrige i kanë nxjerrë jashtë përdorimit dhe janë të padobishme”, ka thënë ai.
Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurori Skorro, e më pas është aprovuar nga gjyqtari Bekri Vehapi.
I akuzuari është obliguar që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro për fondin e viktimave të krimit, derisa pala e dëmtuar, është udhëzuar në kontest civil.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 korrik 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Edis Zhylderen akuzohet se më 1 qershor 2019, rreth orës 12:00, në fshatin Brod, saktësisht në oborrin e hotelit “Arxhena”, përvetëson në mënyrë të kundërligjshme pasurinë e tjetrit.
Në aktakuzë thuhet se me qellim që vetes apo tjetrit t’i sjell përfitime pasurore të kundërligjshme, i akuzuari ia merr pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Behair Rate.
Sipas aktakuzës, i pandehuri shkon në vendin e lartcekur dhe duke shfrytëzuar momentin e volitshëm, atëherë kur në restorant nuk ishte askush, hyn në oborrin e hotelit dhe nga aty merr 15 karrige dhe shtatë tavolina, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkakton dëme materiale, e të cilat më pas i shet.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhja” nga neni 313, paragrafi 1 e Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi